1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Beograd dënohen 11 shqiptarë me 116 vjet heqje lirie

Gjykata e Serbisë për Krime Lufte me seli në Beograd, ka dënuar dje (19.09.2012) 11 shqiptarë me gjithësejt 116 vjet heqje lirie. Dënimi ka shkaktuar reagime kundërthënëse.

Beograd

Beograd, Gjykata për krimet e luftës

Gjykata e Serbisë për Krime Lufte me seli në Beograd konstatoi se "këta ish-pjesëtarët të UÇK-së nga Gjilani janë përgjegjës për krime lufte të kryera gjatë vitit 1999 ndaj civilëve serbë dhe jo shqiptarë". Agjencia Beta njofton se me 15 vjet heqje lirie është dënuar Samet Hajdari, me nga 13 vjet Ahmet dhe Nazif Hasani, me nga 12 vjet janë dënuar Selmon Sadiku, Burim Fazliu dhe Agush Memishi. Ndërsa Faton Hajdari është dënuar me 10 vjet burg. Janë dënuar edhe Ferat Hajdari, Kamber Sahiti dhe Sadik Aliu me nga tetë vjet. Ndërsa Shefket Musliu, është dënuar në mungesë, me pesë vjet burg. Kryetarja e trupit gjykues, Snezhana Nikoliq-Garotiq, tha se të dënuarit kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile. Gjashtë persona janë liruar nga akuzat për krime lufte.

Prokuroria serbe për krime lufte ka bërë të ditur se do të ankohet ndaj këtyre vendimeve. Sipas saj, denimet "ndaj grupit të Gjilanit, është dashur të jenë edhe më të larta dhe është dashur të dënohen edhe gjashtë personat e shpallur të pafajshëm". Zëvendësprokurori i kësaj Gjykate Bruno Vekariq tha se "asnjë dënim nuk mund të jetë satisfaksion i dukur për krimet e bëra". Shqyrtimin e denimëve ka paralajmëruar edhe pala mbrojtëse, e cila nuk është e kënaqur me dënimet e shqiptuara. Sipas tyre, shumë prej rasteve që përmenden në aktakuzë nuk janë sqaruar fare, ndaje edhe personat nuk mund të përgjigjen për këto vepra. Ky gjykim është mbajtur për herë të dytë pasi që Gjykata e Apelit në Serbi kishte urdhëruar përsëritjen e procesit në dhjetor të vitit 2011.

Të dënuarit fajësohen për vrasjen gjatë vitit 1999 të të paktën 80 personave (ndër të cilët 34 ende llogariten si të zhdukur) dhe arrestimin dhe keqtrajtimin e 153 personave të tjerë.

Procesi është përcjellë me vëmendje të madhe, si nga familjarët ashtu edhe nga opinioni dhe organizatat e ndryshme në Beograd. Zeqir Nuhiu, vëllau i Shemsi Nuhiut (i cili me kërkesë të Serbisë është arrestuar në Zvicër dhe është transferuar në Serbi), u shpreh i kënaqur me lirimin e të akuzuarit. Ai tha se në kohën e vrasjeve dhe krimeve vëllau i tij nuk ka qenë fare në Serbi, por në Maqedoni. Në Kosovë ky proces shikohet si një proces i montuar politik. Ndërsa në Beograd thonë se në këtë mënyrë është zbardhur vetëm një pjesë e krimeve të bëra kundër jo shqitparëve gjatë luftës së Kosovës.