1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Në Australi merr fund epoka e Xhon Houardit- fitues i zgjedhjeve është Kevin Rad

Pas 11 vjetësh në Australi kemi një ndërrim pushtetesh. Drejtuesi i opozitës, Kevin Radd dhe partia e tij laburiste arritën në zgjedhjet parlamentare të së shtunës një fitore me të vërtetë të thellë.

Në foto:fituesi i zgjedhjeve në Australi, Kevin Rad (Rudd)

Fituesi i zgjedhjeve në Australi, Kevin Rad (Rudd)

Pas numërimit thuajse të të gjitha votave, laburistët mundën të fitojnë gati 53 përqind të votave. Partia Liberale në pushtet me Xhon Houardin arriti të fitojë vetëm 47 përqind të votave. Me këtë, përfundimet e sondazheve rezultuan të sakta dhe pas më shumë se një dekade nën udhëheqje konservatore australianët vendosin të ndërrojnë pushtetin. Kjo, megjithëse ata kishin shkas për të qenë të kënaqur me politikën ekonomike të kryeministrit të tyre të deritashëm. Nën udhëheqjen konservatore të Houardit, konjuktura austrialiane u zhvillua me ritme të vrullshme. Këtë kurs do ta respektojë edhe udhëheqësi i opozitës Kevin Rad.

Nuk priten shumë ndryshime

Nga ana e politikës ekonomike, në Australi nuk besohet se do të ndryshojnë shumë gjëra, ndryshimi i qeverisë besohet se do të vërehet para së gjithash në politikën ambientaliste. Radi premtoi që do ta ratifikojë menjëherë protokollin e Kiotos, të cilin Houardi e refuzoi për 11 vjet me Radhë. Në bisedimet e tij të para me kryetarët e qeverive të tjera, ndryshimi i klimës ishte temë diskutimi: "Ndryshimi i klimës ishte në qendër të bisedimeve të mia me kryeministrin britanik dhe me presidentin indonezian, Judojono, dhe prandaj jam shumë i gëzuar për pjesëmarrjen tonë në konferencën e Balit."

Klima në plan të parë

Edhe në politikën e jashtme, shefi i majtë i laburistëve do të vërë akcente të reja. Radi premton se do t'i tërheqë sa më shpejt që të jetë e mundur ushtarët australianë nga Iraku, por miqësinë me SHBA ai nuk do ta lëkundë: "Presidenti Bush më mori në telefon për të më uruar, unë e falenderova dhe i dhashë siguri se aleanca jonë me SHBA do të mbetet rëndësi qendrore në politikën tonë të jashtme."

Nuk ka vend pune më të mirë se të jesh kryeministër

Kryeministri i deritashëm, Xhon Houard e pranoi disfatën e tij më se të dukshme. Pas bërjes së njohur të rezultatit të zgjedhjeve, 68 vjecari e përshëndeti Kevin Radin për fitoren në zgjedhje: "Bashkështetas australianë! Sapo i telefonova zotit Rad dhe e përshëndeta atë dhe Partinë e Tij Laburiste Australiane për fitoren impresionuese. Kjo është një demokraci madhështore dhe unë i uroj zotit Rad gjithë të mira si kryeministri i 26-të i Australisë. Dëshiroj të shtoj edhe një gjë: nuk ka vend pune më të mirë se të jesh kryeministër i këtij vendi." Fushata elektorale në Australi u shoqërua së fundi edhe nga një fushatë e shëmtuar për të njollosur kundërshtarin. Anëtarë të partisë liberale të Houardit e akuzuan partinë opozitare Laburiste se ajo ka simpati për ekstremistët myslimanë. Xhon Houardi tani ka gjasa të humbasë edhe qarkun e tij elektoral në Sidnei, ai bëri të ditur se do të tërhiqet krejtësisht nga politika.

  • Data 25.11.2007
  • Autor Klaudia Sarre
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CSyQ
  • Data 25.11.2007
  • Autor Klaudia Sarre
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CSyQ