1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në Athinë mbahen sot dy manifestime shkollore

Stafetën e revoltave në Greqi e marrin nxënësit dhe studentët që rrethojnë qendrat policore dhe zaptojnë shkollat. Zyrtarisht thuhet se janë zaptuar 100 shkolla, kurse organet sindikaliste flasin për 400.

Trazira në Athinë, 9 dhjetor 2008

Trazira në Athinë, 9 dhjetor 2008

Greqia nuk gjen qetësi. Netët e trazirave dhe shkatërrimeve u lanë vendin ditëve të manifestimeve të stuhishme të nxënësve dhe studentëve. Rreth 20 qendra policore në Athinë dhe Pire u gjenden të rrethuar nga liceistë të revoltuar, sigurisht pa maska. Atmosfera ishte kaq e elektrizuar dhe konfrontimet kaq të mëdha, saqë policia përdori gazin lotsjellës, gjë që nxori nëpër rrugë dhe në krahë të nxënësve banorët e zonave. “Mos vrisni më fëmijët,” dëgjohet klithma dëshpëruse e një gruaje duke parë reagimin e tepruar të policisë, që duket se ka humbur durimin.

Trazira në Athinë, 9 dhjetor 2008

Trazira në Athinë, 9 dhjetor 2008

Frika për qeverinë është që revolta e nxënësve dhe studentëve të marrë trajtën e zaptimeve të shkollave dhe të institucioneve të larta arsimore, duke u shfuqizuar kështu argumenti se gjithçka është “një rebelim të rinjsh me maska”, që kanë për stimul vetëm dhunën e verbër. Statistika e ministrisë së Arsimit flet vetëm për 100 shkolla dhe fakultete shkollash të larta të zaptuara, kurse organizatat sindikaliste të nxënësve dhe studentëve e rritin numrin në 400. “Kjo shkendijë duhet të vlerësohet siç duhet,” thotë kryetari i grupit parlamentar të partisë së majtë SIRIZA, Alekos Allavanos, që është vënë në shënjestër nga qeveria, si nxitës i revoltës së nxënësve.

Studentë përleshen me policinë, 9 dhjetor 2008

Studentë përleshen me policinë, 9 dhjetor 2008

Terreni në fakt ishte i përgatitur me kohë për valën e zaptimeve nëpër shkolla, që ziejnë që prej vitesh kundër zhvleftësimit të sistemit arsimor me kurset private paralele, insistimit qeveritar për rishikimin e nenit 16 të Kushtetutës për privatizimin e arsimit të lartë, kuotave të ulëta të fondeve për arsimin etj. “Ekonomia do të rregullohet përsëri, por në qoftë se shembet arsimi asgjë nuk mund të bëhet për së mbari,” thotë rektori i universitetit të Athinës, Kristos Kitas, që dha dorëheqjen në shenjë proteste për trazirat, por mbetet në vendin e tij me insistimin e presidentit Papulias.

Për këto probleme dhe dënimin e dhunës policore do të mbahen sot dy manifestime në qendër të Athinës, me rrezikun që të “rinjtë me maska” të penetrojnë sërish në radhët e manifestuesve dhe të përsërisin skenarin e shkatërrimeve nëpër rrugët kryesore të Athinës.

  • Data 12.12.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GEla
  • Data 12.12.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GEla