1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në 150 vjetorin e piktorit Emil Nolde

Ndonëse i ktheu shpinën jetës në fshat, peizazhet me temë nga fshati e bënë Emil Nolden të famshëm. Piktori ekspresionist qe shumë modern për nazistët.

"Çdo ngjyrë ka shpirtin e vet", thoshte Emil Nolde, një nga ekspresionistët më të famshëm gjermanë. Kjo ide mishërohet edhe në veprat e tij.

Ngjyrat e tij të bëjnë përshtypje edhe sot. Pavarësisht nëse ai pikturonte lule të kuqe gjak në qiell, liqene dhe male blu apo fusha në ngjyrë të ndritshme portokalli para një sfondi lejla - veprat e tij janë një eksplorim intensiv i nuancave, ngjyrave dhe ndjenjave.

Jeta e tij ishte pa dyshim po me aq shumë ngjyra. Ai lindi më 7 gusht 1867 si Emil Hansen në një familje fshatare në Nolde. Sot kjo zonë i takon Danimarkës, por asokohe i përkiste Prusisë. Ai nuk ishte i interesuar që të trashëgonte fermën e prindërve - edhe pse kur qe në moshë të madhe dhe në veprat e tij trajton kryesisht tema nga fshati.

Nga zdrukthtar në piktor

Fillimisht Emil Nolde mësoi zanatin e zdrukthtarit dhe drupunuesit, dhe punoi ndër të tjera në fabrika mobiljesh. Pas disa vitesh ai donte të studionte në Akademinë e  Arteve në Mynih, por akademia e refuzoi. Për këtë shkak ai shkoi në Dachau dhe më pas në Paris ku pati sukses dhe ku ia njohën talentin.

Në vitin 1906 ai u bashkua me grupin artistik gjerman "Die Brücke". Ky kolektiv artistësh ekspresionist u themelua në vitin 1905 nga studentët e arkitekturës Fritz Bleyl, Erich Heckel, Ernst Ludwig Kirchner dhe Karl Schmidt-Rottluff në Dresden. Tipike të këtij grupi ishin vizatimet e papërpunuara, ngjyrat radikale dhe abstraksioni i plotë.

Një vit më vonë, Nolde u largua nga ky grup, sepse si krijues kishte nevojë për vetmi.

Simpatizues i Hitlerit i përbuzur për veprat e tij nga regjimi

Megjithëse Nolde ishte i mendimit se arti qëndron mbi fenë dhe racën, ai ishte një simpatizues i zjarrtë i Hitlerit dhe i ideologjisë nacional-socialiste.

Por edhe pse nazistë të spikatur si Joseph Goebbels ose Fritz Hippler i vlerësonin veprat e artit të Noldes, kjo nuk e ndihmoi atë. Nacional-socialistët  e cilësuan artin e tij si "të degjeneruar". Mbi një mijë vepra të Noldes u konfiskuan dhe 48 prej tyre u shfaqën në ekspozitën "Art i degjeneruar" në Mynih. Po ashtu atij, sikurse dhe shumë ekspresionistëve të tjerë, iu ndalua që të ushtronte profesionin, sepse veprat e tyre ishin shumë moderne për artin shtetëror monumental-klasicist të nazistëve.

Pas Luftës së Dytë Botërore ai vazhdoi punën si piktor dhe para vdekjes në vitin 1956, Nolde u rehabilitua dhe në vitin 1952 u nderua me Urdhrin Gjerman "Pour le Mérite".