1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në ç'drejtim po shkon Maqedonia?

Nëse nuk respektohet dhe zbatohet Marrëveshja e Përzhinës, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në prill të 2016, theksoi përfaqësuesi i BE në bisedimet politike Pieter Vanhaute.

Maqedonisë mund t’i ndodhë edhe skenari i Bjellorusisë, nëse nuk respektohen marrëveshjet e firmosura, paralajmëroi përfaqësuesi i BE-së Pieter Vanhaute: “Nuk mund t' ju them cili është plani B, por konsideroni se çfarë ndodhi në shtete të tjera, jo nga ky rajon, që kishin probleme me sundimin e ligjit. Konsideroni shembullin e Bjellorusisë”.

Listat e zeza dhe bllokimi i xhirollogarive bankare, sipas Vanhaute, janë treguar metoda efikase në shumë shtete, për zhbllokimin e proceseve të ndryshme. Po bëhen përpjekje për ringjalljen e procesit, që sipas tij do të zgjasin vetëm deri në fund të javës. Problemi kryesor, siç thotë Vanhaute, është mungesa e llogaridhënies nga partitë politike.

“Vlerësimi im personal është se mungon llogaridhënia nga të gjitha partitë politike. Kur vijnë në pushtet, ata mendojnë se mund të jenë mbi ligjin. Gjithashtu, problem i rëndësishëm është edhe mosfunksionimi i parlamentit. Ju keni parlament, por nuk shoh se ai po bën gjërat që duhet t'i bëjë”, thekson Pieter Vanhaute.

Maqedonia dhe izolimi eventual i saj

Skenari i Bjellorusisë, i përmendur nga ndërmjetësuesi belg, Pieter Vanhoute, për analistët politik nuk është thjeshtë paralajmërim, por një qëndrim zyrtar i Perëndimit ndaj Maqedonisë. Përveç izolimit ndërkombëtar, bllokimit të llogarive për zyrtarët shtetërorë dhe futjes së tyre në lista të zeza, analistët paralajmëronë edhe destabilizim të situatës nëse dështon Marrëveshja e Përzhinës.

“Nëse ditët e ardhshme nuk gjendet ndonjë zgjidhje pres thellim të krizës politike në Maqedoni.Thellim të krizës në drejtim të trazirave politike, destabilizimit politik dhe shpresoj se nuk do të ketë edhe konflikte të përmasave më të gjera”,vlerëson profesor Marko Troshanovski.

Ismet Ramadani Kryetari i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni, vlerëson se udhëheqësit politik në pushtet kanë frikë nga ballafaqimi me drejtësinë, ndaj këtu buron dhe mungesa e vullnetit për ta zbatuar marrëveshjen politike.

“BE dhe SHBA do t'i aktivizojnë mekanizmat e tjerë plotësues për të jetësuar marrëveshjen politike. Do të ketë një izolim total për kryeministrin e Maqedonisë, Maqedonia do të izolohet dhe mund të ndodhë të mos jetë pjesë e rekomandimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE”, vlerëson Ramadani.

Profesor Denko Maleski thotë, se lidershipi në Maqedoni është duke i vendosur motivet personale përpara atyre shtetërore, me këtë gjest ata po e rrezikojnë seriozisht të ardhmen e vendit. “Motivet personale të politikanëve janë seriozisht të përfshira, prandaj ata nuk mendojnë aq për të ardhmen e shtetit sa për pozicionin e tyre. Kjo e ndërlikon situatën në Maqedoni, pasi loja bëhet çështje jete apo vdekjeje”, thekson Denko Maleski.

Kriza dhe reflektimi i saj në proceset eurointegruese

Analisti Naser Zyberi thotë, zhvillime të tilla politike venë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve të 24 prillit vitin e ardhshëm, duke e çuar vendin në një krizë të thellë politike dhe ekonomike. “Shtyrja e vazhdueshme e afateve e ngushton hapësirën për të organizuar zgjedhje korrekte dhe të ndershme. Në qoftëse nuk mund të organizohen zgjedhje të parakohshme, të pranueshme nga të gjitha palët, atëherë Maqedonia futet në një krizë edhe më të thellë nga ajo që kemi sot”, thekson Naser Zyberi

Një notë negative vendi me gjasë të madhe do ta marrë në raport progresin nga Komisioni i BE-së, vlerëson ish-diplomati, Blerim Reka. Sipas tij, Maqedonia përballet për të parën herë me një sfidë shumë serioze që të mos ketë rekomandim pozitiv për fillim të negociatave. “Pas dështimit të bisedimevet të fundit midis katërshes së partive politike nën ndërmjetësimin e BE-së, Maqedonia rrezikohet seriozisht të dështojë në implementimin e njërit nga tre kriteret e Kopenhagës, pra përmbushjes së kriterit politik që është kyç për një rekomandim pozitiv. Zhvillimet e fundit nuk premtojnë ditë të mira për Maqedoninë “, thotë Reka.

Alternativë për dalje nga kriza

Rrugëdalja e vetme pas dështimit të Marrëveshjes së Përzhinës, do të ishte krijimi i shumicës së re parlamentare. Ish-kryetari i parlamentit Stojan Andov, vlerëson se për të shmangur përgjegjësinë nga dështimi, partive u mbetet rruga parlamentare për ta rrëzuar qeverinë e Gruevskit. “Rrjeshtimi i BDI-s, PDSH-s së bashku me LSDM-në dhe një pjesë të koalicionit të tanishëm të VMRO-s do të mundësonin formimin e shumicës së re parlamentare. Kjo do të jetë rrugë normale, rrugë parlamentare e ndërrimit të qeverisë Gruevski, dhe vet Gruevskit”, sipas Stojan Andov.

Analisti Albert Musliu, vlerëson se shumica e re parlamentare madje do të ishte forma më e butë për kapërcimin e ngërçit politik, karshi metodave të tjera që ka në dorë faktori ndërkombëtar. “Ndërkombëtarët ose duhet të gjejnë implementues të tjerë siç është mundësia me një shumicë të re parlamentare, ose duhet të marrin ndryshime në forma të tjera, të papëlqyeshme si për Maqedoninë ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar. Prej dy varianteve shumica e re është më e butë. Është kushtetuese, ligjore dhe do të mund të sigurojë zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Përzhinës”, analizon Albert Musliu.

Për profesor Mersel Bilalli, të gjitha opcionet janë të hapura, përfshi edhe rrëzimin e qeverisë. “Do të ketë edhe një tentim të bashkësisë ndërkombëtare me presion më të fuqishëm dhe ekip më të përforcuar të shihet çfarë mund të arrihet. Mendoj se pas asaj vjen agjenda e krijimit të shumicës parlamentare”, thotë Mersel Bilalli.

Ngecjet kryesore në bisedime sipas Vanhaute, janë tek Prokurorja Speciale, Komisioni Anketues Parlamentar, Ligji për bombat (inçizimet e fshehta kompromentuese) dhe për Qeverinë.