1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Në Ukrainë kemi të bëjmë me një luftë partizane"

Alexander Warkentin / E. Xhani13 Korrik 2014

Kaosi në Ukrainë do të vazhdojë gjatë, mendon gazetari dhe eksperti rus i politikës Aleksandër Golz. Por në këtë momenti ai përjashton një pushtim direkt nga trupat ruse.

https://p.dw.com/p/1CbrK
Gazetari rus Alexander Goltz
Fotografi: DW

DW: Zëdhënës të forcave të armatosura ukrainase thonë se unazat e rrethimit në qytetet Donjeck dhe Lugansk në Lindje të Ukrainës po ngushtohen. A kanë separatistët shans ta përballojnë këtë trysni?

Alexander Golz: Shanset ekzistojnë. Unë nuk do t'i besoja patjetër njoftime të tilla fitoresh. Praktikisht kemi të bëjmë me një luftë partizane. Një ushtri e rregullt nuk mund ta fitojë një luftë të tillë. Në kohën pas Luftës së Dytë Botërore nuk kemi asnjë shembull të tillë. Por nga ana tjetër disfata, si në Vietnam apo në Afganistan, fillimisht disfata sovjetike dhe më pas ajo e aleatëve të NATO-s. Dhe ka edhe mjaft shembuj të tjerë.

Por a janë të goditura krahasime të tilla? Për një luftë partizane normalisht është e nevojshme një mbështetje e gjerë e popullsisë.

Ne nuk shohim asnjë shembull që popullsia në Donjeck dhe Lugansk të ketë reaguar në mënyrë veçanërisht armiqësore ndaj shfaqjes së separatistëve. Përkundrazi. Ne shohim shembullin më të keq të asaj që në ushtri gjendet në rubrikën "konflikt me intensitet të ulët armatosjeje", pra aksione lufte në një qytet apo periferi. Në këtë rast popullsia civile me dëshirë apo pahir luan rolin e një mburoje njerëzore dhe kjo ndodh gjithnjë në aksione luftarake në një qytet.

Nëse gjendja e atyre njerëzve që cilësohen si separatistë do të bëhej kritike: sa janë gjasat që të ketë një ndërhyrje direkte të forcave të armatosura ruse? A ekziston ajo ende?

Në situatën aktuale ajo është vetëm hipotetike. Rusia i ka dhënë bashkësisë ndërkombëtare të gjitha sinjalet e nevojshme që nuk do të ketë një invazion direkt. Këtu bën pjesë edhe gjesti teatral i heqjes së mandatit të Presidentit Putin për mision të trupave në Ukrainë nga Këshilli Federativ në Moskë. Nëse mbajmë parasysh se çfarë autoriteti apo pavarësie ka Këshilli Federativ atëherë mund ta përfytyrosh se ai mund t'ia rijapë këtë mandat Presidentit brenda pak orësh, ose edhe minutash. Kjo është e qartë. Por aktualisht nuk shohim asnjë sinjal ushtarak për një operacion të tillë. Prej javësh nuk ka pasur më ndryshim të përqendrimit të trupave në kufi.

A shihni një rrugëdalje nga ky konflikt?

E pranoj hapur: Jo. Sepse të dy palët kanë interesa shumë të kundërta. Rusia kërkon një periudhë të vazhdueshme kaosi në juglindje të Ukrainës. Qëllimi i udhëheqjes ruse është t'iu tregojë qytetarëve të vet me çdo rast se sa i lartë është çmimi për një "revolucion portokalli". Mesazhi:shikoni, kështu përfundojnë këto revolucione, me kaos dhe luftë civile.

Unë nuk shoh asnjë sinjal që të vetëshpallurit "milicë të popullit" në Ukrainë të jenë të gatshëm për ndonjë negociatë substanciale. Edhe më pak gatishmëri për një dialog konstruktiv tregojnë politikanët në Kiev. Ata po ecin drejt një zgjidhjeje ushtarake që është më shumë se e dyshimtë. Një zgjidhje të konfliktit unë e shoh vetëm pasi të gjitha palët të kenë ezauruar plotësisht burimet e tyre.

Alexander Golz zv/kryeredaktor i portalit të internetit kritik ndaj qeverisë në Moskë "Jeshednevny Journal".