1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pauzë deri sa të vijë kërkesa

Berbara Wesel19 Shkurt 2015

Disa e quajnë program ndihme, të tjerët program kredie. Tingëllon ngjashëm, por ka interpretime të ndryshme të paktën në mosmarrëveshjen ndërmjet Greqisë dhe Eurogrupit.

https://p.dw.com/p/1EeJZ
Fotografi: Reuters/F. Lenoir

Në fakt letra nga Athina duhej të mbërrinte që të mërkurën (18.02) në mbrëmje, kështu kishte kërkuar të paktën kryetari i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem. Tani ministrat evropianë të financave duhet të presin edhe një natë tjetër, deri sa të vijë kërkesa e paralajmëruar nga Athina. Eshtë fjala për vazhdimin e pagesave miliardëshe nga Brukseli. Ministrat e financave kërkojnë vazhdimin e programit ekzistues të ndihmës, që përfundon më 28 shkurt, dhe pranimin e kushteve që përmban ai. Mbi këtë bazë mund të krijohet një lloj fleksibiliteti për qeverinë Cipras. Por ky propozim u hodh poshtë me zemërim nga Athina. Atje thonë se duan të kërkojnë "një program ndihme", kështu pohon Yanis Varoufakis, apo një kredi për të kapërcyer një farë kohe. Të gjitha perifrazime diskrete për një kërkesë për më shumë para, pa kushte ose vetëm të kufizuara. Kjo mund t'u paraqitet pastaj zgjedhësve si fitore e madhe ndaj BE-së dhe Gjermanisë.

Komisioni i BE shkaktoi konfuzion dhe zemërim

Që prej javës së kaluar nuk kanë reshtur telefonatat mes Komisionit të BE në Bruksel dhe qeverisë greke. Telefonata dhe e-maile të pandërprera. Edhe presidenti i BE Jean-Claude Juncker u kthye në ndërmjetësues të krizës, gjë që zyrtarisht nuk është roli i Komisionit dhe që çoi në debat në takimin e Eurogrupit të hënën. Yanis Varoufakis paraqiti një dokument, që gjoja vinte nga komisioneri i Financave Pierre Moscovici dhe parashikonte rregulla shumë të buta për një ndihmë të mëtejshme për Greqinë. "Kjo zgjidhje e mrekullueshme mund të nënshkruhet menjëherë", tha Varoufakis. Ai donte të fuste një pykë në mes të ministrave të financave të BE-së dhe Komisionit, por e kishte bërë hesapin pa hanxhinë. Një gabim prej fillestari, sepse vetëm ministrat vendosin për paratë.

Presidenti i BE donte të ndërmjetësonte në rastin e Greqisë
Presidenti i BE donte të ndërmjetësonte në rastin e GreqisëFotografi: Reuters/Y. Herman

Një ditë më vonë në njoftimin për shtyp në mesditë në Bruksel Komisioneri i BE-së, Valdis Dombrovskis, përgjegjës për Euron, iu përmbajt përsëri linjës zyrtare: Eshtë fjala për zgjatjen e programit aktual me respektimin e detyrimeve, që përmban ai. Asnjë fjalë për financimin e lirë të buxhetit grek përmes kredive të reja. "Ne duhet ta kemi një herë në letër, atë që na kërkon qeveria greke. Varet nga përzgjedhja e saktë e fjalëve". Dhe për ato po punohet ndërkohë në Athinë. Nga ana tjetër vonesa e mëtejshme mund të jetë edhe pjesë e taktikës. Fundja ne nuk lejojmë që të na vihen ultimatume nga BE, theksoi kryeministri Cipras.

Ministri gjerman Wolfgang Schäuble
Ministri gjerman Wolfgang SchäubleFotografi: picture-alliance/AA/Dursun Aydemir

Në fund të shkurtit përfundon afati

Edhe qeveria greke është e vetëdijshme se koha nuk pret. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble e kishte bërë të qartë në raundin e dytë të bisedimeve të dështuara: "Më datën 28 në orën 24:00 përfundon afati, ist over!" Nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshja për programin e ndihmës, pagesat do të ndërpriten. Dhe kushtet e Eurogrupit janë të qarta: Greqia duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me trojkën, me përfaqësuesit e donatorëve, edhe nëse këta në të ardhmen do të quhen "institucione".

Athinës i duhet që edhe në të ardhmen më shumë të marrë se sa të japë. Qeveria Cipras nuk lejohet që t'i vërë në diskutim objektivat e reformës përmes masave të njëanshme, ndërkohë kryeministri Cipras ka njoftuar për të premten një paketë të re sociale në parlament. Dhe së fundi Greqia duhet të garantojë, se do t'i paguajë të gjitha borxhet.

Ky katalog përmban gjëra të papërtypshme për Athinën: Sidomos në lidhje me kontrollin dhe vazhdimin e reformave të parashikuara. E qartë është megjithatë se ministrat e Financave të Eurogrupit nuk do të mblidhen menjëherë në bazë të letrës nga ana greke. Fillimisht kërkesa do të shqyrtohet nga ekspertët. E diskutueshme si dhe më parë mbetet, nëse do të jepen edhe shifra dhe propozime konkrete, që arsyetojnë kreditë e metejshme për Greqinë. Sepse ankesa kryesore e ministrave deri tani ka qenë: Përveç formulimeve të mjegullta nuk kemi asgjë mbi tryezë. Vetëm kur Yanis Varoufakis të kryejë detyrën e tij si ministër i Financave dhe të ofrojë fakte dhe kushte konkrete, atëherë mund të vazhdohet të negociohet.