1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova nën ethet e debateve për qeverinë e re

Bekim Shehu15 Qershor 2014

Në Kosovë KQZ akoma nuk ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të tetë qershorit për t’i hapur rrugë konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë. Debatet akoma po vazhdojnë.

https://p.dw.com/p/1CHpn
Kuvendi i KosovësFotografi: DW/B. Shehu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë akoma nuk ka dhënë një datë të saktë se kur mund të çertifikojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të tetë qershorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se numërimi i votave për subjektet dhe kandidatët për deputetë ka përfunduar qysh në vendvotime. Ndërsa është edhe një kategori e votave duke u numëruar në qendrën e numërimit të rezultateve. “Siç e dini, numërimi i votave të subjekteve politike dhe kandidatëve është bërë në vendvotim, pas përfundimit të procesit të votimit, ashtu siç përcaktohet me ligj. Kurse, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve do të bëhet numërimi i votave me kusht, votave përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, thotë Valmir Elezi, duke mos saktësuar se kur KQZ do të mund të përfundojë procesin e numërimit në mënyrë që të çertifikojë rezultatin final.

Symbolbild Ministerpräsident Hashim Thaci nach Wahl im Kosovo 07.06.2016
Hashim ThaçFotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

PDK pretendon se asaj i takon formimi i qeverisë

E certifikimi i rezultatit do t'i hapte rrugë konstituimit të kuvendit të ri dhe rrjedhimisht edhe qeverisë së re të Kosovës. Ndërkohë debatet se kush do ta formojë qeverinë akoma po vazhdojnë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila doli fituese në zgjedhje vazhdon të këmbëngulë se vetëm ajo mund të formojë qeverinë. Në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se “mandatar i qeverisë së ardhshme është partia fituese e zgjedhjeve dhe koalicioni parazgjedhor prej Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit për Mision të Ri”, shkruan Thaçi.

Edhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se, qeveria e ardhshme do të duhet të formohet nga partia fituese ose në të kundërtën, sipas tij, do të vijë deri tek organizimi i zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.

"PDK-ja në këto zgjedhje do ta menaxhoj qeverinë, por nëse qeverisja e tillë nuk mund të bëhet, atëherë zgjidhja e dytë janë zgjedhjet. Por, po e them zgjedhjet nuk janë zgjidhja e parë", ka thënë Hajredin Kuçi.

Die Regierungskoalition in Kosovo steht fest 10.06.2014
Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe Fatmir LimajFotografi: DW/B. Shehu

Opozita hedh poshtë pretendimin e PDK fituese në zgjedhje

Ndërkohë, përfaqësuesit e tri partive politike opozitare Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë (AAK) e Kosovës dhe Nismës, të cilat nënshkruan marrëveshjen për formimin e një koalicioni qeverisës, thonë se ato kanë votat e mjaftueshme dhe ato do ta bëjnë qeverinë. Këto parti thonë se me vetë faktin se kanë pothuajse të siguruar shumicën në përbërjen e re të Kuvendit, atëherë besojnë se kanë edhe të drejtën kushtetuese të formojnë qeverinë e re të Kosovës. Analistët politik nga ana e tyre thonë se kriza në të cilën po hyn Kosova është tejet e rëndë, për faktin që kjo krizë tashmë mund të cilësohet jo vetëm krizë politike, por edhe kushtetuese."Krizat politike janë shumë lehtë të menaxhueshme, por krizat rreth kushtetutshmërisë së një procesi dhe të institucioneve nëse udhëhiqen gabimisht mund të shkaktojnë një situatë shumë të rëndë ", ka vlerësuar Naim Rashiti, nga Instituti për Politika Ballkanike.

Sidoqoftë, java e ardhshme, kur me gjasë pritet edhe çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të tetë qershorit, mund të jetë vendimtare se kush do ta formojë qeverinë e Kosovës. Përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë deri tani nuk janë përfshirë në debatet se kush duhet dhe mund ta formojë qeverinë e Kosovës.