1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë po mbahen mbahen zgjedhjet lokale

Bekim Shehu''
22 Tetor 2017

Zgjedhje organizohen në 38 komuna të Kosovës, përfshirë edhe ato në veri të vendit. Këto zgjedhje monitorohen nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

https://p.dw.com/p/2mJGR
West Balkan Länder - Kosovo
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Schrader

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se që nga ora shtatë janë hapur të gjitha 899 qendrat e votimit në të gjithë teritorin e Kosovës. Zgjedhje organizohen në 38 komuna të Kosovës dhe të drejtë votë kanë mbi 1.8 milion banorë të Kosovës. Në këtë proces zgjedhor do të votohet drejtpërdrejt për kryetarë të komunave dhe këshilltarë nëpër asambletë komunale. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, beson në mbarëvajtjen e procesit zgjedhorë sepse sipas saj, "ka koordinim edhe me mekanizmat e tjerë të Kosovës sic janë policia, prokuroria dhe komisioni për ankesa dhe parashtresa”.

"Bashkëpunimi ndërinstitucional edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur efektin e duhur dhe ne si KQZ jemi të kënaqur jashtëzakonisht me bashkëpunimin që kemi pasur në faza të ndryshme të procesit zgjedhor. Mbrojtja dhe promovimi i drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, është thelbi i angazhimit tonë të përbashkët edhe në këtë proces zgjedhor”, thotë Valdete Daka.

Sipas saj, ashtu sikurse edhe në zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje, KQZ, është kujdesur që personat të cilët dyshohen se kanë kryer vepra penale dhe kanë bërë shkelje zgjedhore të mos përfshihen në administratën zgjedhore.

Prokuroria e shtetit nga ana e saj tashmë ka caktuar 86 prokurorë që do të jenë të shpërndarë në të gjitha rajonet e Kosovës. Edhe policia thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat që procesi i zgjedhjeve të shkojë  pa probleme.

"Dëshiroj t'iu drejtohem të gjithë qytetarëve të vendit me kërkesën për ta që të jenë pranë zyrtarëve policorë në aspektin e motivit bashkëpunues në njërën anë dhe në anën tjetër të dihen plotësisht të lirë dhe të sigurt që të lajmërojnë apo të raportojnë çfarëdo parregullsie”, thotë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.

Zgjedhje edhe në Veri

Zgjedhje për kryetarë komunash dhe asamblistë komunalë  mbahen edhe  në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Javën që shkoi në disa komuna qëndruan zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë, në mesin e tyre Marko Gjuriq, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë,  dhe ai përkrahu hapur një subjekt politik, Listën "Srpska”. Kjo e ka shqetësuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili e ka dënuar sic thotë "ndërhyrjen e Serbisë në  fushatën zgjedhore  në Kosovë”.

"Aktet e tilla bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Mirëintegrimi i serbëve të Kosovës është interes reciprok, dhe çdo përpjekje për të dëmtuar këtë qëllim do të konsiderohet si mosrespektim i vullnetit politik të tyre. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin, dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, pa ndërhyrje, do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës”, thotë në reagimin e tij,  kryeministri Ramush Haradinaj.

Ngjashëm si edhe në proceset zgjedhore paraprake, edhe këto zgjedhje do të vëzhgohen nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë se KQZ, tashmë ka akredituar shumë vëzhgues.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje. Pastaj organizata joqeveritare vendore, institucione ndërkombëtare, përfaqësi diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës si dhe media vendore dhe ndërkombëtare. Për KQZ-në vëzhgimi i procesit zgjedhor është thelbësor”, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Një ndihmë teknike do të japë edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), ndihmë kjo e kufizuar në komunat veriore të Kosovës ku do të organizohen zgjedhjet lokale.