1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë ka shkelje të të drejtave të njeriut

Intervistën e zhvilloi Bekim Shehu10 Dhjetor 2008

Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari thotë se në Kosovë ka shkelje të të drejtave të njeriut. Fushat më problematike janë gjyqësia dhe shëndetësia.

https://p.dw.com/p/GDEk
Prishtina, 2008
Prishtina, 2008Fotografi: AP

Deutsche Welle: Zoti Jashari, cili është niveli i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë?

Hilmi Jashari: Ne kemi ngritur shqetësimet tona se niveli i mbrojtjes së përgjithshme të të drejtave të njeriut në Kosovë, nuk është në nivelin e kënaqshëm. Në krahasim me shtetet fqinjë dhe standarteve ndërkombëtare ne nuk jemi në nivelin më të mirë. Nga perspektiva jonë mund të themi se, Kosova nuk ka problem sa i përket miratimit apo aprovimit të këtyre standardeve në legjislacionin e vet, mirëpo si problematikë kyçe shtrohet çështja e zbatimit në terren të këtyre standarteve ose këtyre të drejtave.

Deutsche Welle: Zoti Jashari, në cilat fusha ka më shumë shkelje të të drejtave të njeriut, sipas raporteve tuaja dhe sipas të dhënave që ju posedoni?

Hilmi Jashari: Në bazë të numrit të rasteve të paraqitura tek ne dhe në bazë të një analize që është bërë, problemet më të mëdha janë paraqitur në funksionimin e sistemit të administratës, ose pushtetit. Në të dyja nivelet, në nivelin lokal dhe nivelin qendror. Mënjeherë më pas vijnë problemet që qytetarët e Kosovës kanë për të realizuar ndaj sistemit gjyqësor, d.m. th. kur sistemi i gjyqësorit dhe ai prokurorial janë në anën e faktorëve përgjegjës që qytetarët vazhdimisht kanë telashe. Dhe si fushë e tretë, kisha mundur të përmend çështjet që kanë të bëjnë me aspektet e pronës dhe diskriminimit.

Deutsche Welle: Zoti Jashari, ju përmendët diskriniminimin. Sa mund të thuhet se pakicat kombëtare në Kosovë janë të diskriminuara?

Hilmi Jashari: Jo në terma absolute kuptohet. Unë dua të përmend një fakt se shpeshherë kur flitet për diskriminimin, gjatë gjithë kohës nënkuptohet se bëhet fjalë vetëm për çështjet e pakicave kombëtare në Kosovë. Mirëpo, duhet përmendur faktin se në këtë pozicion janë të gjitha ato grupe, që janë në pozitë më të cënueshme dhe që kanë më pak fuqi ndikimi në shoqëri në tërësi. Këtu bëjnë pjesë edhe personat me aftësi të kufizuara, të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, personat të privuar lirie etj etj. Në këtë kuadër gjithsesi që bëjnë pjesë edhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Mirëpo, sa i përket minoritetit serb, është evidente që një pjesë e tyre kuptohet që kanë telashe në realizimin e të drejtave të tyre të përditshme, mirëpo ne si institucion i ombudspersonit, jemi marrë në vazhdimësi dhe vitin e kaluar më tepër se 30 për qind e ankesave që janë paarqitur në institucionin e ombudspersonit kanë qenë ankesa të paraqitura nga ana e komunitetit serb, që ka treguar në njëfarë mënure edhe besimin e lartë që kanë komunitetet në punën këtu.

Deutsche Welle: Zoti Jashari, pakicat kombëtare jo serbe disa herë janë deklaruar se ato ndjehen të diskriminuara në raport me pakicën kombëtare serbe , që do të thotë sipas tyre se serbët kanë shumë të drejta në Kosovë krahasuar me pakicat tjera kombëtare. Sa qëndron ky konstatim?

Hilmi Jashari: Është evidente kisha mundur të them. Sidomos komuniteti rom është në pozitë më të vështirë, jo vetëm sa i përket problemeve me përfaqësimin mirëpo edhe për shkak të aspekteve të traditës kulturore dhe në realizimin e stilit të jetës që bëhet. Janë në pozitë shumë delikate në krahasim me të gjitha komunitetet tjera dhe janë në pozitë shumë më të cënueshme sesa të gjithë të tjerët dhe janë në pozitë më të lëndueshme nga autoritetet publike. Dhe në njëfarë mënyrë neglizhohen në masën më të madhe, kisha me thënë. Është thjeshte rezultat ndoshat I iniciativave të organizatave joqeveritare ose nga ana e atyre organizatave që tregojnë interes të përkushtuar për të identifikuar dhe për të bërë publike problemet që kanë, ndryshe është shumë vështirë bile edhe të identifikohen në praktikë.