1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Greqi për herë të parë emigrantët zgjidhen deri në nivelin e këshilltarit bashkiak

6 Tetor 2010

Në fletëvotime përfshihen edhe kandidatë imigrantë, që shkojnë në zgjedhje pa elektoratin e ngushtë, pasi pak imigrantë u regjistruan për votimet. Në çdo bashki do të kenë tani edhe Këshillin për Integrimin e emigrantëve

https://p.dw.com/p/PWrW
Fotografi: dpa

Zgjedhjet e pushtetit lokal të 7 nëntorit do të kenë për herë të parë aromë imigracioni me të drejtën e votës, por edhe të zgjedhjes së tyre deri në nivelin e këshilltarit bashkiak. Andrea Mitro, i ardhur nga Vlora që në vitin 1991, kuzhinier në profesion, di ta nuhasë mirë këtë aromë në “menunë” e mbijetesës së imigracionit, por edhe të vetë demokracisë.

Problemet të diskutohen jo në kafene, por aty ku duhen

Albanische Migranten aus Griechenland
Emigrantë shqiptarë në GreqiFotografi: DW

“Është hera e parë që u zgjodhëm ne si kandidatë dhe që votojnë për herë të parë shqiptarët. Problemet e shqiptarëve dihen. Puna është që të mos shtrohen më nëpër kafene, rrugëve, siç janë diskutuar deri më sot, por të diskutohen aty ku duhet: nëpër bashki, nëpër zyra”, i thotë DW Andrea për kandidaturën e tij si këshilltar bashkiak në Bashkinë Agios Stefanos, një bashki me 1 në çdo katër banorë të saj imigrantë sipas një studimi të fundit. Andrea e di se vendimet e mira janë si gjellët e mira, që duan materialet dhe kohën e duhur. “Ne kemi bashkëpunuar dhe ata kanë qenë shumë të ngrohtë ndaj nesh. Kemi 3-4 vjet që bashkëpunojmë ngushtë me Bashkinë Agios Stefanos. Sidomos me Vorianë”, thotë Andrea për Panajotis Vorias, ish kryetarin e Bashkisë së Agios Stefanos dhe kandidatit aktual për kryetar të Bashkisë Dionisos, që me reformën e koduar “Kalikratis” përfshin tashmë 7 bashki dhe komuna.

Nuk ishte i rastit pra ky vendim i Voriasë për të përfshirë një imigrant në fletëvotim dhe as u bë për 60 votat e imigracionit, që ai i sheh ndërkohë si shumë të vlefshme. “Kjo do të thotë se Greqia hyn në rrugën ku ka hyrë e gjithë Evropa, do të thotë se nuk mund të ketë margjinalizim të asnjë qytetari”, thotë Vorias, i cili ndërkohë shpreh keqardhjen që “nuk funksionoi mundësia, që iu dha gjithë imigrantëve” dhe me frymë autokritike sheh përgjegjësi tek bashkitë dhe qeveria, që “kjo nismë nuk përftoi sëndërzim esencial”.

Albaner Ankunft in Griechenland 2004
Shqiptarë në GreqiFotografi: picture-alliance/ dpa

Ngritje e detyruar e Këshillit për integrimin e Imigrantëve në çdo bashki

Panajotis Vorias mund të konsiderohet si pararendës i një novacioni të pushtetit vendor, që tani parashikon ngritjen e detyruar në çdo bashki të një Këshilli për Integrimin e Imigrantëve. “Ne këtu e katër vjet kemi ngritur një këshill imigrantësh në bashki”, thotë Vorias. Nuk e fsheh kënaqësinë e tij që “imigrantët janë integruar në jetën e qytetit, fëmijët shkojnë në shkollë, prindërit e tyre janë përfshirë në programe mësimi të gjuhës greke dhe çdo imigrant është i lirë njëkohësisht të shfaqë identitetin e tij kulturor, gjë që tani do të bëhet në mënyrë më të organizuar”. Ai e di mirë rëndësinë e nenit 78 të reformës së pushtetit vendor për integrimin e imigrantëve në shoqëritë lokale. Këshillat e Integrimit të Imigrantëve do të përbëhen nga 5 deri në 11 vetë me anëtarë të tyre këshilltarë bashkiakë dhe përfaqësues të komuniteteve të imigracionit, por edhe enteve të tjera sociale me aktivitet të lidhur me imigracionin. Imigranti i zgjedhur si këshilltar emërohet detyrimisht anëtar i këshillit, i cili do të jetë organ konsulent i bashkisë, do të evidentojë problemet, do të ketë në kompetencë të tij kontaktet me autoritetet, do t'i drejtohet Këshillit Bashkiak për problemet dhe do të organizojë në bashkëpunim me bashkinë edhe aktivitete sensibilizimi të shoqërisë lokale për bashkëjetesën.

Neni 78 shërbeu si nxitje për të përfshirë imigrantë në fletëvotime

Autofreier Tag Europa Autofrei Umwelt Radfahrer Griechenland
Para parlamentit në AthinëFotografi: picture alliance/dpa

Edhe pse rreth 10.000 pritet të votojnë në gjithë Greqinë. “Zëri i shqiptarëve mund të dëgjohet dhe të dëgjohet për mirë dhe t'i japim popullit grek të kuptojë se mund të japim kontributin tonë dhe ne vendimet e këshillit bashkiak”, thotë Lekë Frroku nga Lezha, kandidat në bashkinë e Evosmos-Kordhelosë të Selanikut, qytet ku kandidojnë dhe dy bashkatdhetarë të tjerë të tij, Theodhori Miho për bashkinë dhe Ana Kapia për qarkun. “Une jam i sigurt se do te zgjidhem se jetoj këtu prej 21 vitesh, kam miqësi këtu dhe jam i lidhur dhe me shoqatat”, thotë Frroku, i larguar nga kufiri që në vitin 1989. Sot është përgjegjës në punishten e djathit “Artima”, ka dy fëmijë dhe shtëpinë e vet. Theodhori Miho i ardhur nga Senica e Sarandës në vitin 1997, periudhën e “luftës”, siç thotë, kandidon në Bashkinë e Stavrupolit me 170.000 banorë. Megjithëse ka mbështetjen e socialistëve, thotë se është “vetëm me partinë e imigracionit”. Ashtu si edhe Frroku duket se nuk e proekupon që votuesit imigrantë janë vetëm rreth 60 në zonën e tij. “Boll që në këto zgjedhje marrin pjesë edhe imigrantët shqiptarë, që do të kenë njeriun e tyre, që do të flasë shqip në bashki, njeriun e tyre, që mund të zgjidhë shumë më mirë problemet e tyre”, thotë Theodhoriu, që duket se nuk pajtohet me opinionin për mospjesëmarrjen e imigrantëve në zgjedhje si “ndëshkim” ndaj politikave për imigracionin. “Në çdo moment, që të jepet e drejta për të votuar, duhet rrëmbyer. Është vota, që do të na japë të drejtat në të ardhmen”, thotë edhe aktivistja e shquar e imigracionit shqiptar të Selanikut Valbona Hystuna, që do ta donte “shumë më shpejt këtë të drejtë”.

Mungesa e elektoratit të ngushtë për kandidatët imigrantë -18 nga 3.000 imigrantë shqiptarë votojnë në ishullin Lesbos, ku kandidon Bujar Agolli. Eshtë ndoshta edhe sprova më e bukur jo vetëm për kandidatët por edhe vetë demokracisë. “Iu theksoj dhe iu kujtoj se kandidatët imigrantë do të votohen nga grekët”, i thotë DW sekretari special i ministrisë së Brendshme për migracionin, Andreas Taqis. Vërtet, votat në favor të tyre do të jenë edhe indeksi më i qartë i integrimit real në shoqërinë vendase.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica