1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Evropë debatohet për zbardhjen e diktaturës komuniste në ish-bllokun lindor

Cöllen, Barbara 30 Nëntor 2007

Deri përpara tre vjetësh njerëzit nga ish-RDGJ ishin të vetmit qytetarë të BE-së, që vinin nga blloku lindor. Me vendet e reja antare nga Lindja është rritur numri i qytetarëve, që kanë përvoja të ngjashme.

https://p.dw.com/p/CVKn
Dosjet e Shtazit në ish-RDGJFotografi: Aida Cama

Në të gjitha vendet e ish-bllokut lindor kuadri ligjor dhe strukturat institucionale për zbardhjen e së kaluarës komuniste janë të ndryshme. Edhe gatishmëria e shoqërive dhe e medieve është e ndryshme në secilin vend të ri anëtar të BE-së, që vjen prej ish-bllokut lindor dhe nga Evropa Juglindore. Në kongresin e sivjetëm për të drejtën e medias në universitetin evropian të Viadrinës në Frankfurt mbi Oder u trajtuan këto ndryshime si dhe arësyet e tyre.
"Ne jemi ende në fillim të zbardhjes", tha në hapje të kongresit për të drejtën e medias Mariane Birtler (Birthler), e ngarkuara e qeverisë federale gjermane për dosjet e ish-sigurimit të shtetit në Republikën Demokratike Gjermanisë (RDGJ) shkurt shtazi, duke folur për stadin e përpunimit të diktaturës komuniste në Gjermani. Në këtë mënyrë ajo tërhoqi vëmendjen, se ka ende shumë punë përmbajtësore për të bërë në zbardhjen e së shkuarës komuniste. Njëkohësisht ajo iu kundërpërgjigj zërave, që pas 18 vjetësh duan ta mbyllin kapitullin e dosjeve të shtazit në arkivin federal: "Detyra jonë e zbardhjes nuk ka të bëjë vetëm me lindjen e vendit. Ne e konsiderojmë historinë e RDGJ-së si pjesë të historisë së përgjithshme gjermane dhe kemi interes të madh, që kjo të depërtojë në ndërgjegjen e opinionit."
Zbardhja e diktaturës së RDGJ-së ka nisur nga poshtë. Ishin qytetarët ata, që luftuan për krijimin e kësaj zyre për sigurimin e dosjeve të shtazit dhe për hapjen e plotë të tyre. Qytetarët themeluan një sërë iniciativash, projekte dhe institucione, që edhe sot vazhdojnë të trajtojnë temën e së kaluarës. Edhe këtë vit në Gjermani është rritur kërkesa për leximin e dosjeve.
Konstruktimin ligjor dhe institucional të zbardhjes së diktaturës së RDGJ-së e marrin si shembull edhe vendet e tjera të ish-bllokut lindor. Në Poloni zbardhja e së shkuarës komuniste ka avancuar shumë dhe madje është një hap më përpara se në Gjermani, thekson Pjotër Stavovi (Piotr Stawowy), drejtor i institutit të përkujtimit kombëtar në Varshavë. Ai ka kritikë ndaj zbardhjes së diktaturës në Gjermani: "Pasi në Gjermani dokumentat e shatzit u siguruan në mënyrë shmebullore nuk u ndërmorr asgjë tjetër më tej lidhur me përgjegjësinë personale të atyre, që kanë bashkëvepruar në sistemin totalitar. Kjo duhej bërë të paktën duke ua ndaluar këtyre personave aksesin në postet publike."
Formësimi i kushteteve juridike dhe institucionale për zbardhjen e diktaturës komuniste në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore po ecën më ngadalë. Veçoritë përcaktohen nga hisotira, thekson prifti Erhard Neubert, bashkëpunëtor prej vitesh në zyrën e së ngarkuarës së qeverisë gjermane për dosjet, Birtler. Duke iu referuar rastit të Rumanisë dhe Bullgarisë ai shpreh skepticizmin e tij: "Unë gjithmonë them, se zbardhja pasqyron në një farë mënyre revolucionin dhe kthesën në demokraci. Në disa vende të Evropës Juglindore nuk ka pasur revolucion të mirëfilltë, por ai ka qenë vetëm një inskenim i partisë si një përpjekje për vetëshpëtim. Si rjedhojë sot ndodh që ekzistojnë zyrat për dosjet por pa dosje dhe shërbimet e mëparshme të fshehta vazhdojnë të jenë sot shërbimet e reja. Unë jam skeptik, sepse në këtë rast nuk kemi të bëjmë thjeshtë me adaptimin e një ligji. Madje as nuk kemi të bëjmë me nevojën që të kemi personelin e duhur. E rëndësishme është që njerëzit ta duan lirinë dhe demokracinë."
Zbardhja e ish-diktaturave është e rëndësishme jo vetëm për forcimin e demokracisë, por edhe një kontribut për historinë evropiane, thekson Mariane Birtler: "Një identet mbarëevropian mund të zhvillohet vetëm nëse historia dhe përvojat e njerëzve në ish-vendet komuniste, do të vlerësohen me seriozitet dhe ato do të percpetohet si histori evropiane. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të ulemi vërtetë në tryezën e përbashkët të kombeve evropiane."
Në zbardhjen e së shkuarës komuniste duhet të vihet në qendër dimensioni evropian, sepse pikërisht këtu vendet e Evropës Juglindore shohin të ardhmen e tyre. Aktualisht në Evropë po zhvillohet një debat perëndimor dhe lindor, përmes të cilit synohet, që si Lindja edhe Perëndimi së bashku të zbardhin historinë e të dyja diktaturave.