Në aspektin ushtarak ky vend nuk mund të paqëtohet, por edhe pa ushtarët nuk mund t´i dilet
7 Prill 2009Në shtypin gjerman të së martës gjen jehonë vizita e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, në Afganistan
Gazeta "Lübecker Nachrichten" komenton: "Qeveria gjermane dhe NATO-ja në përgjithësi në Hindukush ndodhen në një qorrsokak. Parë thjesht në aspektin ushtarak ky vend nuk mund të paqëtohet, por edhe pa ushtarët nuk mund t´i dilet. Burimi i dikurshëm i shpresës Hamid Karsai me sa duket është më shumë pjesë e problemit afgan se sa zgjidhja. Merkel-i e ndëshkoi Karsain përpara vizitës duke i kushtuar atij vetëm një telefonatë për t´i shprehur kritikën lidhur me ligjin mbi marrëdhëniet bashkëshortore, që është disfavorizues për gruan. E përveç kësaj ajo nuk i kushtoi vëmendje atij."
Gazeta "Berliner Zeitung" shënon: "E rëndësishme është të theksojmë se vizita e Merkel-it nuk ishte më shumë veçse një gjest i bukur në adresë të ushtarëve. Kancelarja në Kundush dhe në Masar-i-Sharif ndoqi të njëjtën politikë simbolike si edhe më parë në samitin e NATO-s. Merkel-i brenda pak ditësh pati dy herë rastin të deklarojë se qeveria gjermane do të rrisë dukshëm numrin e trainerëve gjermanë për policinë afgane. Të dyja këto raste ajo nuk i shfrytëzoi. Kjo tregon se Afganistani të paktën deri në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Gjermani nuk mund të shpresojë më për ndihma të mëtejshme gjermane."
Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Angjelina Verbica