1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Muzikant dhe hero popullor: Mikis Teodorakis mbush 90 vjeç

Filmi kult "Aleksis Zorba" e bëri atë të famshëm. Mikis Teodorakis feston 90-vjetorin dhe është ende figurë e rëndësishme e jetës sociale dhe politike greke. Ai është ende aktiv kundër politikës së kursimeve të BE-së.

Edhe pse politikani dhe kompozitori grek Mikis Teodorakis është tërhequr prej kohësh nga jeta aktive muzikore dhe politika e ditës, ai mbetet në Greqi për muzikantët dhe politikanët një autoritet. Edhe kryeministri grek Alexis Tsipras, ishte për vizitë në shtëpinë e tij, pasi fitoi zgjedhjet në janar 2015. Theodorakis i dha atij bekimin me fjalët: "Unë jam me ty".

Teodorakis ngre zërin kundër politikës së kursimeve të BE-së

Pas shpërthimit të krizës së rëndë financiare në Greqi Teodorakis themeloi si shenjë proteste kundër masave të ashpra të kursimeve një lëvizje kundër nënshtrimit të Greqisë. "Ne jemi duke përjetuar një tragjedi kombëtare", u bëri thirrje ai bashkatdhetarëve të tij në vitin 2012 me një zë që i dridhej. "Pa asnjë arsye" grekët i kanë "manovruar në prag të humnerës" - thai ai.

Fakti që politikanët kërkojnë këshilla prej tij, nuk ka qenë gjithmonë kështu: si luftëtar i rezistencës gjatë epokës naziste dhe luftës civile greke pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe si luftëtar kundër diktaturës ushtarake të viteve 1967 dhe 1974, ai u internua, u burgos dhe torturua. Vetëm pas vitit 1974, ai u kthye në Greqinë demokratike, dhe u angazhua në politikë.

Sirtaki dhe Alexis Zorba

Shumë njerëz e lidhin emrin e Mikis Theodorakis me muzikën e famshme të filmit kult "Aleksis Zorba", i cili ka fituar tri çmime Oskar dhe e e bëri atë në vitin 1964 të famshëm në mbarë botën. Vallja Sirtaki konsiderohet prej jo-grekëve si mishërim i valles popullore greke, edhe pse hapat e saj u shpikën pikërisht për këtë film.

Por Mikis Theodorakis ka kompozuar shumë më tepër se muzikë tradicionale: mbi një mijë këngë, shumë simfoni, opera, muzikë dhome, baleti dhe filmi. E megjithatë, si figurë simbolike të luftës së të majtëve atë e bënë këngët e tij të thjeshta emocionale popullore që janë të rrënjosura në traditën greke dhe që ai i ka kompozuar sipas teksteve të poetëve të mëdhej të vendit të tij.

Luftëtar i rezistencës dhe revolucionar i kulturës

Mikis Theodorakis u lind më 29 korrik 1925 në ishullin Kios në detin Egje. Kompozimin e parë e bëri në moshën 13 vjeçare. Ai ëndërronte për një karrierë në muzikë dhe u regjistrua në Konservatorin e Athinës.

Por studimet e tij u ndërprenë shpejt: gjatë pushtimit të Greqisë nga trupat gjermane Teodorakis iu bashkua luftës së rezistencën kundër nazistëve. Në Luftën Civile greke 1946-1949, ai u bashkua me Frontin e majtë Popullor. Një revolucion të vërtetë kulturor Mikis Theodorakis bëri me muzikën e tij, duke kompozuar muzikën e teksteve kritike shoqërore të poetit Janis Ritsos për buzuk.

Kur erdhi në pushtet junta ushtarake në prill 1967 atë e arrestuan dhe në vitin 1970 e dëbuan nga vendi pas protestave ndërkombëtare të shumë artistëve si Dmitri Schostakovitsch, Leonard Bernstein, Arthur Miller dhe Harry Belafonte.

Pas përmbysjes së diktaturës në vitin 1974 ai u kthye në vendlindje ku konsiderohet si ikonë e lirisë, sepse me këngët e tij ai u fliste direkt zemrave të popullit.

Shumë këngëtare të mirënjohura greke kanë vënë në skenë këngët e tij, ndër to edhe Wicky Leandros, Nana Mouskouri dhe Maria Farantouri.

Mikis Theodorakis është në Greqi "zëri i popullit": Ai lufton vazhdimisht kundër autoritetit dhe padrejtësisë. Çdokush që luan një rol të rëndësishëm në vend, duhet të ketë folur një herë me të. Në Greqi nuk ka askënd që nuk e respekton atë - qoftë i madh apo i vogël, muzika e tij luhet në çdo kremtim sado të vogël të grekëve.