1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Muzikantët kundër dhunës së djathtë

Dhuna e ekstremistëve të djathtë kundër refugjatëve nxjerr tani në skenë edhe artistët. 24 grupe të njohura muzikore gjermane bëjnë thirrje për mbrojtjen e vazhdueshme të refugjatëve dhe strehimoreve të tyre.

Në fakt e bëj punën me qejf, thotë Joshi i fushatës Nuk kam aspak dëshirë për nazistët. Ai këshillon vullnetarisht të rinjtë, të cilët kundërshtojnë ekstremistët e djathtë. Por për momentin e qeshura i mbetet në buzë. I riu me flokë të bërë bjond, veshur me një bluzë të zezë, në të cilën shkruhet me shkronja të verdha "refugjatë mirësevini", thotë se është i tronditur nga vala e fundit e dhunës së eskremistëve të djathtë. Neonazistët marshojnë para shtëpive të refugjatëve, strehimoret e azilkërkuesve "thuajse çdo natë" digjen. Më shumë se 340 sulme ndaj vendstrehimeve të azilkërkuesve bëri të ditur Ministria e Brendshme vetëm gjatë këtij viti. "Mjaft më", thotë Joshi, "tani duhet të ndodhë diçka."

Të japim shembull

Kjo është arsyeja, përse shoqata Nuk kam aspak dëshirë për nazistët, së bashku me organizatën e refugjatëve Pro Asyl dhe muzikantë të njohur kanë bërë apel për mbrojtjen më të mirë të refugjatëve nga dhuna e djathtë. Nën titullin "Koha për të vepruar!" nënshkruesit kërkojnë një strehim dinjitoz të refugjatëve dhe më shumë mbështetje për njerëzit, që në kohën e tyre të lirë angazhohen deri në rraskapitje për refugjatët. Dhe për ata që "i dalin përballë neonazistëve, në marshimet e tyre kundër vendstrehimeve të refugjatëve", thotë Joshi. Me qëllim që të mos përsëritet ajo, që ndodhi para një kampi refugjatësh në Heidenau të Saksonisë.

Ekstremistë të djathtë demosntrojë në Haidenau të Saksonisë kundër refugjatëve

Ekstremistë të djathtë demosntrojë në Haidenau të Saksonisë kundër refugjatëve

Rok për refugjatët

Nënshkrues të apelit janë 24 grupe të njohura muzikore gjermane, ndër to die Toten Hosen, që angazhohen prej një kohe të gjatë kundër dhunës së djathtë. Të shtunën e kaluar, grupi luajti në Jamel, një qytet në Mecklenburg, i cili "është ndikuar sistematikisht nga neonazistët", e përshkruan situatën kitaristi Michael Breitkopf, i quajtur Breiti (djathtas në foto më sipër). Me pjesëmarrjen e tyre die Toten Hosen mbështetën çiftin e artistëve Lohmeyer, të cilët kundërshtojnë ekstremistët e djathtë dhe për këtë arsye janë ekspozuar ndaj armiqësive. Para pak kohe iu vu zjarri një kolibeje të vogël në oborrin e çiftit.

"Njerëzit, të cilët angazhohen për demokracinë, janë lënë vetëm shkelësit e ligjit nga skena e djathtë vazhdojnë të trajtohen meshumë kujdes", kritikon muzikanti. Në Gjermani ka gjithnjë e më shumë vende, ku "shteti praktikisht ka hequr dorë nga monopoli i tij mbi dhunën". Kjo duhet të ndryshojë urgjentisht. Një kërkesë nga apeli i drejtohet policisë: Ato duhet të ndalojnë personat e dhunshëm nga skena e djathtë dhe të mbrojnë në mënyrë konsekuente strehimoret e refugjatëve.

Koncert solidariteti i Toten Hosen në Jemal, majtas kitaristi Breiti

Koncert solidariteti i Toten Hosen në Jemal, majtas kitaristi Breiti

Jo vetëm çështje private

Fakti që kaq shumë vullnetarë ndihmojnë refugjatët, e impresionon Bernd Mesovic-in nga organizata Pro Asyl (majtas në fotografinë sipër). Kjo është "gjeniale", thotë zëvendësdrejtori i organizatës për refugjatë. Por shoqëria civile nuk mund të zëvendësojë atë, qëpolitika ka dështuar ta bëjë. Dhe sipas Pro Asyl janë shumë. Edhe pse ka qenë e parashikueshme që gjithnjë e më shumë refugjatë do të vinin në Gjermani, masat e nevojshme nuk janë marrë.

Për shembull për strehimin me çmime të përballueshme në qytetet e mëdha, si për vendasit ashtu edhe për refugjatët. "Ne kemi nevojë për një kthesë totale në politikën e ndërtimit të banesave sociale, përndryshe nuk do t'ia dalim dot." Sipas vlerësimit të tij 40 për qind e refugjatëve kanë nevojë edhe për përkujdesje terapeutike, këtu nevojitet "një mbështetje shumë e madhe". Të gjithë këtë nuk mund ta përballojmë vetëm vullnetarët, thotë Mesovic. "Ne kemi nevojë për një program, nga i cili politika të mos mund të largohet në asnjë moment."