1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mustafa - Vuçiq takim në Bruksel, Thaçi nuk shkon në Beograd

Dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit atje takohen sërish kryeministrat e Kosovës e Serbisë. Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq do të bisedojnë për energjinë dhe kodin telefonik të Kosovës.

Ansicht von Prishtina

Kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq do të bisedojnë për përparimet në realizimin e Marrëveshjes së Brukselit, të nënshkruar para dy vitesh, dhe do të shqyrtojnë hapat e tjerë që çojnë drejt normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi, thuhet në kumtesën e lëshuar nga kabineti i "lehtësueses" së dialogut, përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Frederika Mogherini. Takimi i fundit Mustafa - Vuçiq është mbajtur më 9 shkurt, kur u nënshkrua marrëveshja për organet juridike në veri të Kosovës.

Prioriteti kryesor i takimeve të ardhshme për qeverinë e Serbisë është krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Përfaqësuesit e listës "Srpska" në parlamentin e Kosovës, thonë se ata presin marrëveshje për këtë bashkësi të komunave dhe se ata janë të "gatshëm ta realizojnë marrëveshjen". Por duhen trajtuar edhe ngecjet në realizimin e marrëveshjeve dhe përgjegjësitë për mosrealizimin e tyre. Megjithatë në rend dite në takimin e tretë Mustafa - Vuçiq janë temat për energjetikën dhe kodin telefonik të Kosovës.

Bisedimet Vuçiq - Mustafa do të zhvillohen në kuadër të takimit të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ashtuquajturës "gjashtëshja ballkanike", të cilët kanë shkuar në Bruksel për të paraqitur planet e tyre infrastrukturore për këtë rajon. Ata do të kërkojnë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për realizimin e këtyre projekteve.

Qeveria e Beogradit i "mbetet besnike normalizimit" të raporteve

Përfaqësuesi i Serbisë në dialogun me Kosovën, Marko Gjuriq thotë se qeveria e Serbisë i mbetet "besnike realizimit të marrëveshjeve dhe normalizimit të raporteve Beograd - Prishtinë", duke shtuar se Marrëveshja e Brukselit paraqet themelin e ndryshimeve pozitive drejt një perspektive të raporteve më të mira mes të gjithë popujve në rajon. Gjuriq tha se "Serbia në mënyrë të denjë po i realizon të gjitha marrëveshjet nga dialogu në Bruksel". Ai shpreson se BE-ja do t'i kuptojë interesat e Serbisë dhe të serbëve në Kosovë. "Serbia është e përkushtuar që të realizohet çdo shkronjë e marrëveshjeve. Por kanë mbetur edhe disa kërcënime që e cënojnë realizimin e plotë", tha Gjuriq. Për ngecjet në realizimin e marrëveshjes ai fajëson palën kosovare, e cila po përpiqet që ta "manipulojë dialogun 'neutral' ndaj statusit të Kosovës."

Thaçi nuk shkon në Beograd

Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi nuk do të shkojë në vizitën e planifikuar në Beograd më 24 prill. Në një intervistë për Deutsche Wellen ditë më parë (17.04), ai tha se kjo vizitë, që do të duhej të realizohej me ftesën e një organizate joqeveritare, "do të jetë shans i mirë për një hap tjetër drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë". Por pala serbe ka bërë të ditur se në Serbi ende është në fuqi urdhërarresti ndaj Thaçit, i cili në Serbi është dënuar në mungesë në vitin 2007 me 10 vjet heqje lirie, nën akuzën për "terrorizëm". Zëvendësminsitri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi tha se ata ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare për këtë vizitë dhe se vizita varet nga kjo përgjigje. Por ndërkohë bëhet e ditur se edhe organizata "Omladinski Odbor za obrazovanje" (Këshilli Rinor për Arsim), ka bërë të ditur se në konferencën "Integrimet Evropiane të Ballkanit Perëndimor - së bashku mundemi më mirë", nuk do të jenë ministrat e jashtëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.