1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mustafa: Thaçi nuk ka autorizime të veçanta për lëshime Serbisë

Përvoja që kemi me Serbinë lë shumë pak vend që të shpresohet për një normalizim të shpejtë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kështu shprehet kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa në një intervistë dhënë Deutsche Welles.

DW: Me ndërmjetësimin e BE-së, Prishtina dhe Beogradi kanë vazhduar raundin e pestë të bisedimeve për normalizimin e marrdhënieve dypalëshe. Si e vlerësoni ju ecurinë e këtij procesi?

Isa Mustafa:"Ne konsiderojmë se është mirë që problemet që ne i kemi me fqinjtë dhe me Serbinë t'i zgjidhim përmes dialogut. Natyrisht që përcaktimi ynë si parti politike ka qenë dhe është që dialogu me Serbinë të zhvillohet në suaza të Kushtetutës së Repuplikës së Kosovës dhe sipas kornizave të cilat janë aprovuar me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo nënkupton që ne do t'i përmbahemi zgjidhjeve kushtetuese, do t'i përmbahemi sovranitetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe nuk duhet që rezultati i bisedave të ndryshojë organizimin e brendshëm kushtetues të vendit. Unë mendoj që zgjidhjet që janë arritur deri tani sa i përket menaxhimit të kufijve (edhe pse ato kanë qenë rezultat i bisedave të para teknike) janë të dobishme. Po ashtu konsideroj se do të jetë e dobishme çdo arritje e marrëveshjes për normalizmin e situatës në veri të vendit dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë por që të ndodhë kjo Serbia duhet të tregojë gatishmërinë e saj dhe po ashtu Bashkimi Evropian duhet të bëj presion mbi Serbinë që t'i tërheq forcat paramilitare sidomos ato të MUP-it të Serbisë dhe forcat e tjera të sigurisë që janë numerikisht shumë të mëdha të pranishme në veri të vendit. Kështu atje mund të fillojë normalizimi i situatës, të mbahen zgjedhjet e lira në komunat në veri dhe të integrohet popullata serbe sa më shpejt që të jetë e mundur ndërkaq detyrë e jona mbetet që ne të forcojmë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe sipas standardeve evropiane për serbët në veri të vendit. Po ashtu mendoj se është ide e mirë edhe formimi i fondit, i cili do të ndihmonte zhvillimin e kësaj pjese sepse ka pasë ngecje të zhvillimit ekonomik. Zhvillimi është në dobi të të gjithë qytetarëve ndërkohë që deri tani kanë përfituar vetëm një numër i ngushtë i individëve përmes kontrabandës dhe formave të tjera të sjelljes joligjore."

Zoti Mustafa, aty ku zhvillohen negociata duhet të ketë edhe lëshime. Sa është i autorizuar kryeministri Thaçi për të bërë lëshime të caktuara nëse ato kërkohen në Bruksel?

Isa Mustafa:"Autorizime të veçanta nuk ka as Thaçi e as qeveria, autorizimet mund t'i ketë vetëm parlamenti i Republikës së Kosovës sepse të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu kushtetuta e obligon zotin Thaçi, qeverinë dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë dialog që rezultatet të aprovohen përkatësisht të ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë unë mendoj se hapësira për të vepruar është mjaft e madhe për arsye se si Pakoja e Ahtisarit ashtu dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës lënë hapësirë të madhe që qytetarët atje t'i realizojnë të drejtat e tyre. Sidoqoftë të gjitha këto duhet të ratifikohen në Kuvend."

Ndërkohë që keni pasur edhe një takim në nivel presidentësh Ju a besoni në normalizmin e shpejtë të marrëdhënieve me Serbinë?

Isa Mustafa:"Po ne dëshirojmë që këto marrëdhënie të normalizohen sa më shpejt, por përvoja që ne e kemi me Serbinë mund të them që lë shumë pak vend që të shpresohet për një normalizim të shpejtë të tyre. Megjithatë me rëndësi është që ne të fillojmë ta trasojmë një rrugë të normalizimit të marrëdhënieve sepse serbët dijnë që shpesh të sillen ashtu sikur po i pranojnë standardet ndërkombëtare ndërsa në realitet të sillen ndryshe ashtu siç kanë vepruar edhe me marrëveshjet teknike. Prandaj nuk besoj se është diçka që mund të bëhet shpejt por mendoj se është një rrugë e nevojshme që ne përmes dialogut t'i zgjidhim këto probleme."

Sa jeni të kënaqur me punën e misionit EULEX në Kosovë?

Isa Mustafa:"Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK) e kemi dhënë përkrahjen tonë në Kuvend për zgjatjen e mandatit të EULEX-it. Ne kemi konsideruar se akoma kemi nevojë që drejtësia evropiane të vazhdojë të jetë në Kosovë në mënyrë që t'i zgjidhim disa prej problemeve të cilat është vështirë t'i zgjidhin organet vendore të drejtësisë. Natyrisht se vërejtje ka në funksionimin e e EULEX-it ashtu siç ka pasur edhe përpara vërejtje në funksionimin e organizatave ndërkombëtare që kanë qenë këtu në Kosovë. Është vështirë që një organizatë e jashtme të bëj drejtësi në vend sidomos kur nuk ka përgjegjësi të drejtpëdrejt ndaj atij vendi dhe individët nuk i përgjigjen ligjeve dhe rregullave të atij vendi. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që ne të aftësojmë organet tona në të ardhmen, gjyqësinë, prokurorinë dhe policinë, që ato në mënyrë të pavarur të kryejnë detyrën e tyre ndërkaq EULEX-i dhe organizatat tjera që janët ë pranishme këtu të jenë mbështetje dhe të ndihmojnë zbatimin e ligjshmërisë."

Zoti Mustafa kalojmë tani në një proces tjetër po ashtu shumë të rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme në vend: reformën zgjedhore. Deri ku keni arritur me këtë reformë?

Isa Mustafa:"Ne po punojmë edhe tani, i kemi arritur disa marrëveshje, unë mendoj se diku rreth 90 % e punës është përfunduar dhe na kanë mbetur edhe disa çështje që do t'i zgjidhim gjatë muajit mars. Në pyetje janë listat zgjedhore, se a do të jenë ato të hapura apo të mbyllura. Edhe këtu jemi afër një marrëveshje. Pastaj është në pyetje pragu zgjedhor për çfarë po ashtu mendoj se ekziston gatishmëria e partive politike për kompromis. Një çështje tjetër është përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për çfarë ne kemi biseduar dhe edhe pse ka opinione të ndryshme unë mendoj se mund ta gjejmë një zgjidhje e cila nuk do të pengonte rrugën rreth përfundimit të reformës zgjedhore."

Cilat janë zgjidhjet që preferoni ju si LDK?

Isa Mustafa:"Sa i përket listave ne preferojmë që të shkojmë me lista të hapura. Mirëpo shkuarja me lista të hapura nënkupton edhe kushtin që të tejkalohen problemet me të cilat ne jemi ballafaquar në zgjedhjet e fundit e kam fjalën për abuzimin që është bërë me listat e hapura. Po ashtu ne jemi për atë që pragu zgjedhor të jetë 5 % për parti politike, 2 % për individ ose kandidat të pavarur dhe të jetë 7 % për koalicione. Ndërsa sa i përket përbërjes së KQZ-së ne mendojmë që zgjidhja më e mirë është që ajo të jetë 50 % nga pozita, 50 % nga opozita ndërsa kryetari i KQZ-së të jetë nga organet e gjyqësisë si kandidat i pavarur i cili nuk do të mandatohet mbi bazën politike por mbi bazën profesioonale. Unë mendoj se ne në këtë çështje mund të lëshojmë pe secili nga pak në mënyrë që të gjindet një zgjidhje e cila do të procedohej në Kuvend, Kuvendi pastaj ta mandatojë ose Komisionin ekzistues ose një komision tjetër që të gjitha këto t'i normojë në një propozim të ligjit mbi zgjedhjet dhe të shkojmë sa më shpejtë në aprovimin e ligjit të ri në mënyrë që sa më shpejtë të shkojmë në zgjedhje të reja."

Një çështje tjetër që lidhet me zgjedhjet është çështja e marrëveshjes së kaluar për presidentin. A ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim?

Isa Mustafa: "Nuk ka zhvillime të reja. Ne si LDK dhe si pjesëmarrëse e marrëveshjes po insistojmë që marrëveshje të realizohet, të implementohet. Implemetimi i saj nënkupton gatishmërinë edhe të PDK-së, AKR-së dhe presidentes Jahjaga që të fillojnë ta aplikojnë atë në mënyrë që të shkojmë në shpalljen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta për presidentin dhe që presidenti i ardhshëm të vijë në bazë të votave të qytetarëve. Me këtë ne mendojmë se do të kemi një institucion stabilizues në vend i cili nuk do të varet nga zgjedhjet e tjera mirpo tani për tani nuk ka ndonjë gatishmëri që kjo marrëveshje të implementohet as nga presidentja, as nga PDK. Prandaj ne mbetemi që të insistojmë edhe më tutje dhe të presim që njerëzit, përkatësisht institucionet do të mësohen që t'i implementojnë marrëveshjet që ata i inicojnë por edhe i bëjnë vet."

Përndryshe?

Isa Mustafa:"Përndryshe themi mbetet një problem i cili do ta zbehë skenën politike në Kosovë sepse presidentja nuk e ka të themi mandatin e deputetëve tanë, nuk e ka mandatin e LDK-së, nuk e ka përkrahjen dhe kështu ajo nuk mund të përfaqësoj unitetin e popullit sepse nuk e përfaqëson unitetin e një marrëveshje politike, të cilën ne e kemi bërë dhe për të cilën ajo ka qenë e njoftuar dhe e ka pranuar këtë marrëveshje politike. Një president i vendit i cili nuk përfaqëson unitet është vështirë që në esencë të luajë rolin e presidentit të vendit".

Intervistën e zhvilloi: Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi