1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mustafa pritet në Berlin me ceremoni shtetërore

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa takohet të martën në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Berlini zyrtar ka organizuar pritje me ceremoni të larta shtetërore. Por edhe pritjet nga delegacioni i Kosovës janë të mëdha.

Kancelarja Angela Merkel pret sot (30.06) kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, me nderimet më të larta shtetërore. Ata të dy së bashku do të parakalojnë edhe para gardës së nderit, që organizohet për përfaqësuesit e shteteve. Takimi me delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga Mustafa, i cili fillon në mesditë, pritet të zgjatë rreth dy orë. Gjermania dhe Berlini zyrtar po përballen për momentin me një krizë shumë të rëndë financiare në Greqi. Por as kjo nuk ka ndikuar në shtyrjen, apo shkurtimin e takimit me delegacionin e Kosovës. Zëvendësja e zëdhënësit të Qeverisë, Christiane Wirtz, ka bërë të ditur se kancelarja pret që nga dora e parë të informohet për gjendjen në Kosovë dhe për ecurinë e dialogut me palën serbe. Në këtë takim do të bisedohet për raportet bilaterale dhe mundësinë e thellimit të marrëdhënieve, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në kumtesën zyrtare.

Nga delegacioni i Kosovës mësojmë se ata janë të interesuar për thellimin e raporteve bilaterale, afrimin e mëtutjeshëm me Berlinin dhe Bashkimin Evropian, si dhe për shtimin e investimeve gjermane në Kosovë. Shtimi i investimeve do të jetë një prej temave kryesore në takimet, që delegacioni i Kosovës do të ketë ditën e dytë me përfaqësuesit e landit të Baden- Würtenbergut, por edhe me përfaqësues të institucioneve gjermane në Berlin.

Vizita në Berlin menjëherë pas bisedimeve në Bruksel

Takimi në Berlin mbahet menjëherë pas bisedimeve në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të prira nga kryeministrat Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq. Në këto bisedime janë prekur disa nga çështjet më të rëndësishme për raportet mes Kosovës dhe Serbisë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe; çështja e energjetikës; telekomunikacioni dhe i ashtuquajturi "Parku i Paqës", mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Kryeministri Isa Mustafa ka deklarauar se nga vizita në Berlin pret thellimin e raporteve me këtë vend mik. Por pala kosovare do të ketë vështirësi të argumentojë mosthemelimin e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. "Pala kosovare është e hendikepuar me këtë vendim", deklaroi Mustafa për RTK.

Gjermania ka shtuar interesimin për Ballkanin Pertëndimor në disa vitet e fundit. Sinjalet e para shumë të qarta për domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve në këtë rajon janë dërguar gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, në gusht të vitit 2011. Interesimi i Gjermanisë dhe vendeve perëndimore për Ballkanin është shtuar në veçanti pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe mundësisë që Moska të shtrijë influencën e saj edhe në Ballkan. Vitin e kaluar, me iniciativën e kancelares Merkel është mbajtur edhe konferenca e Berlinit, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nesër në Berlin kancelarja pret delegacionin e Kosovës. Ndërsa së shpejti do të vizitojë edhe Shqipërinë, Serbinë e ndoshta edhe Bosnje-Hercegovinën. Gjatë këtyre vizitave Merkel do të ritheksojë domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, si një prej parakushteve për afrimin me Bashkimin Evropian. Por edhe zbatimin e reformave të domosdoshme në këto vende. Serbia shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Por pikërisht Gjermania është vendi, i cili më së shumti insiston që negociatat me Serbinë të fillojnë me kapitullin 35, i cili nënkupton normalizimin e plotë të raproteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pritet që në fund të dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, të nënshkruhet edhe një marrëveshje, e cila do të rregullonte raportet mes këtyre dy vendeve.