1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mustafa: LDK - jo koalicion me PDK, por me parti të tjera

Intervistë me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

DW: Zoti Mustafa, a jeni të përgatitur për të përballluar garën politike në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit? Çfarë i ofron LDK-ja qytetarit të Kosovës që ai të votojë për këtë parti?

Isa Mustafa: Unë jam i bindur që kemi një program shumë të avancuar, i cili në radhë të parë është i drejtuar nga zhvillimi ekonomik, sepse ka pasur një ngecje të madhe në këtë drejtim. Programi ynë është i orientuar në rritjen e punësimit, zvogëlimin e varfërisë, në reformat në arsim dhe në shëndetësi si dhe në forcimin e shtetit ligjor. Ne kemi një ofertë shumë konkrete për ndryshime rrënjësore në këto fusha për 4 vitet e ardhëshme dhe besojmë se qytetarët do t'na e japin votën ngase kjo qeveri për 6 vite e gjysëm nuk ka arritur të bëj realitet premtimet e saja. Gjatë kësaj qeverisje u ul rritja ekonomike nga 5 % në 2.5%, më përpara janë punësuar rret 15 mijë njerëz në vit, ndërkaq tani punësohen vetëm 6 mijë në vit. Kemi trende negative po ashtu edhe me bilancin tregtar me jashtë, për arsye se importojmë gjërat themelore në vend që të prodhojmë ushqime dhe produkte të tjera për të cilat ne kemi potenciale dhe resurse ekonomike.

DW: Zoti Mustafa deri tani keni qenë zë opozitar por sipas shumë mediave ju s'jeni kundër për të bashkëqeverisur me partinë që është në pushtet PDK. Sa e vërtetë është kjo dhe pse ju duhet një koalicion i tillë?

Mustafa: Jo. Ne jemi kundër që të bashkëqeverisim me Partinë Demokratike dhe mendoj se është PDK ajo që e dëshiron një kolaicion të tillë, sepse ajo tani ka frikë se do të jetë në opozitë. Ndërkaq ne do të zgjidhnim pas zgjedhjeve për një koalicion të mundshëm qeveritar nga partitë e tjera opozitare që kanë qenë deri tani. Mundësia tjetër është që të bëjmë koalicion edhe me ndonjë parti të vogël që ka qenë deri tani në bashkëqeverisje siç është AKR-ja. Ne mendojmë se Partia Demokratike me në krye Hashim Thaçin duhet të jetë në opozitë, për arsye se ne si LDK nuk mund të bëjmë ndryshime, në qoftë se do të vazhdonim të qeverisnim me këtë parti.

DW: Pra nuk do të ketë koalicion me PDK?

Mustafa: Nuk do të ketë koalicione me PDK.

DW: Tema që pothuajse është në fokus të fushatës së të gjitha partive është hapja e vendeve të punës. Secila parti premton hapje të vendeve të reja të punës në shifra nga më të ndryshmet. Ju përshembull pretendoni për 120 mijë vende pune të reja në katër vitet e ardhëshme, nëse i fitoni këto zgjedhje. Por si do të bëhet e mundur kjo, zoti Mustafa?

Mustafa: Ne llogarisim se të regjistruar pa punë dhe të evidentuar duhet të jenë mbi 360 mijë vetë, por ka dhe më shumë, sepse shumë janë të paregjistruar ose njerzit e kanë humbur shpresën e gjetjes së vendit të punës ndaj dhe nuk lajmërohen zyrtarisht. Ne premtojmë të punësojmë 120 mijë vetë vetëm në sektorin e bujqësisë, në të gjitha fushat e bujqësisë, ngase kemi një program edhe për subvencionimin e bujqëve, jo të pronarëve të tokave dhe pasurive bujqësore, por të prodhuesve bujqësorë, sepse ne do të subvencionojmë prodhimin dhe jo pronën. Kemi një program po ashtu të marrjes përsipër të qeverisë së normave të interesit për kreditë që marrin bujqit në mënyrë që ata të paguajnë vetëm bazën kreditore dhe jo interesat për kreditë dhe ti lehtësojmë punën e tyre. Kemi po ashtu të planifikuar që mjetet, të cilat janë përfituar nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore që janë në një vlerë rreth 150 milionë euro ti drejtojmë në zhvillimin e bujqësisë dhe sektorit të bujqësisë dhe me këtë ne llogarisim se mund të sigurojmë investime të përbashkëta publike edhe private të sektorit të bujqësisë për 4 vite në shumën e 1 miliard e 200 milionë eurove. Këtu përshihen edhe hapja e vendeve të reja pune sezonale meqënëse ne kemi dhe prodhim sezonal dhe që mundësojnë që familjet të jetojnë dhe të përmirësojnë standartin e tyre. Llogarisim po ashtu që mund të kemi punësim edhe në sektorët e tjerë siç janë sektori bankar, sektori i turizmit, sektorët e tjerë me vlerë të shtuar siç janë sektorët që janë të lidhur me teknologjinë informatike, sepse kemi mjaft të rinj që mund të lidhen me kompani të jashtme dhe të hapin kompani dhe forma të biznesit të vogël, të mesëm apo mikrobiznesi në Kosovë. Deri tani nuk ka pasur hapje shumë të madhe të vendeve të punës, sepse investimet direkte nga 600 milionë që ka qenë para 6 viteve kanë rënë në 250 milionë euro tani.

DW: Zoti Mustafa duke qenë kryetar i LDK a mendoni se ka ardhur koha që kjo parti tradicionalisht e “vjetër” të ushqehet dhe me gjak të ri? A janë të përfshirë rinia dhe shoqëria civile në qeverisjen e ardhëshme të partisë suaj nëse i fitoni këto zgjedhje?

Mustafa: Ne kemi pasur një ardhje të mirë të të rinjve në 4 vitet e fundit, jemi hapur shumë në nivel të degëve të Lidhjes Demokratike, madje disa degë që vërtet kanë qenë shumë të vjetra para 4 viteve tani janë rinuar shumë. Psh: në degën e Ferizajit, Gjilanit, në degën e Gjakovës kemi vërtet shumë të rinj që janë anëtarësuar në rradhët e partisë sonë. Ne jemi munduar që tani edhe në propozimet për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës të kemi njerëz të moshës së re që mbulojnë dhe profesione që janë të domosdoshme edhe për Kuvendin e Kosovës dhe të rinjve tu japim vend më të mirë në listë. Pra ne kemi bërë një shpërndarje ose një shtrirje më propocionale të listës që të jenë njerëzit e rinj aty dhe të marrin votën e qytetarëve.

DW: Zoti Mustafa, nëse ju pas 8 qershorit merrni në duar qeverisjen e ardhëshme të Kosovës çfarë roli do të ketë Gjermania, veçanërisht në aspektin politik dhe ekonomik, kur dihet që Kosova aspiron drejt Bashkimin Europian?

Mustafa: Unë nuk po ndaj vetëm mendimin tim, por është edhe mendimi i LDK se Gjermania do të ketë një rol kyç në zhvillimin e Kosovës në të gjitha këto fusha. Së pari nuk mund të mohohet kontributi i Gjermanisë në ndërtimin e pasluftës së Kosovës dhe ndihmat materiale dhe financiare që Gjermania i ka dhënë vendit tonë. Gjithashtu shumë nga njerëzit tanë jetojnë për një kohë të gjatë në Gjermani dhe ata tashmë me përvojën e tyre kanë investuar shumë në Kosovë, madje drejtojnë edhe biznese të ndryshme. Ne po ashtu kemi më tepër besim në ekonomin gjermane, në investimet gjermane në Kosovë dhe për këtë arsye synojme që ky bashkëpunim ekonomik të thellohet edhe më tej. Edhe në aspektin politik për ne Gjermania ka luajtur dhe luan një rol jashtëzakonisht të madh, jo vetëm se është një fuqi e madhe ekonomike, por edhe për shkak të standartit të lartë të demokracisë në këtë vend. Bashkëpunimi bilateral në shumë fusha vetëm na ndihmon që të plotësojmë më së miri të gjitha standartet e kërkuara nga Brukseli për të realizuar sa më shpejt integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

DW: Lidhur me marrëdhëniet me vendet fqinjë dhe veçanërisht me Beogradin, a do ta mbështesni dialogun e nisur dhe cili është vizioni juaj për një Ballkan të qetë dhe bashkëpunim të ndësjelltë?

Mustafa: Së pari përsa i përket Shqipërisë ne mendojmë se duhet ti hapim krejtësisht marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, të heqim kufizimet doganore apo kufizimet e tjera, të kemi një qarkullim të lirë të mallit, etjer. Ndërkaq me vendet e tjera Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën dëshirojmë të kemi marrëdhënie bazuar në parimin e reciprocitetit, pra jemi të interesuar që të kemi marrëdhënie të mira ekonomike, kulturore, politike. Natyrisht që me Serbinë kemi nevojë të punojmë më shumë sidomos me serbët që jetojnë në Kosovë në mënyrë që të bëjmë integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, tu kthejmë besimin në këto institucione që të shkojmë bashkarisht në integrimin e vendit në në Bashkimin Europian.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi