1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mushkonjat fluturojnë ende - Dekada kundër malaries pak e suksesshme

Në 108 vende të botës ekziston rreziku nga malaria. Sipas të dhënave të OBSH-së për luftimin e malaries për çdo vit nevojiten pesë miliardë dollarë. Por gjatë dhjetë viteve të fundit OBSH ka marrë vetëm 2,7 miliardë

Çdo 30 sekonda një fëmijë afrikan vdes nga malaria

Çdo 30 sekonda një fëmijë afrikan vdes nga malaria

Logoja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë

Logoja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë

Para dhjetë vitesh vendet anëtare të OKB-së u zotuan që deri në fund të vitit 2010 të përgjysmojnë numrin e të sëmurëve dhe të të vdekurëve nga malaria. Për këtë më shumë se 80 përqind e njerëzve në rajonet e prekura nga malaria duhej të furnizoheshin me rrjeta kundër mushkonjave dhe në raste urgjente edhe medikamente. E ashtuquajtura "dekada për eliminimin e malaries" përfundon këtë vit. Rezultati i trishtuar: shumica e vendeve nuk do të arrijnë këtë objektiv.

Mbrojtje e përballueshme në luftë kundër malaries

Mbrojtjen më efektive kundër përhapjes së malaries e ofrojnë rrjetat kundër mushkonjave. Ato duhet të shpërndahen në rajonet e prekura nga malarja, njerëzit duhet të flenë nën to. Në këtë mënyrë Organizata Botërore e Shëndetësisë dëshironte të pengonte përhapjen e malaries. Kjo për faktin se rrjetat nuk janë të shtrenjta ndërkohë që efektin e kanë shumë të madh.

Trevjeçarja Siama Marjan luan në Nairobi pas një rrjete kundër mushkonjave

Trevjeçarja Siama Marjan luan në Nairobi pas një rrjete kundër mushkonjave

Në treg ekzistojnë edhe rrjeta kundër mushkonjave të veshura me insekticidite të cilat qëndrojnë mesatarisht pesë vjet, sqaron Awa Marie Coll-Seck nga Programi kundër malarjes i OBSH-së. "Përmes këtyre rrjetave mund të pengohen deri në 25 për qind të rasteve të vdekjeve tek fëmijët nën moshën pesë vjeçare dhe më shumë se 50 për qind e rasteve të rënda me malarie", thotë ekspertja e OBSH-së. Në Etiopi përmes këtyre rrjetave ndërkohë janë arritur rezultate të mira: gjatë dy viteve atje janë shpërndarë 20 milionë rrjeta. Kështu numri i të sëmurëve me malarje ka rënë mbi 50 për qind.

25 prilli është dita ndërkombëtare kundër malaries

25 prilli është dita ndërkombëtare kundër malaries

Deri në vitin 2008 Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe anëtarët e saj kanë shpërndarë vetëm në Afrikë rreth 140 milionë rrjeta kundër mushkonjave. Kjo ishte pjesë e programit të aksionit në kuadër të "Dekadës për eliminimin e malaries". Për shembull në ishullin Zanzibar të Guineas më shumë se gjysma e shtëpive kanë rrjeta kundër mushkonjave. Kështu numri i të sëmurve nga malaria ka rënë mbi 50 për qind.

Bilanz i përzier i dekadës kundër malaries

Në 108 vende të ndryshme të botës ekziston rreziku nga malaria. Më së shumti e prekur është Afrika dhe vetëm nëntë vende në Afrikë kanë arritur të pakësojnë numrin e të sëmurëve dhe të vdekurve nga malaria. Shkaqet janë të ndryshme përse lufta kundër malarjes në këtë kontinet është posaçërisht e vështirë. Një prej tyre është mungesa e njohurive për sëmundjen dhe përdorimin korrekt të rrjetave kundër mushkonjave, sqaron Awa Maria Coll-Seck. Disa prej tyre për shembull rrjetat kundër mushkonjave i kanë përdorur për të zënë peshk. "Andaj ne nuk duhet vetëm të shpërndajmë rrjetet por edhe të zhvillojmë strategjitë e duhura në nivel komunal të cilat ndikojnë në mënyrën e sjelljes dhe mundësojnë komunikimin me njerëzit e atjeshëm", thotë ekspertja e OBSH-së.

Organizatat humanitare shpërndajnë medikamente në Kamboxha

Organizatat humanitare shpërndajnë medikamente në Kamboxha

Po ashtu kur flitet për furnizimin e pacientëve me medikamente kundër sëmundjes së malaries bilanci është i përzier. Edhe pse sot numri i pacientëve që furnizohen me medikamenet kundër malaries është më i madh se në vitin 2006 prapëseprapë pjesa më e madhe e popullatës ashtu si më parë vjen shumë vështirë deri tek medikamentet e nevojshme. Në 11 nga 13 vendet e vizituara në Afrikë më pak se 15 përqind e fëmijëve të sëmurë nën moshën pesë vjeçare kanë arritur të trajtohen me medikamente kundër malaries. Objektiv i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që kjo shkallë të arrijë në 80 për qind.

Megjithë angazhimet paratë mbeten një problem. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për çdo vit janë të nevojshme për luftimin e malaries pesë miliardë dollarë. Deri tani OBSH gjatë dhjetë viteve të fundit ka marrë për këtë qëllim vetëm 2,7 miliardë dollarë. Shumë prej vendeve nuk përmbushin premtimet e tyre, para së gjithash vendet e industrializuara pasi në këto ende malaria nuk përbën asnjë problem.

Autor: Asumpta Lattus / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi