1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

'Murtaja' e Asadit më e mirë se 'kolera' e Shtetit Islamik?

Për SHBA e Anglinë rrëzimi i avionit rus është vepër terroriste e Shtetit Islamik. Moska e kundërshton këtë variant. Për ekspertin Michael Lüders spekulimet janë pjesë e luftës për pushtet në Lindjen e Afërt.

Deutsche Welle: Zoti Lüders, Uashingtoni dhe Londra duken të sigurtë se në bordin e avionit të rrëzuar në gadishullin e Sinait mbi Egjipt ka pasur një bombë, dhe se bëhet fjalë për një akt terrorist të Shtetit Islamik. Si e shpjegoni që rusët janë të rezervuar?

Michael Lüders: Besoj se duhet pasur kujdes me fajësime në një moment të tillë të hershëm. Nuk dihet aspak kush fshihet pas rrëzimit të avionit. Secila palë që shprehet ka interesa të caktuara. Egjiptianët kanë interes që të mos krijohet përshtypja se Sinai ka një problem që mban emrin Shteti Islamik. Kjo do të thoshte që turizmi në këtë rajon të rrënohej tërësisht. Rusët nuk duan që trembet popullsia e tyre dhe të krijohet përshtypja se një avion i tyre u godit nga Shteti Islamik.

Tani bëhet fjalë për një bombë në bord, këtë e thonë amerikanët dhe britanikët. Edhe për këtë nuk ka prova, por nuk përjashtohet mundësia që në bordin e avionit në Sharm-el-Sheik të jetë futur një bombë, kriteret e sigurisë në aeroportet egjiptiane lenë shumë për të dëshiruar. Por duhet pasur shumë kujdes. Amerikanët dhe britanikët nxitojnë me të dhëna që t'u tregojnë rusëve se ky është çmimi për angazhimin në Siri.

DW: Të qëndrojmë këtu, a mos hodhën një hap të nxituar rusët me angazhimin e tyre ushtarak në Siri?

Michael Lüders: Angazhimi rus në Siri dhe atentati i mundshëm janë dy gjëra të ndryshme. Rusët ndjekin politikën e tyre për pushtet në Siri, duan që të mbijetojë regjimi i Asadit, sepse Siria, ashtu si Irani janë shtetet e vetme aleate të mbetura në botën arabe, si Rusia ashtu edhe Kina nuk kanë interes që Siria të bjerë në duart e perëndimit, por as që të pushtohet nga Shteti Islamik. Angazhimi rus kritikohet nga perëndimi, por rusët bëjnë po atë politikë pa asnjë skrupull ashtu si shtetet perëndimore, Turqia apo vendet e Gjirit që duan rrëzimin e regjimit. Çmimin e paguan populli sirian, sepse paqja në Siri është shumë e largët.

Michael Lüders Frankfurt am Main Porträt

Michael Lüders

DW: Po të lemë mënjanë mendimin për angazhimin rus, a nuk duhet të na trembë fakti që Shteti Islamik guxon të prekë edhe kundërshtarët “e mëdhenj”?

Michael Lüders: Për Shtetin Islamik nuk ka gjë më të dëshirueshme se një ndërhyrje ushtarake e trupave të huaja, mundësisht me trupa tokësore në Siri, Irak. Sigurisht ata që qëndrojnë pas Shtetit Islamik, e këta janë kryesisht ish-gjeneralë të regjimit të Sadam Huseinit se asnjë fuqi e huaj nuk e fiton dot një luftë guerrilase në Siri apo Irak. Pra po qe se një shtet perëndimor apo Rusia do të intervenojë me trupa tokësore, ky do të ishte ushqim për Shtetin Islamik. Ata do të inskenonin veten si luftëtarë kundër imperializmit.

DW: Nuk mjafton „një kundërshtar“ si Shteti Islamik për të lidhur një aleancë të rusëve, amerikanëve e europianëve?

Michael Lüders: Parimisht po, sepse ata kanë një armik të përbashkët. Amerikanët po iu afrohen rusëve tani e po kërkojnë së paku koordinimin e sulmeve ushtarake, por ka dallime shumë të rëndësishme mes tyre. Shtetet perëndimore duan nga njëra anë rrëzimin e Asadit, ndërsa rusët dhe kinezët duan të pengojnë pikërisht këtë. Logjika perëndimore deri më tani ka qenë: Të luftojmë si Shtetin Islamik po ashtu të shkaktojmë rrëzimin e regjimit sirian. Kjo strategji tashmë duket qartë se është një iluzion. Nga ana ushtarake kjo nuk arrihet. Edhe pse regjimi i Bashar al-Asadit është shumë i dobësuar, dhe nuk do mbijetonte dot pa ndihmën iraniane e ruse, ende ka mjaftueshëm sirianë, e kjo tejkalohet pak këtu tek ne, për të cilët një murtajë e regjimit të Asadit është më e mirë se kolera e Shtetit Islamik në Damask. Po pikërisht kjo do të ndodhte nëse ky regjim do të rrëzohej. Mos mendoni se pas kësaj menjëherë do të sundonte demokracia, liria dhe të drejtat e njeriut dhe se do vinte në pushtet një regjim i moderuar, siç mendojnë përkrahësit e një intervenimi ushtarak perëndimor në Siri.

Dr. Michael Lüders, studiues i botës islamike, politolog, publizist, konsulent i ekonomisë dhe politikës është zëvendëskryetar i Fondacionit Gjerman të Orientit dhe Shoqatës Gjermano-Arabe.