1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mursi sërish para gjyqit

aud/hc/ccp/AFP, AP, dpa20 Janar 2014

Prokurorët e Egjiptit kanë kërkuar që presidenti i shkarkuar islamik i vendit, Mohammed Mursi të dalë para gjyqit për fyerje të drejtësisë. Ai po përballet edhe me tri procese të tjera gjyqësore nën akuza të ndryshme.

https://p.dw.com/p/1AtUr
Pro-Mursi Protesta ne Kairo 04.11.2013
Fotografi: Khaled Desouki/AFP/Getty Images

Akuzat e reja kundër Mursit dhe 24 të akuzuarve të tjerë kanë të bëjnë me "mosrespektimin dhe shprehjen e urrejtjes për gjykatat dhe drejtësinë", në publik, në televizion ose në faqe të mediave sociale në tri vitet e shkuara, bënë të ditur mediet lokale dhe ato shtetërorë të dielën. Ky është hera e katërt për Mursin që del para gjyqit, që prej largimit të tij nga posti në korrik, me mbështetjen e ushtrisë, bëri të ditur agjencia e lajmeve MENA.

Gazeta e pavarur Al-Shorouk raportoi online që akuzat kundër Mursit pritet të bazohen në një fjalim që ai mbajti në qershor, ku ai kritikon rezultatet e proceseve gjyqësore lidhur me proceset e revolucionit të vitit 2011.

Akuzat kundër personave të tjerë, qofshin ata politikanë, personalitete të medieve, aktivistë dhe juristë në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me kritikat e tyre ndaj vendimeve të ndryshme të gjykatave, informoi Al-Shorouk. Nesë gjenden fajtorë, të akuzuarit i presin gjashtë muaj dënim me burgim, gjoba ose të dyja.

Referendumi solli kushtetutë të re

Akuzat me të cilat po përballet tashmë Mursi kanë të bëjnë me nxitje për vrasjen e demonstruesve në një protestë jashtë pallatit presidencial në dhjetor 2012, konspiracion me fuqi të huaja dhe organizim të arratisjes nga burgjet.

Largimi i Mursit nga posti në korrik u prit me protesta të stërzgjatura publike, të cilat u shtypën nga forcat e sigurisë. Më shumë se 1.000 vetë janë vrarë që kur ai është larguar nga posti.

Mursi i fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet e qershorit 2012, por u ndesh me një vit të parë të vështirë në post pas kryengritjes në Egjipt. Ushtria vendosi ta largojë nga posti, pas protestave të mëdha publiike kundër qeverisë së tij, më të mëdhatë e të cilave u mbajtën në kryeqytetin e vendit, Kairo.

Pas një referendumi dyditor javën e kaluar, autoritetet shpallën të shtunën se kushtetuta e re e Egjiptit u mbështet me 98.1 përqind të votave.