1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Mungon vullneti për mirëkuptim reciprok"- Shqipëria para zgjedhjeve

12 Prill 2011

Intervista eskluzive me Ambasadoren gjermane në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper

https://p.dw.com/p/10ru5

DW: Si e vlerësoni atmosferën elektorale në Shqipëri, zonja Ambasadore?

Carola Müller-Holtkemper: Të gjitha njoftimet dhe lajmet që ne kemi marrë kohët e fundit lidhur me fyerjet dhe shpifjet e ndryshme, të cilat janë duke u bërë mes forcave politike gjatë kësaj fushate elektorale janë të gjitha elementë që na shqetësojnë së tepërmi. Unë do të kisha dashur që kjo fushatë elektorale të mund të zhvillohet në mënyrë të ndershme dhe e bazuar mbi argumente.

DW: Partitë konkurente do të hyjnë në zgjedhje me të njëjtin Kod Zgjedhor si ai i votimeve të kaluara. Nga shkaku i krizës politike nuk u morën në shqyrtim një sërë propozimesh për ndryshim të Kodit nga OSBE/ODIHR-i, të bëra qysh në verën e vitit 2009. A përbën kjo një pengesë, apo cënim të kualitetit të votimeve në zgjedhjet e 8 majit?

Carola Müller-Holtkemper Deutsche Botschaft in Tirana
Carola Mueller Holtkemper Ambasadorja gjermane në ShqipëriFotografi: DW

Carola Müller-Holtkemper: Për fat të keq Kodi Zgjedhor nuk ishte e mundur të ndryshohej në momentin e duhur përpara këtyre zgjedhjeve lokale. Ndryshimin pas kësaj unë do ta konsideroja si të vonuar, pasi rregullat e lojës nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj. Megjithatë do të vlerësoja se Kodi Elektoral nuk është problemi kryesor në këtë konteks. Problemi kryesor është mungesa e vullnetit për të zhvilluar dialog dhe mungesa e vullnetit për mirëkuptim reciprok.

DW: Cila është pritmëria e Gjermanisë, e BE-së nga zhvillimi i këtyre zgjedhjeve?

Carola Müller-Holtkemper: Ajo që ne presim është në rradhë të parë zhvillimi i një fushate elektorale të ndershme dhe konkrete të bazuar mbi argumente. Më datën 8 maj 2011 do të dëshironim një pjesmarrje sa më të lartë në procesin e votimit dhe pas kësaj ajo që ne do të dëshironim të presim është fakti që numërimi i votave të bëhet sipas rregulloreve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe në mënyrë tejet transparente.

DW: Deri më tani, si pasojë e moszgjidhjes së krizës politike në rreth 2 vite, është e dukshme klima e acaruar dhe mosbesuese mes palëve. A mendoni se kjo do të jetë premisë për një kontestim të mundshëm paszgjedhor, siç dhe ka ndodhur rregullisht më parë nga humbësit?

Carola Müller-Holtkemper: Në një konteks spekullimesh të tilla unë nuk do të dëshiroja të behesha pjesë. Ajo që ne shpresojmë, sikur e përmenda dhe më lart, është zhvillimi i një fushate elektorale të ndershme, një ditë votimesh me sukses dhe një proces të numërimit të votave dhe gjithçka që vjen më pas tejet transparente.

DW: Nga listat që janë publikuar të kandidatëve për autoritetet vendore sërish ka pak femra, megjithë angazhimin e premtimin e forcave politike se kjo pjesëmarrje do te ishte më e gjerë na raport me zgjedhjet e kaluara. Si e vleresoni ju faktin që femrat në administratën e ardhshme lokale do të jenë në numër shumë të pakët?

Carola Müller-Holtkemper: Do të shprehja zhgënjimin tim në lidhje me faktin që në këtë proces zgjedhor merr pjesë një numër jashtëzakonisht i vogël i kandidateve femra në pozicionet e drejtimit të pushtetit lokal. Janë gjithsejt 17 femra të cilat kandidojnë për 384 vënde të tilla. Nisur nga këto shifra vihet re se kuotat që janë caktuar nga partitë për përfshirjen e femrave në këto procese nuk janë respektuar. Për këtë mosrespektim të kuotës 30 përqind shtabet e partive do të duhet të paguajnë një gjobë financiare, por realisht ky detyrim është minimal. Nga ana tjetër, unë jam e bindur që femrat duhet të luftojnë për të rifituar pozicionet e tyre brenda dhe jashtë partive pjesë e së cilës ato janë. Sigurisht nuk ka ndodhur ndonjëherë që dikush në mënyrë vullnetare të lëshojë pushtetin që ka në dorë. Por gratë duhet të luftojnë për këtë dhe duhet të kuptojnë më në fund se ato janë një faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike të një vendi.

DW: Zonja Müller-Holtkemper, a do të përfshihet Gjermania me vëzhgues të saj në këto zgjedhje, apo ata do të jenë pjese e ekipit të ODIHR-it, ose institucioneve të tjera ndërkombëtare?

Carola Müller-Holtkemper: Në ekipet e vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it janë disa gjermanë që do të marrin pjesë në to. Por përveç këtyre nuk do të ketë nga ata që do të përfshihen në ekipe të veçanta.

Intervistën e zhvilloi Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama