1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mungon uniteti kombëtar dhe analiza e sulmeve të Mumbait

India përkujton atentatet e Mumbait, të një viti më parë. Veç disa kritikave ndaj Pakistanit mungon një strategji kombëtare ndaj rrezikut latent.

Policia indiane pas atentateve në Mumbai, 28.10.2008

Policia indiane pas atentateve në Mumbai, 28.10.2008

Ishin ato 60 orë të hidhura, të cilat tronditën thellë Indinë në nëntor të vitit 2008. Plot 60 orë terroristët mbanin në metropolin financiar Mumbai qindra pengje. Më parë sulmuan shumë godina të rëndësishme në qytet. Më „26/11“, siç quhet në anglisht, u vranë rreth 160 njerëz, ndër ta edhe shumë të huaj. Shoku nga kjo ngjarje vazhdon të mbetet i thellë në Indi, ku shihet se sa vështirë e ka individi në luftën kundër terrorizmit.

Sulmet në Mumbai qëlluan m'u në zemër dhe në shpirt tërë kombin, sepse Mumbai shihet si një motor i modernes në Indi. Plot krenari ky qytet ka mbijetuar të gjitha katastrofat natyrore dhe dhunën me motive fetare, nga fillimi i viteteve 90-të. Paepshmëria dhe ndjenja e unitetit në kohërat e kërcënimeve më të mëdha janë dukuri, të cilat theksohen edhe sot në shumë raporte të mediave, një vit pas sulmeve në Mumbai. Psikiatri Sanjay Chugh mendon se vetëm qeveria mund t'ua kthejë njerëzve ndjenjën e sigurisë:

“Presioni psikologjik tek njerëzit mund të zvogëlohet vetëm nëse qeveria në Indi dëshmon se pas këtyre sulmeve ka ndërmarrë masat e duhura. Njerëzve u duhet bërë e qartë se janë ndërmarrë të gjitha masat që sulmet e tilla të mos përsëriten. Të gjitha vendimet dhe punët, që bëhen me dyer të mbyllura bëjnë që njerëzit të jetojnë me ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë për të ardhmen. Në veçanti frika është e pranishme në kohën e festave, kur njerëzit shkojnë në tregje apo mblidhen diku.“

Në rrafshin politik, partitë kryesore po grinden shumë në përvjetorin e sulmeve. Opozita e kritikon qeverinë e Kryeministrit Manmohan Singh për mosveprim. Shahid Siddiqui, sekretar i pëgjithshëm i Partisë Bahujan Samaj, pohon:

Stacioni i trenit Chhatrapati Shivaji, CST, më 18.11.2009, një vit pas sulmeve të Mombeit

Stacioni i trenit Chhatrapati Shivaji, CST, më 18.11.2009, një vit pas sulmeve të Mombeit

“Sulmet e Mumbait kanë dhënë një mësim. Që prej pavarësisë India nuk ka përjetuar një shok të tillë si atë të sulmeve të 26 nëntorit 2008. Tani duhet të tregohet se si duhet vepruar në raste të këtilla dhe cilat janë hapat e ndërmarrë. Qeveria e Indisë me siguri që ka marrë masa, por ato nuk mjaftojnë.“

Satyavat Chaturvedi, i Partisë së Kongresit, e cila është në pushtet, pohon se qeveria ka evituar çdo sulm tjetër terrorist, pas sulmeve në Mumbai. Ai kritikon Pakistanin fqinj, në territorin e të cilit janë planifikuar sulmet.

"Është për të të ardhur keq që nga Pakistani nuk kemi marrë asnjë ndihmë apo ofertë për bashkëpunim. Pakistani ka vepruar ashtu si edhe herët e tjera, duke e interpretuar realitetin ashtu si i përshtatet."

Eksperti i sigurisë, Uday Bhaskar nuk është i mendimit se duhen fajësuar të tjerët. Ai thekson mungesën e unitetit mes partive politike në Indi, të cilat përsa i përket sigurisë së vendit, duhet të veprojnë së bashku.

“Vetëm mendimet e hapura dhe puna në Parlament mund ta dëshmojnë forcën dhe vizionin e një kombi demokratik. Në veçanti kur bëhet fjalë për sigurinë e brendshme të vendit, Parlamenti duhet të zhvillojë debat të përhershëm 24 orë në ditë për javë të tëra. Vetëm kështu mund t'i gjejë zgjidhjet e duhura sistemi politik "

Frika dhe shpresa, pamundësia e individit, harresa apo përpunimi i së kaluarës. Dialogu apo konfrontimi me Pakistanin - janë këto dukuri që dëshmojnë se politika ka mbetur e përçarë në Indi një vit pas sulmeve të Mumbait. Për të arritur sukses, duhet të kapërcehen përçarjet.

Autor: Priya Esselborn/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 26.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Kh5x
  • Data 26.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Kh5x