1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mungojnë dëshmitarët

Në intervistë me Deutsche Wellen Imke Dirsen nga Amnesty International kritikon përpunimin e krimeve të luftës në Kosovë e Maqedoni. Amnesty International tani publikoi raportin e saj vjetor për vitin 2008.

Sekretarja e përgjithshme e seksionit gjerman të Amnesty International, Barbara Lochbihler, prezanton raportin për vitin 2008

Sekretarja e përgjithshme e seksionit gjerman të Amnesty International, Barbara Lochbihler, prezanton raportin për vitin 2008

Në raportin e saj të fundit, organizata botërore për të drejtat e njeriut, Amnesty International (ai) kritikon faktin që pjesa dërrmuese e krimeve të luftës në Ballkan kanë mbetur pa u sqaruar: "Si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë kemi më tej problemin që krimet e luftës vazhdojnë të mos dënohen dhe se organet përgjegjëse me sa duket nuk kanë dëshirë t'i sqarojnë ato raste", i tha Deutsche Welle-s Imke Dirsen (Dierssen), drejtoreshë e seksionit për Evropën dhe Azinë Qendrore.


Kështu për shembull në Kosovë: Në mbi 3000 raste rrëmbimesh ose zhdukjesh të sforcuara autorët kanë mbetur pa u dënuar, thuhet në raportin e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Të afërm të personave të zhdukur ankohen që i rimarrin në pyetje sa herë që ndërrohen kontingjentet policore të UNMIK-ut. Paditësit ankohen edhe për mungesën e personave të gatshëm për të dëshmuar. Dirsen kritikon në këtë pikë organet e OKB-së dhe i bën thirrje Eulex-it që këtij problemi t'i kushtojë një rëndësi më të madhe.


Gjendja e romëve e vështirë në të gjithë Ballkanin


Një problem tjetër është ai i gjendjes së pakicave, vë në dukje Dirsen: "Në Ballkanin perëndimor situata e romëve është shumë e vështirë, ne kemi përmendur gjendjen e tyre në Maqedoni e në Kosovë. Në të dyja vendet ky grup diskriminohet dhe pothuajse nuk kanë asnjë shans arsimimi. Romët në Kosovë veç kësaj janë edhe të kërcënuar nga sulme të mundshme që kanë motive etnike", thotë Dirsen më tej.


Në Shqipëri problemet përqendrohen kryesisht tek kushtet e paraburgimit: "Në vitin e kaluar në paraburgimin e Vlorës ishin mbajtur 92 persona në një dhomë, që mbante vetëm 46 të burgosur. Por edhe të miturit kanë qenë në një qeli me të rriturit. Kjo është shkelje ligjore, dhe e papranueshme nga standardet evropiane", kujton Dirsen.


Përparime në luftimin e dhunës në familje


Raporti nënvizon megjithatë një hap përpara në lidhje me problemin e dhunës në familje: qeveria shqiptare e ka miratuar ligjin përkatës që e klasifikon fenomenin në aktet penale. "Efekti i këtij ligji mbetet të shihet, ai ka mbi një vit që ka hyrë në fuqi dhe sigurisht që do të duhet ca kohë derisa masat e marra të tregojnë efekt, por ka pasur vendime të para pozitive, për shembull në korrik të vitit të kaluar, një gjykatë në Tiranë ka lëshuar një urdhëresë për mbrojtje dhe policia e Tiranës ka angazhuar një njësi policore enkas për t'u marrë me këtë çështje", thotë Dirsen.

Raporti i 2008ës dokumenton gjendjen e të drejtave të njeriut në 2007-ën. Ai bazohet kryesisht në vizita të delegacioneve të ai-së në terren, në raportet e organizatave të ndryshme për të drejtat e njeriut, kryesisht të përfaqësive të Komitetit të Helsinkit në secilin vend si dhe në publikimet e medias.

  • Data 28.05.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E7HR
  • Data 28.05.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E7HR