1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mungesa e shtatë anëtarëve të Gjykatës së Lartë në Shqipëri po pengon punën e këtij institucioni

Procedura e zëvëndësimit të tyre është shndërruar në objekt polemikash mes politikanëve dhe vetë juristëve

Perëndesha e Drejtësisë

Perëndesha e Drejtësisë

Thimio Kondi është emëruar në postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri në 7 qershor të vitit 1999 dhe pas disa ditësh i mbaron mandati në këtë post. Por si dhe ai janë dhe 6 anëtarë të kësaj Gjykate, gjë që e vështirëson aktivitetin normal të institucionit, në rast se nuk bëhen zëvëndësimet. Disa dekrete të presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë janë dërguar në parlament para një muaji, por procesi i diskutimit dhe votimit të tyre është i bllokuar.

Kondi: pengohet puna, ndaj sa më parë një mirëkuptim zëvëndësimet

Thimio Kondi, pak para largimit nga detyra nuk fsheh pakënaqësinë për acarimin e marrëdhënieve mes parlamentit dhe presidentit për zëvëndësimin e anëtarëve të Gjykatës, pasi kjo po bëhet pengesë për bllokimin e dosjeve që janë në shqyrtim.

"Dosje ka shumë dhe kjo pengon punën, por shpresoj që mes dy institucioneve të gjehet sa më parë një mirëkuptim për të bërë zëvëndësimet e shtatë vendeve vakant", deklaron Kondi.

Ministri Alibeaj: rotacioni në Gjykatën e Lartë nuk pengon punën

Por Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj mendon se rotacioni në Gjykatën e Lartë nuk pengon punën. "Njihet ligjërisht procesi i zëvëndësimit të atyre gjyqtarëve të cilëve ju mbaron mandati i ushtrimit të detyrës me ata që mandatohen rishtaz", thotë ministri duke argumentuar me faktin e periudhës kohore që i duhet një çështjeje të hetohet në këtë Gjykatë, periudhë që shkon në afër 1 vit, dhe duke lënë të nënkuptohet se vonesat aktuale të zëvëndësimit nuk përbëjnë problem.

Deputeti Ngjela: vonesa e emërimeve në Gjykatën e Lartë - përpjekje e kryeministrit për ta vënë nën kontroll këtë institucion

Por deputeti Spartak Ngjela e shikon vonesën e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, sic thotë ai, si një përpjekje e kryeministrit Sali Berisha për ta vënë nën kontroll këtë institucion. "Atij i duhet Gjykata për të shpëtuar Fatmir Mediun", thotë Ngjela duke shtuar se "çështja e ish-ministrit të mbrojtjes do të vijë në Gjykatën e Lartë dhe për këtë kryeministrit i duhet një pafajësi e dhunshme".

Opozita ndërkohë po kërkon që çështja e dekreteve të presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së lartë të diskutohet dhe votohet në parlament të hënën e ardhshme.

  • Data 04.06.2008
  • Autor Arben Muka/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EDOC
  • Data 04.06.2008
  • Autor Arben Muka/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EDOC