1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mungesë dëshire për zhvillim zgjedhjesh

Pas rrëzimit të qeverisë Prodi në janar të këtij viti italianët gjenden sërish para votimit. Këtë të dielë dhe të hënë nuk do të zgjidhet vetëm qeveria e re. Do të vendoset edhe për shpërndarjen e vendeve në senat.

Italia para zgjedhjeve

Italia para zgjedhjeve

Fushata zgjedhore ka nisur tashmë, por italianët nuk duken aq të interesuar. Mbi 30 për qind janë ende të pavendosur. Ekspertët presin një pjesëmarrje të ulët në zgjedhje. Besimin tek politika e ka dobësuar ndër të tjera skandali i plehrave në Napoli. Në Itali fushatat zgjedhore të partive të ndryshme kanë arritur kulmin. Ish-kryebashkiaku i Romës Walter Veltroni e ka bërë program luftën kundër mafiës. Silvio Berlusconi synon të shmangë shitjen linjës ajrore italiane Alitalia francezëve.

Silvio Berlusconi , Qendra e Djathtë

Silvio Berlusconi , Qendra e Djathtë

Me gjithë praninë e vazhdueshme televizive të kandidatëve shumë italianë mbeten të pasigurtë, shpjegon Piero Rocchini. Psikiatri punon si këshilltar në dhomën e deputetëve. Në klinikën e tij hyjnë e dalin si politikanë ashtu edhe zgjedhës. 'Besoj se këta 30 për qind italianë të pasigurtë nuk luhaten midis partive. Ata nuk janë të sigurtë, nëse do të ketë vërtet zgjedhje ose ndryshime. Pasi në sajë të ligjit tonë zgjedhor aktual zgjedhësit nuk mund t'i zgjedhin vërtet direkt politikanët. Ata mund të miratojnë vetëm një kastë që ekziston tashmë."

Walter Verltroni, Qendra e Majtë

Walter Verltroni, Qendra e Majtë

Ligji zgjedhor aktual nuk i lejon zgjedhësit t'i zgjedhin direkt kandidatët. Koalicioni partiak më i fortë merr një bonus mandatesh, i cili i siguron atij 340 prej 630 vendeve të parlamentit. Sipas një skeme të ngjashme kryhet në rrafshin rajonal zgjedhja e 315 anëtarëve të senatit. Partitë vendosin më pas për listën e kandidatëve. Fajin për lodhjen zgjedhore të italianëve nuk e ka vetëm reforma e pakryer e ligjit zgjedhor, por edhe mungesa e risive. Programet partiake ngjajnë me njëri-tjetrin dhe nuk ka kurrfarë interesi serioz për t'i përfshirë shtetasit, thotë Rocchini. Senatori Nicola La Torre i partisë së sapoformuar të qendrës së majtë Partito Democratico gjykon ndryshe: 'Ne duam ta ndryshojmë këtë sjellje të politikanëve dhe t'u prezantojmë zgjedhësve një novacion të vërtetë. Partito Democratico është një parti me një program të qartë. Nuk është aleancë që përpiqet t'ua gjejë kararin partive të ndryshme anëtare. Në këtë mënyrë mund t'i mbajë premtimet e saj zgjedhore, sepse paraqitet si parti e vetme në qeveri.'

Laura Garavini Partitio Democratico (PD) kandidon për deputete

Laura Garavini Partitio Democratico (PD) kandidon për deputete

Për shumë shtetas kjo do të ishte një zgjidhje e pastër, por në realitet gjërat duken ndryshe. Politikanët bien gjithnjë e më shumë në klientelizëm Aktualisht sundon një kastë, pjesëtarët e së cilës ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin, thotë Piergiorgio Benvenuti. Por kjo i lë në sy të keq politikanët e ndershëm shpjegon kandidati për senatin i partisë së themeluar rishtas të Berlusconit Popolo della Libertà (PdL):

'Kasta më e keqe është ajo e të dashurve të politikanëve, e sekretarëve të partive. Ata nuk janë të përshtatshëm dhe hedhin dritë të keqe mbi politikanët e vërtetë. Një politikan i vërtetë duhet të ketë mbledhur përvojë në politikë, jo në televizion, talk-shows. Politikanët e vërtetë duhet të fillojnë nga poshtë: në komunë, provincë, rajon.

  • Data 11.04.2008
  • Autor Alexandra Barone / Romë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dg7r
  • Data 11.04.2008
  • Autor Alexandra Barone / Romë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dg7r