1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mundësitë e humbura në Tunizi

Vrasja me gjakftohtësi e politikanit të opozitës Belaïd Chokri, ka thelluar polarizimin në Tunizi. Por pa përfundimin e betejave nuk mund të ketë sukses procesi i tranzicionit demokratik, mendon Loay Mudhoon.

Tunizia në fakt, si vendlindja e rebelimit arab, zotëron kushtet më të mira nga të gjitha vendet postrevolucionare arabe për një rrugë të suksesshme drejt demokracisë dhe shtetit ligjor. Kjo për faktin se vendi i vogël në mes të Afrikës Veriore ka një shoqëri civile relativisht të fortë, një lëvizje të grave të sigurt në vete, një sistem të mirë arsimor dhe një administratë tejet funksionale. Po ashtu deri më tani ushtria nuk është shfaqur pothuajse fare si një faktor politik.

Ndryshimi filloi si shumë premtues pas përfundimit të diktaturës së Ben Alisë - dhe me një afat kohor të qartë: pas zgjedhjeve të para demokratike për Asamblenë Kushtetuese në historinë e vendit më 24 Tetor 2011, fituesit e zgjedhjeve u pajtuan çuditërisht shpejt për të formuar një qeveri koalicioni dhe ndarjen e posteve më të rëndësishme shtetërore. Koalicioni i Trojkës i përbërë nga islamistët e moderuar të partisë Ennahda, Partia Socialiste CPR (Kongresi për Republikën), dhe Partia Socialdemokratike Ettakatol, demonstroi vullnetin e tij për të bashkëpunuar. Demokratizimi i Tunizisë dukej se ishte në rrugën e duhur.

Në foto, Loay Mudhoon

Në foto, Loay Mudhoon

Stagnim në procesin e transformimit

Por të paktën që nga tetori i vitit 2012, politika ndodhet në një krizë të rëndë të legjitimitetit. Tunizianët janë ende në pritje të një kushtetute të paralajmëruar në këtë kohë. Në vend të kësaj, thellohet gjithnjë e më shumë polarizimi shoqëror dhe politik, si dhe degradon në mënyrë të konsiderueshme gatishmëria e palëve për të punuar në mënyrë konstruktive.

Për më tepër, protestat e dhunshme të selafistëve militantë në shtator të vitit të kaluar, kundër të ashtuquajturit film kundër Pejgamerit Muhamed, tregoi shumë qartë se qeveria tuniziane është shumë e dobët për të zbatuar ligjin dhe drejtësinë. Sidomos partia islamike Ennahda siç duket kishte frikë për t'u përballur me ndikimin e dalë jashtë kontrollit të predikuesve të urrejtjes selafistë dhe protestuesve të dhunshëm. Si një forcë dominuese në koalicionin qeveritar ajo i ka pasur në dispozicion mjetet e nevojshme politike për ta bërë këtë.

Dhe kështu që nuk është çudi që thirrja për mbrojtje policore e liderit të opozitës të vrarë dhe kritikut të ashpër të qeverisë Chokri Belaïd ra në vesh të shurdhër në ministritë përkatëse edhe pse dihej që predikuesit radikalë kishin bërë thirrje disa herë për vrasjen e tij.

Dialog politik në vend të betejave në rrugë

Sigurisht që ishte iluzion të besohet se trashëgimia e rëndë e diktaturës do të mund të tejkalohet pa një konfrontim të ashpër të brendshëm shoqëror. Mungesa e kulturës demokratike në shtetet arabe të përfshira në trazira është e qartë.

Kështu që është pritur që islamistët dhe sekularistët pas eliminimit të diktaturës, armikut të tyre të përbashkët, do të zhyten në beteja ideologjike kundër njëri tjetrit. Megjithatë kjo luftë mes kulturave është e domosdoshme për identitetin dhe orientimin e shoqërive arabe, pas një gjysmë shekulli të sundimit autoritar. Këtu bëhet fjalë për asgjë më pak se për një kuptim të ri të shtetit dhe një kontratë të re shoqërore. Se këto çështje mund të negociohen për herë të parë lirisht, pa dyshim që është një meritë e Pranverës Arabe.

Për shkak se tani kanë kaluar përfundimisht kohërat e autokracisë autoritare në botën e re arabe, asnjë forcë politike nuk do të mund të çojë e vetme Tunizinë përpara. Prandaj dialogu kombëtar mbetet e vetmja rrugë për të dalur nga kjo vetëbllokadë ideologjike. Një qeveri teknokratësh do të ishte hapi i parë logjik për tejkalimin e krizës politike.