1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mundësi votimi për të gjithë - Shabllone speciale për të verbërit

Në Tiranë dhe rrethe të Shqipërisë ka nisur një proces trajnimi për përdorimin e shablloneve të vecanta votuese për të verbrit dhe qytetarë me shikim të kufizuar.

default

Shanse te barabarta për të gjithë

Në Shqipëri Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si dhe subjektet politike opozitare janë angazhuar në një fushatë sensibilizimi për t´i bërë thirrje qytetarëve të votojnë. Madje për rreth 10 mijë qytetarë me të drejtë vote do të ketë procedura më të vecanta në datën 28 qershor. Eshtë fjala për ata me statusin e personave të verbër ose me shikim të kufizuar.

Në një nen të kodit elektoral është sanksionur se të verbërit kanë të drejtë të votojnë me pajisje të posaçme. Kjo ju jep atyre mundësine e një votimi të fshehtë dhe të pavarur. Shoqata e të verbërve në Shqipëri përllogarit rreth 10 mijë anëtarë me të drejtë vote. Strukturat e saj janë angazhuar për ta shfrytëzuar të drejtën demokratike që ju garanton ligji, pavarësisht vështirësive dhe kufizimeve nga gjëndja e tyre fizike. Shoqata aktualisht është duke bashkëpunuar me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për të siguruar shabllonet e posaçme që u mundësojnë atyre votim normal në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Të verbërit nuk kanë akses normal për informim

Dr. Sinan Tafaj, kryetar i shoqatës, thotë për DW-në se paraprakisht ata kanë punuar që cdo anëtar të njihet me aktet ligjore dhe nënligjore të procesit zgjedhor. Thënë më thjeshtë se si do të votojnë. Gjithashtu sapo janë bërë publike subjektet politike të rregjistruara dhe listat e kandidatëve të tyre - këto i janë bërë të dituara përfaqësueve të shoqatës. Nëpërmjet prezantimit të tyre në modelet brail (leximi pikësor), me reliev (pamjet grafike e fotot), me shkrim të zmadhuar apo në variantin audio.

"Të verbërit nuk kanë akses normal për informim. Ka gjëra që nuk i lexojnë dot. Nuk i shikojnë dot. Duan të njihen p.sh me ndryshimet ligjore. Cfarë ka ndryshuar në kodin elektoral. Cfarë ka ndryshuar në strukturën e fletës së votimit. Dhe këtë fletë votimi ne do ta ndërtojmë sipas kodeve tona të njohura të leximit. Pra të verbërit do të kenë mundësi që të njihen me emrat e kandidatëve dhe të subjekteve konkuruese. Gjithashtu dhe komente që do t´u bëhen nga ekspertët tanë ligjorë, si dhe do të kenë dhe broshurat përkatëse të OSBE-së".

Shabllone të posaçme për të verbërit - domosdoshmëri

Leonard Olli zëdhënës në KQZ thotë për DW-në se duke respektuar ligjin cdo qëndër votimi do të pajiset në ditën e zgjedhjeve me një shabllon të posaçëm që do të përdoret nga personat e verbër. Përgatitja e tyre bëhet nga një kompani e specializuar private. Kopje nga modeli do t´i jepen paraprakisht shoqatës për të trajnuar anëtarët me procedurën konkrete të votimit me standarte.

Kjo është e domosdoshme shprehet Dr. Tafaj nga shoqata e të verbërve. "Pasi ka ndryshuar fleta e votimit për këto zgjedhje. Tani ajo është më e madhe. Cdo antar i yni do të ketë udhëzimin përkatës se si përdoret shablloni. Trajnerët lokalë do t´u shkojnë dhe në banesa atyre që kanë mundësi të kufizuara lëvizjeje".

Shoqata e të verbërve në këto zgjedhje konsideron si risi dhe faktin se anëtarët e saj nuk do të jenë vetëm votues. Por ata kanë dhe një përfaqësues të tyre në listën e kandidatëve. Shoqata e të verbërve është pjesë e Këshillit kombëtar të personave me aftësi të kufizuara. Njëri prej drejtuesve të këshillit me mbështetjen e kësaj kategorie të qytetarëve ka marrë mbështetjen për të kandiduar si i pavarur në qarkun e Tiranës. Kjo sipas dr. Tafajt është një përpjekje për të patur përfaqësues në rradhët e ligjvënësve. "Për më shumë vëmendje dhe angazhim konkret të shtetit e mbarë shoqërisë ndaj njerëzve me aftësi të kufizuar".

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Sonila Harasani

  • Data 13.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I8dz
  • Data 13.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I8dz