1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mujota: Në procesin e krijimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës të gjithë kandidatët do të jenë të barabartë

Ka dy javë që kryeministri i Kosovës ka emëruar deputetin e PDK-së, Fehmi Mujota për ministër të Forcave të Sigurisë së Kosovës. 45 vjeçari Mujota do të drejtojë ministrinë e cila është përgjegjëse për ngritjen e FSK-ës

Pllakat në Mitrovicë me mbishkrimin Free Kosova

Pllakat në Mitrovicë me mbishkrimin "Free Kosova"

Për të mësuar më shumë për detyrat, sfidat dhe prioritetet e kësaj ministrie në mikrofonin e Deutsche Welles ftuam zotin Mujota dhe fillimisht e pyetëm se deri ku është arritur me konsolidimin e strukturave të nevojshme të Ministrise së Forcës së Sigurisë?

Mujota: "Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është një ministri e re e cila fillon nga e para dhe natyrisht që don një kohë të konsolidimit të strukturave të saj. Për momentin jemi mirë me hapat e parë të konsolidimit me stafin politik natyrisht dhe para së gjithash do të thoja që kemi pas një fillim të shkëlqyeshëm të kontakteve me të gjitha strukturat politike të vendit përfshirë dhe ato ndërkombëtare sikurse edhe kontaktet të shpeshta dhe të frytshme me të gjitha strukturat e NATO-s dhe KFOR-it".

DW: Me siguri që ju deri tani keni arritur të caktoni prioritetet e punës të ministrisë suaj - cilat janë ato?

Mujota: "Ministria e Forcës së Sigurisë për prioritet të vetin fillimisht ka konsolidimin sipas kushtetutës dhe ligjeve që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, marrjen e të gjitha përgjegjësive të kontrollit cvivil dhe administrativ të përgjithshëm mbi forcën e sigurisë dhe natyrisht që jemi të përqëndruar në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në procesin e shpërbërjes së Trupës Mbrojtëse të Kosovës përkatësisht në të gjithë këtë tranzicion të nevojshëm në afatet kushtetuese të përcaktuara edhe me ligj".

Logoja e NATO-s

Logoja e NATO-s

DW: Siç duket transformimi i TMK-së në FSK që sapo e përmendet do të jetë dhe sfida kryesore e ministrisë që drejtoni. Zoti ministër çfarë do të ndodh me ata që nuk do të arrijnë që nga TMK-ja të kalojnë në FSK kur dihet që ligji për pensionimin e parakohshëm të tyre nuk është miratuar ende në parlament?

Mujota: "Do u bëja një korigjim të vogël por që është thelbësor për publikun dhe mbi bazën kushtetuese dhe ligjore quhet ndryshe, të mos e përdorim fjalën transformim të TMK-së, këtu bëhetë fjalë për shpërbërjen e TMK-së sipas kushtetutës dhe ligjit dhe natyrisht para se të filloj shpërbërja e TMK-së do të filloj ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përgjegjësia e parë e MFSK është në krijimin e FSK-së ndërsa procesi i shpërbërjes së TMK-ës është e drejtë përkatësisht përgjegjësi ekskluzive e NATO-s por do të jetë e përkrahur nga Ministria e Forcës së Sigurisë mbi bazën e ligjeve që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës".

DW: Pra sipas jush në këtë proces nuk do të ketë automatizëm dhe për postin e komandantit të FSK-së do të duhet të aplikoj edhe vet komandanti i TMK-së, gjeneral-lejtënant Sylejman Selimi?

Mujota: "Në gjithë këtë proces nuk ka asnjë automatizëm, të gjithë do i nënshtrohen ligjit, të gjithë duhet të punojnë me ligj dhe që nga komandanti i FSK-së e deri tek secili ushtar do të kemi procesin e hapur të kandidimit. Të gjithë do të jenë të barabartë dhe mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga strukturat e NATO-s përkatësisht mbi bazën e standardeve të NATO-s. Prandaj ne kemi hyrë në një proces serioz të cilin besoj që do ta kalojmë me sukses".

DW: Me siguri që nga 2 500 trupat e rregullta të FSK-ës të parapara në planin e Ahtisarit do të kenë vend edhe pjestarët e komuniteteve pakicë në Kosovë. A keni vërejtur interesim te pjestarët e komunitetit serb që edhe të jenë pjesë e forcave të sigurisë kosovare dhe çfarë hapësire është rezervuar për ta?

Mujota: "Mbi bazën e planit gjithpërfshirës për statusin e Kosovës, mbi bazën e kushtetutës të Kosovës dhe ligjeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës ky proces është i hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime etnike. Të gjithë do të kenë mundësi të njëjtë, të barabartë dhe të gjithë ata pjestarë që do të plotësojnë kriteret dhe standardet e përcaktuara më parë dhe tani jemi në fazën e zbatimit të tyre do të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pa prejudikuar numrin ose etnitetet. Por gjithsesi si ministri dhe do të thoja si qeveri dhe koncepti i ynë i ndërtimit të një strukture të Forcës së Sigurisë së Kosovës mbi bazën e nevojave të vendit dhe standardeve të NATO-s jemi të bindur që do të kemi përfaqësim të të gjitha komuniteteve. Praktika ka dëshmuar që deri më tani kemi pjestarë të Trupës Mbrojtëse të Kosovës nga komuniteti serb dhe komunitetet tjera pakicë dhe gjithsesi do të kemi mundësinë që të shohim edhe pjestarë të FSK-së mbi bazën e kritereve të përcaktuara por pa ndonjë privilegj apo ndonjë element tjetër që do të bënte jo të barabartë konkuruesitë në këtë proces".

DW: Ju së fundi keni zhvilluar edhe një takim me zëvendëskomandantin e NATO-s për Evropë, gjeneralin McCall. Zoti Mujota cili është bashkëpunimi mes MFSK dhe NATO-s dhe çfarë kontributi është duke dhënë aleanca veriatlantike për krijimin e FSK-ës?.

Mujota: "Ne kemi patur takime të nivele të larta, siç e thatë edhe ju tani kemi një takim me zëvendëskomandantin e NATO-s për Evropë, gjeneralin McCall nga i cili kemi marrë një përkrahje të fuqishme në këtë proces,jemi në bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe shpresojmë që do të vazhdojmë këtë rrugë. Shpresoj po ashtu se të gjithë do ta kuptojnë se rrugën të cilën duhet ta kalojmë nuk është aq e lehtë por është e mundshme të kalohet me sukses dhe tani për tani na gëzon fakti që të gjithë janë të inkurajuar që të bëjnë punën e duhur".

DW: Aktualisht përgjegjës për ruajtjen e kufirit administrativ kosovar janë forcat e KFOR-it në Kosovë. Sa kohë do t'i nevojiten FSK-së që të marrë përsipër një pjesë të këtyre kompetencave?


Mujota: "Tashmë nga data 17 shkurt e këtij viti Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ka kufijtë shtetëror dhe tani nuk mund të bëhet fjalë për kufijtë administrativë të dikurshëm prandaj mendoj që FSK në momentet që do të krijohet do të ketë obligimet e veta ligjore dhe kushtetuese drejt marrjes së autoritetit të cilin e përcakton vet kushtetuta ndërsa kufijtë do të jenë mbi bazën e ligjeve po ashtu të njohura në Kosovë dhe në rajon çështje e policisë kufitare dhe FSK në të ardhmen do të jetë e gatshme të marrë atë pjesë të përgjegjësisë që quhet përprahje për nevojat e pjesëve të tjera të sigurisë. Por tani për tani përgjegjësinë për këto e ka KFOR-i natyrisht në bashkëpunim me policinë kufitare ndërsa FSK që do të krijohet në afatet e parapara ligjore dhe kushtetuese me kohë do të jetë e aftë që të marrë kompetencat e veta që i takojnë sipas dinamikës së paraparë dhe kushtetutës".

Forcat e UNMIK-ut pranë një pikëkalimi të përfshirë në flakë në veri të Kosovës, 19 shkurt 2008

Forcat e UNMIK-ut pranë një pikëkalimi të përfshirë në flakë në veri të Kosovës, 19 shkurt 2008

DW: Zoti Mujota unë fola për kufijë administrativë e jos shtetëror pasi që ka pjesë të kufirit në Kosovë ku nuk funksionojnë as doganat kosovare?

Mujota: "Pikërisht këto nuk janë çështje të asaj që po quhet për momentin se a do të jetë Forca e Sigurisë së Kosovës ajo që do të bëj këto punë. Ne jemi në hapat e parë të krijimit të Forcës së Sigurisë përmes MSFK dhe mbi bazën e obligimeve kushtetuese. Këto janë çështje të koordinuara dhe çështja e sigurisë është përgjegjësi e KFOR-it dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtar të sigurisë".



  • Data 15.08.2008
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ey2G
  • Data 15.08.2008
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ey2G