1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Mubaraku duhet varur"- Mediat egjiptiane nxisin urrejtjen popullore kundër Mubarakut

Siç thuhet, Mubarak do të nxirret para gjyqit në gusht. Tashmë në opinionin publik po trazohen ujërat kundër tij. Njerëzit, të cilët i drejtojnë sot mediet, janë të njëjtët, që e kanë bërë këtë edhe gjatë sundimit të tij

Demonstratë në Kajro

Demonstratë në Kajro

Tani po gërmohet për gjithçka dhe po nxirren të palarat në shesh, po përhapet në televizion, në radio dhe në shtypin egjiptian: që vetëm në Sharm Mubaraku zotëron katër vila dhe një pallat në Detin e Kuq. Dhe që doganat egjiptiane së fundi kanë konfiskuar një paketë nga Greqia në adresë të Mubarakut, në të cilën gjendej një kutizë e argjendtë 800 gram e rëndë me vlerë mbi 1.000 dollarë. Asnjë dyshim nuk duket i tepruar, asnjë akuzë tepër e vogël.

Ish-presidenti Husni Mubarak bëhet përgjegjës për të gjitha të këqijat dhe vështirësitë

Ish-presidenti Husni Mubarak bëhet përgjegjës për të gjitha të këqijat dhe vështirësitë

Hosni Mubaraku, të cilin mediet shtetërore të qeverisë e kanë hyjnizuar dhe i kanë bërë temena 30 vjet me radhë, bëhet përgjegjës për të gjitha të këqijat dhe vështirësitë: korrupsion, papunësi, varfëri. Karikaturistët janë specializuar për ta paraqitur Mubarakun në veshje të burgosurish nën trekëmbësh: "Mediet po qëllojnë tani pa pushim mbi Mubarakun, ato trazojnë ujërat kundër tij, nxisin hidhërimin dhe ndjenjat e hakmarrjes. Mediet egjiptiane sot drejtohen nga të njëjtët njerëz si në kohën e Mubarakut. Të njëjtët njerëz, që ishin më parë oborrtarët e tij, shfaqen tani si akuzues. Dhe besojnë se kështu mund të vërtetojnë, që tani janë revolucionarë të vërtetë."

Zemërimi i popullit

Zemërimi i popullit

Dr. Hassan Abu Taleb është studiues i shkencave politike në Qendrën Al Ahram në Kajro. Ai nuk e ka fshehur kurrë antipatinë e tij ndaj regjimit të Mubarakut. Por edhe fushata e linçimit, që po vrojton tani, i është pështirosur. Megjithatë, ajo po tregon efekt në rrugët e Kajros, si te këta të rinj: "Dënim me vdekje, natyrisht që Mubaraku e meriton dënimin me vdekje, nuk lejohet kurrsesi të shpëtojë. Në të kaluarën është thënë gjithmonë, se ai ka qenë hero i luftës së tetorit, por kur ka qenë hero, përse e dëmtoi kaq popullin e vet. 30 vjet korrupsion, ky ishte Mubaraku. Ai nuk ishte president, po kapobandë."

Nuk ka shumë nga ata, që bëjnë thirrje për maturi në trajtimin e pushtetarit të rrëzuar. Ata, që guxojnë ta bëjnë këtë, janë pikërisht njerëzit, të cilët kur Mubaraku ishte në pushtet, urdhëroi t'i burgosin, ndonjëherë edhe t'i torturonin.

Autor: Martin Durm/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica