1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mrekullia braziliane për Kampionatin Botëror çalon

Parashikime pesimiste: Nga dymbëdhjetë stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet për Botërorin deri tani janë gati plotësisht vetëm gjashtë.

Edhe pse Costa de Sauipe, ky vend bregdetar me rërë të bardhë dhe e butë, me qiellin dhe detin tropikal blu, ku Komiteti Ekzekutiv i FIFA-ës hodhi shortin për Kampionatin Botëror, është si të thuash parajsa braziliane, "mes qeverisë braziliane dhe Federatës Botërore të Futbollit FIFA ka një klimë mosbesimi", thotë në një intervistë për DW gazetari sportiv brazilian Juca Kfouri. Si shembull Kfouri sjell mosmarrëveshjen e kohëve të fundit mbi kostot e telekomunikacionit në plazhin e Sauipes.

Qeveria braziliane tha se nuk dinte asgjë për faktin, se shpenzimet për transmetimin në mbarë botën të hedhjes së shortit për grupet që do të luajnë në kampionatin botëror, duhet t'i merrte përsipër Brazili. Në fund FIFA u detyrua ta paguajnë vetë faturën për kabllot me fibër optike dhe infrastrukturën telefonike në hotelin luksoz ku u organizua ceremonia e hedhjes së shortit.

Parashikime pesimiste

Kolumnisti i gazetës braziliane "Folha de Sao Paulo" nuk është aspak optimist. "Federatës Botërore të Futbollit duket se deri në njëfarë mase i vjen keq për vendimin që Kupa e Botës të zhvillohet në Brazil." shpjegon Kfouri. "Dhe në qoftë se zhvillohen përsëri demonstrata masive si gjatë Kupës së Konfederatave, gjë që unë mendoj se do të ndodhë, atëhere Blatter-i do të bëhet vërtetë pishman." - thotë Juca Kfouri.

Shqetësimi nuk duket krejtësisht i pajustifikuar. Nga dymbëdhjetë stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet për Botërorin deri tani janë gati plotësisht vetëm gjashtë. Ndër to janë, Maracana në Rio de Janeiro si dhe stadiumet në Belo Horizonte, Fortaleza, Salvador, Recife dhe Brazilia. Që tani është e qartë që FIFA nuk mund ta bëjë dorëzimin zyrtar të të gjitha stadiumeve për Botërorin më 5 Janar 2014 sikurse qe planifikuar.

Më 27 nëntor në stadiumin "Itaquerao" në Sao Paulo, ku do të zhvillohet ceremonia e hapjes, ndodhi një aksident tragjik. Dy punëtorë u vranë kur një vinç që po ngrinte një rrjetë metalike prej 500-tonësh u përmbys. Prej kësaj u dëmtuan rëndë disa pjesë të çatisë së tribunës. Megjithatë, arena do të jetë gati në kohë për ndeshjen e hapjes, thanë me siguri si presidenti i Fifës Joseph Blatter dhe Ministri i Sporteve i Brazilit Aldo Rebelo në një konferencë për shtyp.

Faji kërkohet tek të huajt

Arkitekti Valter Caldana bën përgjegjës për vonesat në ndërtimin e stadiumeve, importimin e shpeshtë të ideve dhe të teknologjive nga jashtë. "Një pjesë e madhe e planeve janë hartuara nga zyra të mëdha ndërkombëtare projektimi dhe ato duhej që së pari të përshtateshin me kushtet e Brazilit," thotë profesori i Arkitekturës dhe Urbanizmit në Universitetin Mackenzie në Sao Paulo. "Unë mendoj se është gabim që qeveria braziliane e lejoi këtë gjë."

Caldana tha se struktura mbështetëse e çatisë në stadiumin "Itaquerao" në Sao Paulo që u shemb qe projektuar nga zyra gjermane Werner Sobek në Shtutgart. Edhe vinçi që ra kishte ardhur nga Gjermania. Edhe stadiumi në Manaus, që është ngritur deri tani gati në 89 për qind, është ndërtuar edhe me ndihmën gjermane. Planet për arenën xhungël, e cila duket si një shportë kashte, janë projektuar nga zyra e arkitektëve Gerkan, Marg und Partnerë (PMP) nga Hamburgu.

Shtyhen projektet për rrugët e transportit

Për shkak të kostove të larta financiare për ndërtimin e stadiumeve, që sipas Ministrisë së Sportit shkojnë në 2,6 miliardë euro, pra një miliardë më tepër se mendohej në vitin 2010, në Brazil janë shtyrë 50 projekte për përmirësimin e infrastrukturës. Pra paratë për autostrada, hekurudha dhe lidhje të reja brenda metropoleve do të shkurtohen nga 3,5 miliardë euro në 2,3 miliardë.

"Është gabim metodologjik që të mendosh se ngjarje të mëdha, ndikojnë automatikisht për modernizimin e infrastrukturës urbane," shpjegon arkitekti Valdana. Mega-ngjarjet janë me interes vetëm në qytete të tilla si Barcelona, e cila kishte projekte konkrete për zgjerimin e infrastrukturës së saj. "Në të tilla raste eventet e mëdha veprojë si katalizator," thotë arkitekti, ndryshe kjo nuk funksionon.