1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mrekulli punësimi dhe jo mashtrim me asistencën sociale

Prej një viti rumunët e bullgarët mund të punojnë në Gjermani pa limite kohore. Një studim hedh poshtë tani frikën në lidhje me dëmtimin e sistemeve sociale nga emigracioni masiv. Herbert Brücker është njëri nga autorët.

DW: Prof. Brücker, ju keni shqyrtuar situatën e emigrantëve nga Rumania dhe Bullgaria, që kanë ardhur në Gjermani që nga hyrja në fuqi edhe në këto vende e lëvizjes së lirë të punonjësve në BE, në fillim të 2014-ës. Në çfarë rezultatesh keni arritur?

Brücker: Nëse filloj me pozitiven, atëherë do të flisja për një mrekulli të vogël punësimi. Që prej hyrjes së lëvizjes së lirë të punonjësve normat e punësimit të bullgarëve dhe rumunëve janë rritur me 14 pikë përqindjeje. Më shumë njerëz janë punësuar, se sa kanë emigruar. Një gjë e tillë në këtë masë nuk ka qenë ndonjëherë në historinë e ekonomisë gjermane. Në këtë aspekt lëvizja e lirë e punonjësve nga pikëpamja e tregut të punës, por edhe e shtetit social, ka qenë një sukses i madh, sepse ai që punon paguan edhe taksa.

Po negativja?

Ana negative është se në të njëjtën kohë është rritur përqindja e njerëzve, që marrin Hartz IV (sh. red. asistenca për të papunët në Gjermani) dhe përfitime të ngjashme sociale, prej 10 në 14 përqind. Proporcioni është në fakt më i ulët se në mesataren e popullsisë së huaj, por natyrisht do të dëshironim të ishte më i ulët.

Të dy grupet rumunët dhe bullgarët përmenden shpesh bashkë. A ka dallime mes tyre?

Brücker: Kuota e papunësisë te rumunët është më e ulët se te gjermanët

Brücker: Kuota e papunësisë te rumunët është më e ulët se te gjermanët

Rumunët janë ndoshta grupi i të huajve, që është integruar më së miri në Gjermani, shumë më mirë se të gjithë të tjerët nga shtetet e reja anëtare të BE-së, madje shumë më mirë se spanjollët dhe italianët, ngjashëm me amerikanët, francezët dhe britanikët. Rumunët kanë një kuotë më të ulët papunësie se gjermanët. Ne nuk vemë re në fakt asnjë problem tek ata. Te bullgarët shohim se normat e papunësisë janë deri dy herë më të larta se të rumunëve. Kuota e përfitimit të ndihmave sociale është thuajse tri herë më e lartë se te rumunët. Ne këtë e lidhim me faktin se nga Bullgaria kanë ardhur në Gjermani grupe të tjera shoqërore nga ç'kanë ardhur nga Rumania.

A keni konstatuar ju abuzime, përsa i përket tërheqjes së ndihmave sociale nga këto grupe? Kjo ishte frika e madhe.

Kemi gjithsej 195 raste të dyshuara. Përqindja është më e ulët se në mesin e përfituesve gjermanë të ndihmave sociale. Me këto shifra të ulëta nuk mund të flitet për një shpërdorim të madh të asistencës sociale. Ajo që ndoshta shumica e njerëzve nuk e dinë, është se bullgarët dhe rumunët marrin më pak ndihmë nga shteti për fëmijët sesa mesatarja e popullsisë në Gjermani. Për abuzim me asistencën sociale nuk bëhet fjalë. Edhe për pretendimin se njerëzit vijnë këtu për të marrë përfitime, nuk ka baza.

Kur një rumun, apo bullgar vjen në Gjermani, pa pasur punë, çfarë asistence sociale përfiton ai që nga dita e parë?

Asnjë. Ata mund të marrin para nga shteti për fëmijët, por paratë për fëmijët nuk janë asistencë sociale. Ne flasim këtu për një grup etnik me shumë pak fëmijë, kështu që përfitimi i ndihmës për fëmijët nuk përbën problem. Ata kanë të drejtë të përfitojnë Hartz IV, kur kanë jetuar dhe punuar për një kohë në Gjermani. Pra nuk mund të vish thjesht në Gjermani dhe të përfitosh asistencë sociale.

Disa kërkojnë që BE, në rastin e asistencës sociale për të huajt, edhe kur këto nuk kanë punë, të bëjë një politikë sociale mbarëeuropiane, ashtu siç duan të krijojnë kushte të ngjashme brenda Gjermanisë nëpërmjet kompensimit financiar. Çfarë mendoni për këtë?

Kjo nuk mund të funksionojë, sepse kushtet e jetesës, edhe fuqia blerëse në vende të ndryshme është shumë e ndryshme. Kjo nuk bëhet, përderisa të ardhurat të jenë kaq të ndryshme. Ajo për të cilën mund të flitej, mund të ishte një lloj harmonizimi i sistemeve sociale, që sigurimi social të ishte kaq apo aq përqind i të ardhurave mesatare, në mënyrë që kuotat të ishin relativisht të ngjashme, për shembull 30 përqind. Pastaj do të mbeteshin vlerat absolute dhe ato duhet të mbeten, sepse përndryshe kjo do të shkatërronte vendet e punës në vendet përkatëse.

Prof. Herbert Brücker hulumton në fushën e migracionit ndërkombëtar dhe integrimit evropian në Institutin për hulumtimet mbi Tregun e Punës dhe Profesionet Nyremberg.

Bisedën e zhvilloi Christoph Hasselbach