1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tetori gjerman: 30 vjet marrëdhënie Gjermani Shqipëri

27 Shtator 2017

Tradita e Tetorit Gjerman, si njihen javët e kulturës gjermane, vijon sivjet me edicionin e saj të 11-të.

https://p.dw.com/p/2kpnL
Susanne Schütz deutsche Botschafterin in Albanien
Fotografi: Deutsche Botschaft/Tirana

Që nga viti 2006, kur kjo traditë filloi, këto javë ndërtuan,vit pas viti, një urë të fuqishme bashkëpunimi kulturor dhe njërëzor mes dy vendeve dhe prezantuan maja të kulturës dhe artit  për dashamirët në rritje që Tetorët gjermanë fitojnë çdo vit.

Bashkëpunim i ndërsjelltë në produktin artistik - shkëmbim përjetimesh dhe përvojash

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, në një konferencë shtypi, në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë prezantoi (28.09.2017) synimet e programit të Tetorit gjerman 2017. "Shkëmbimi i mendimeve dhe përvojave mes gjermanëve dhe shqiptarëve do të jetë edhe këtë herë ideja qendrore dhe elementi lidhës i Tetorit Gjerman 2017. Edhe këtë vit dëshirojmë të arrijmë që shqiptarët dhe gjermanët bashkarisht të jenë krijues, aktivë, të përjetojnë së bashku dhe të shkëmbejnë përjetimet e tyre, të punojnë për një produkt, të ngrenë ura ndërlidhjeje e në rastin më të mirë të mësojnë prej njëri-tjetrit". 

Logo, German October, Tetori Gjerman

Risi artistike kulmore në programin e larmishëm Tetori gjerman 2017

Teatër, Balet, Muzikë, Kinematografi, Letërsi, Arte Figurative dhe workshop-e do të synojnë të plotësojnë kërkesën në rritje të publikut shqiptar për kulturën dhe artin bashkëkhor gjerman. Koncerti  "Rekuiem Gjerman", vepra madhore për kor dhe orkestër e kompozitorit Johannes Brahms, do të bëjë hapjen festive të aktiviteteve të Tetorit gjerman 2017. Dirigjenti gjerman Ekhart Wycik, profesor në shkollën e lartë të muzikës në Weimar do të drejtojë korin dhe orkestrën. Drama  "Draußen vor der Tür" ( në shqip 'Jashtë derës') e autorit Wolfgang Borchert do të jetë premierë dhe vihet në skenë përmes bashkëpunimit gjermano-shqiptar.

Schriftsteller Wolfgang Borchert
Shkrimtari Wolfgang BorcherFotografi: picture alliance/akg-images

E shkruar në vitin 1946 ajo paraqet mungesën e  shpresës së Beckmann, një ushtari gjerman pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kthimit të tij nga Rusia, kohë kur ai zbulon se ka humbur gruan, shtëpinë dhe gjithçka, ku ai besonte, bashkë me iluzionet. Të gjitha dyert ku ai troket nuk i hapen. Madje edhe lumi Elba i refuzon vetëvrasjen duke e nxjerrë atë në breg.  Drama përfundon me supozimin e vdekjes së Beckmann-it. Drama është vlerësuar si një vepër teatrale përtej kombësisë dhe ideologjisë. Ajo tregon sesi njeriu i zakonshëm, egoist dhe i vetëkënaqur, është përgjegjës për tmerret, vuajtjet dhe dhimbjen që sjellin konflikte të mëdha si Lufta e Dytë Botërore, mesazh që ruan aktualitetin edhe sot e kësaj dite.

Rosemarie Trockel Künstlerin Archivbild 2009
Artistja Rosemarie Trockel Fotografi: picture-alliance/dpa

Një tjetër risi u ofron dashamirësve të kulturës gjermane në Shqipëri ekspozita e arteve figurative "Rosemarie Trockel", nga Instituti për Marrëdhëniet me Jashtë. Autorja është profesore në Akademinë e arteve në Düssseldorf  dhe fituese e çmimit Wolf Prize në pikturë. Rosemarie Trockel është autorja e monumentit " Engjëlli i Frankfurtit"  i vendosur në Frankfurt. Ajo vlerësohet si artiste shumë dimensionale, e famshme në nivel ndërkombëtar  që nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek videoinstalacionet.

Poets Translating Poets - VERSschmuggel mit Südasien Daniela Danz
Poetja Daniela DanzFotografi: gezett

Letërsia do të sjellë në Shqipëri me ftesë të Ambasadës Gjermane dhe Qendrës Gëte, dy autorë gjermanë, poeten Daniela Danz dhe autorin e vlerësuar me çmime të librave për fëmijë Jürgen Banscherus.

Muzika do të jetë e pranishme përmes këngësh të vjetra popullore shqiptare të paraqitura në një mënyrë të re interpretimi nga këngëtarja me banim në Berlin, Fatime Kosumi dhe grupi i saj ANDRRA. Meloditë tradicionale do të sillen me një interpretim elektronik të përshkruar nga melankolia. Pjesë e Tetorit Gjerman 2017 janë edhe vepra kinematografike të sukseshme të kineastëve gjermanë.

Vepra dhe aktivitetet e larmishme kulturore artistike, të përzgjedhura për Tetorin gjerman 2017 pritet të flasin me gjuhën e artit për përfitimet e mëdha që po gëzojnë dy popujt në 30 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Shqipëri.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana