1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Motive të mundshme të pilotit

Piloti i dytë i fluturimit 4U9525 ia kishte fshehur Germanwings-it një sëmundje të tij. Ai shihet përgjegjës për vdekjen e 149 vetëve. Psikologu Rudolf Egg flet në intervistë me DW për motive të mundshme.

DW: Zoti Egg, Prokuroria e Dyseldorfit bëri të ditur se piloti i dytë i fluturimit 4U9525 në ditën e fluturimit në fakt ishte me raport mjekësor dhe megjithatë fluturoi. Iu habit kjo?

Rudolf Egg: Po të jetë e saktë kjo, nuk më habit. Do të ishte gjithsesi pjesë e tablosë, që këtu kemi të bëjmë me një njeri, i cili ndodhej në një krizë të thellë shpirtërore, kur bëri vetëvrasje.

Me çfarë lloj sëmundjeje mund të kemi të bëjmë, kur dikush nuk vret vetëm veten, por merr me vete edhe 149 të tjerë?

Nuk kemi një pamje të unifikuar të sëmundjes, dhe që të bësh më pas një lloj autopsie psikike, as kjo nuk është e mundur. Kemi vetëm pika ku mund të mbështetemi dhe supozime. Mund ta krahasosh me raste të tjera, ku kemi pasur një numër shumë më të vogël viktimash, por ku ndoshta kemi një problematikë të ngjashme të personalitetit. P.sh. me drejtuesit e automjeteve që hyjnë me ndërgjegje në drejtim të kundërt të qarkullimit në autostradë. Në këto raste kemi të bëjmë me dikë, i cili ndodhet jo vetëm në një krizë të rëndë shpirtërore, depresive, por edhe që nuk e hedh më vështrimin as majtas, as djathtas. Për të cilin bota dhe vlerat në atë moment nuk vlejnë më.

Pra kemi një vrapues amoku?

Nuk do ta barazoja me të. Një vrapues në amok ndien urrejtje ndaj viktimave që ka masakruar dhe ndoshta një ndjenjë triumfi në momentet e fundit të jetës së tij, që i vrau të gjithë. Unë nuk do të supozoja se kemi të bëjmë këtu me një gjë të tillë. Me tepër kemi të bëjmë me një shuarje të realitetit dhe me fokusim vetëm në një gjë: jeta ime, bota ime nuk ka më asnjë synim, tani po ndahem. Dhe të gjitha viktimat fshihen nga mendja.

Atëherë kemi të bëjmë me një veprim spontan për aktin? Apo kemi të bëjmë me planifikim?

Ndoshta një kombinim i të dyjave. Tek shumë njerëz që vrasin veten, aktit i paraprin një periudhë e gjatë shprese, dyshimi dhe më në fund e dëshpërimit. Dhe këtu janë edhe mendimet që luajnë një rol: si ta bëj? Dhe kur ta bëj? Por vendimi i fundit për aktin faktik mund të jetë sërish spontan, pra një perceptim i një rasti të volitshëm. Një gjë e tillë mund të ketë ndodhur edhe tek piloti i dytë. "Tani jam vetëm në kabinën e pilotit, tani nuk ka njeri që mund të më ndalë".

A ka ndonjë shans, që një gjë e tillë të pengohet megjithatë në momentin e fundit?

Rregulli, që në të ardhmen, në kabinën e pilotit duhet të ndodhen gjithmonë dy vetë është i arsyeshëm. Por kur dikush do me të vërtetë ta vrasë veten, ai mund t'i shpëtojë edhe kësaj. Prandaj tani këtu duhen bërë analiza shumë të thella. Por ajo për të cilën kam frikë është se do të kemi një të ashtuquajtur "efekt Werther". Diskutimi për suicid dhe parandalim, për fat të keq përjetohet si tronditës nga njerëz që ndodhen në një situatë të tillë krize, ose që kanë qenë në një situatë të tillë. Ata mund ta ndiejnë këtë edhe më fort si kërcënuese dhe frikësuese. Dhe ta vrasin veten.

A mendoni se ne mund t'u afrohemi motiveve të tija të vërteta?

Mendoj se po. Po të konfirmohet se ai ka qenë njëherë në terapi te psikiatri, atëherë duhet të ekzistojnë dokumenta. Ato mund të lexohen dhe të bëhen përpjekje për t'i analizuar. Mendoj edhe se të afërmit e viktimave kanë interes legjitim për këtë. Ata duan të mësojnë se çfarë mund ta ketë bërë këtë burrë që të marrë edhe jetët e djalit të tyre, të vajzës së tyre, e të shokut.

Psikologu Prof.Dr. Rudolf Egg drejtoi deri në vitin 2014 Qendrën Kriminologjike në Wiesbaden, një institucion kërkimor i Federatës dhe Landeve gjermane.

DW.COM