1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mospajtime edhe brenda bllokut në koalicion LDK, AAK dhe Nisma

Për vonesën e krijimit të institucioneve të Kosovës analistët politikë bëjnë përgjegjës lidershipin kosovar dhe jo “paqartësinë, që ka Kushtetuta e Kosovës”.

Kriza politike në Kosovë thellohet edhe më tej. Mospajtime se kush duhet të udhëheqë me institucione tash ka jo vetëm ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe bllokut të partive në koalicion, LDK, AAK dhe Nisma, por edhe brenda vet koalicionit pasgjedhorë, LDK, AAK dhe Nisma, saktësisht se kush duhet të jetë i mandatuari për kryeministër brenda këtij blloku. E gjithë kjo situatë ndodhi pas vendimit të këtyre partive në koalicion që posti i kryetarit të parlamentit t'i takojë partisë fituese të zgjedhjeve, PDK, që e përcaktoi edhe një interpretim i Gjykatës Kushtetuese. Lidhja Demokratike e Kosovës, tash kërkon rishikim të marrëveshjes se koalicionit, duke kërkuar postin e kryeministrit, mirëpo, një gjë të tillë nuk po e pranon Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt.

LDK, kërkon kryeministrinë, AAK e kundërshton

“Kryesia e AAK sërish konfirmon zotimin e AAK-së për Marrëveshjen e 10 qershorit, e cila krijoi Koalicionin LDK, AAK, Nisma, së cilës marrëveshje më vonë iu bashkua edhe Lëvizja VV, duke nominuar, në emër të synimit për ta bërë ndryshimin thelbësor në politikën kosovare, Ramush Haradinajn, Kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të AAK-së.

Në marrëveshjen e 10 qershorit të koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, ishte vendosur që posti i kryetarit të kuvendit t'i takojë kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, por kjo më vonë u pamundësua nga Gjykata Kushtetuese.

Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se tashmë janë krijuar rrethana të reja pas këtij interpretimi të Gjykatës Kushtetuese. Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, shkruan në profilin e tij në facebook me 18.11 se “Lidhja Demokratike e Kosovës ka treguar përkushtimin e saj që me koalicionin paszgjedhor të bëjë ndryshime të nevojshme për qeverisjen e mirë të vendit”. Por sipas tij, janë dy rrethana të reja që kanë ndikuar që këtij koalicioni t'i vështirësohet arritja e këtyre objektivave.

“Janë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i jap të drejtë vetëm PDK-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit, dhe kriteret e prezantuara nga Presidentja e Republikës së Kosovës, sigurisht të harmonizuara me partnerët ndërkombëtarë, për kushtet e mandatimit të qeverisë së ardhshme, e që janë shumica, partneriteti ndërkombëtar, dialogu dhe implementimi i marrëveshjeve nga dialogu, përfshirja e komuniteteve në qeverisje dhe listës serbe si dhe gjithëpërfshirja”, shkruan Isa Mustafa.

Sipas tij, LDK mbetet konsekuente ndaj partnerëve, por po ashtu momentet e reja imponojnë nevojën për sjellje të re, në mënyrë që Kosova të ketë Kuvendin dhe Qeverinë në ditët e ardhshme.

Kriza institucionale në Kosovë është artificiale e natyres politike, por jo kushtetuese.

Analistët politik nga ana e tyre, për vonesën e krijimit të institucioneve të Kosovës, përgjegjës bëjnë lidershipin kosovar, dhe jo sic u tha më herët, paqartësia që ka Kushtetuta e Kosovës. Kështu i tha DË-së, Blerim Burjani, nga Instituti i Kosovës për politika Zhvillimore (IKPZH).

“Përgjegjësia ekskluzive, apo e posaçme bie mbi lidershipin. Apetitet për pushtet, pa marrë parasysh rezultatin zgjedhor, apo fuqinë elektorale, që kanë arritur subjektet politike në zgjedhjet e fundit të 8 qershorit, dhe pa marrë parasysh dy verdiktet e Gjykatës Kushtetuese, që ishin shumë të qarta, u desh të pritet mbi 5 muaj për të konstatuar këto subjekte politike se nuk kanë tjetër rrugë përveç për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këto gjëra e kanë prishur imazhin e vendit para bashkësisë ndërkombëtare. Lufta e ashpër për pushtet, e cila ka tejkaluar të gjitha parametrat demokratike për një shtet të ri, siç është Kosova kanë rënduar në masë të madhe jetën e qytetarëve, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij qytetarët janë lodhur nga ky lidership dhe ndihen të merzitur dhe shumë të dëshpëruar me gjendjen sociale, ekonomike, që mbretëron brenda shtetit dhe pa ndonjë perspektivë, që mund të shihet në horizont.

“Pastaj shumica e subjekteve politike kanë telashe të mëdha me rendin e ligjin, një pjesë e madhe e subjekteve politike brenda tyre kanë njerëz, të cilët hetohen nga EULEX për vepra të kundërligjshme, një pjesë e këtyre lëndëve pritet të kalojnë edhe në Gjykatën Speciale dhe këto gjëra ndoshta ka ndikuar edhe më shumë në moskonstituimin e institucioneve qendrore. Kushtetuta ishte e qarte nuk ka pas ndonjë vakum, që kishte ndikuar negativisht në konstituimin e institucioneve qendrore, por interpretimet subjektive të bëra nga subjektet politike dhe nga disa individ te tjerë, kishin shkaktuar konfuzitet në këtë drejtim”, thotë Blerim Burjani. Megjithatë mendon se në një të ardhme të afërt Kushtetuta e Kosovës duhet të rishishikohet për t'u reformuar edhe më tutje ky akt më i larte juridik-politik i shtetit.

Akoma nuk dihet, kur do të mbahet vazhdimi i seancës së kuvendit

Sidoqoftë akoma është e paqartë, se kur do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku do të zgjidhet kryetari Kuvendit dhe kryesia për t'i hapur rrugë krijimit të qeverisë së re, ndonëse për këtë të fundit akoma nuk dihet se kush mund ta krijojë qeverinë. Zyrtarë të Partisë Demokratike e Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin, që duhet një marrëveshje paraprake gjithëpërfshirëse ndërmjet subjekteve politike, në mënyrë që të thirret seanca konstituive dhe të krijohen institucionet. Prania ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht po bën thirrje për krijimin e institucioneve, ndonëse deri tash nuk ka pranuar të ndërhyjë drejtpërdrejt te subjektet politike kosovare.