1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmiratimi i ligjit për amnisti "cënon" Marrëveshjen

Bahri Cani5 Korrik 2013

Parlamenti i Kosovës e ka hedhur poshtë projektligjin për amnistinë. Propozuesit e ligjit nuk siguruan shumicën e duhur prej 2/3 e votave.

https://p.dw.com/p/192e9
Parlamenti i KosovësFotografi: dapd

Kundër ligjit për amnistinë në Kosovë kanë votuar edhe disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, të kryeministrit Hashim Thaçi. Ky ligj është parakusht për vazhdimin e normalizimit e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazat e Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel me 19 prill të këtij viti. Beogradi pohon se "mosmiratimi i ligjit për amnisti mund të cënojë edhe zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë".

Nuk amnistohen ata që kanë bërë krime

Kryministri i Serbisë Ivica Daçiq u shpreh se marrëveshja për amnisti parashikon mbrojtjen e personave të cilët nuk i kanë respektuar institucionet e shtetit të Kosovës. "Me këtë ligj evitohet mundësia e denimit të personave për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata kundër pavarësisë së Kosovës apo për shkak të mos pagesës së tatimeve", theksoi Daçiq, duke shtuar se "ligji nuk parashikon amnistinë e personave që kanë bërë krime të luftës, që kanë bërë krime të tjera dhe vepra penale apo që kanë sulmuar dhe vrarë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë". Daçiq tha se nxjerrja e këtij ligji do të ishte një "akt i faljes dhe pajtimit".

Por ministri serb i Drejtësisë Nikolla Selakoviq u shpreh se pas refuzimit të projektligjit në Kuvendin e Kosovës, "duket se po futemi në një fazë të ngecjeve në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd".

Ky ligj ëshë parakusht për integrimin e serbëve në strukturat e drejtësisë dhe policisë kosovare. "Pa këtë ligj nuk mund të bëhet fjalë për integrimin e serbëve në këto institucione. Për Serbinë është i papranueshëm çdo ndryshim në projektligjin e propozuar, sepse për kët është biseduar gati katër javë në Bruksel. Mosmiratimi i projektligjit është një hap mbrapa dhe cënon realizimin e Marrëveshjes", theksoi Selakoviq.

Der serbische Premierminister Ivica Dacic
Ivica Dacic, kryeministri i SerbisëFotografi: picture-alliance/dpa

Serbia kundër "kuvendit serb në veri"

Beogradi zyrtar ka reaguar negativisht edhe ndaj krijimit prej serbëve në veri të një "kuvendi të përkohshëm të Kosovës e Metohisë në veri". Kryeminsitri Daçiq tha se "krijimi i një kuvendi të këtillë nuk do të ndihmojë popullin serb. Neve nuk na ka informuar askush për krijimin e një kuvendi të këtillë dhe kjo nuk është në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Serbisë", theksoi kryeministri i Serbisë. Daçiq tha se nuk mund të komentojë më shumë për këtë çështje, sepse një "kuvend i tillë nuk ekziston".