1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mosmarrëveshje për gjykatat në veri të Kosovës

Zyrtarë të misionit EULEX thonë se çështja e gjykatave në veri të Mitrovicës është politizuar si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi. Ata pohojnë se funksionalizimi i këtyre gjykatave është një nevojë urgjente.

default

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk pajtohet që në gjykatat në veri të Mitrovicës të emërohen gjykatës serbë, të cilët janë të mandatuar nga autoritetet e Beogradit për të punuar edhe në gjykatat paralele serbe në Kosovë. Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe misioni evropian EULEX akoma nuk kanë arritur të tejkalojnë mosmarrëveshjet për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatës së qarkut në Mitrovicën veriore. Mosmarrëveshjet kanë lindur, kur misioni evropian EULEX propozoi dy gjyqtarë serbë për gjykatën në veri, mirëpo të dy gjykatësit serbë më parë ishin emëruar nga presidenti i Serbisë si gjykatës në gjykatat paralele serbe, që akoma funksionojnë në Kosovë. Kryetari i këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë për DW, se gjykatësit serbë, që punojnë në gjykata paralele serbe në Kosovë, nuk mund të inkuadrohen në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Kosovo Enver Peci

Kryetari i këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci

“Kjo situatë neve na ka sjellë para një dilemë të madhe. Ne nuk jemi kundër punës dhe integrimit të gjyqtarëve serbë në gjykatat e Kosovës, mirëpo legjitimiteti i dy gjykatësve të propozuar nga EULEX-i mungon për faktin, që ata kanë kaluar në një sistem tjetër gjyqësor dhe automatikisht atyre u ndalohet emërimi në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës”, thotë Enver Peci.

Zoti Peci thotë se në radhët e serbëve të Kosovës ka akoma gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, të cilët mund të inkuadrohen në sistemin e drejtësisë kosovare.

“Në kuadër të sistemit tonë gjyqësor ende ka gjyqtarë të nacionalitetit serb, të cilët e gëzojnë statusin e gjyqtarit të emëruar edhe më herët nga UNMIK-u dhe që nuk janë inkuadruar në ndonjë sistem tjetër gjyqësor”, thotë Enver Peci.

Mirëpo zyrtarë të misionit evropian EULEX çështjen e kthimit të gjykatësve shqiptarë dhe atyre serbë në gjykatën në veri të Kosovës e cilësojnë si të politizuar si nga autoritetet në Prishtinë, ashtu edhe nga ato në Beograd. Një zëdhënës i këtij misioni në veri të Kosovës, Hanns Christian Klasing, thotë se EULEX-i nuk mund të ndërhyjë në vendime politike dhe as në bisedimet politike ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por ai e cilëson si urgjente nevojën e kthimit të gjykatësve shqiptarë dhe atyre serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës.

Eulex Kosovo

Policë të EULEX-it në Kosovë

“Ne mendojmë se problemi është kryesisht politik. Ne si një mision teknik për rendin dhe ligjin vetëm mund të provojmë që të lehtësojmë këtë përparim. Ne nuk mund të kërkojmë nga asnjëra palë që të marrin vendime. Ne mund të bëjmë vetëm propozime dhe të provojmë që t'ua bëjmë të qartë të gjithëve se situata është shumë e padurueshme, sepse ka shumë raste të pazgjidhura dhe se ka nevojë për personel lokal, me qëllim që të merren me to”, thotë Hanns Christian Klasing. Gjykatat në veri të Mitrovicës janë pothuaj jashtë funksionit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Që nga vendosja në Kosovë e misionit EULEX atje punojnë disa gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, por jo ata shqiptarë dhe serbë. Mijëra lëndë janë grumbulluar në sirtarët e gjykatës dhe presin zgjidhje. Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe misioni EULEX akoma janë duke zhvilluar bisedime, në mënyrë që të ketë një dakordim nga të dyja palët për gjykatësit dhe prokurorët, që do të punojnë në gjykatën e qarkut në veri të Mitrovicës, funksionalizimin e së cilës ata e cilësojnë si një çështje urgjente.

Autor: Bekim Shehu.

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 08.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MqDU
  • Data 08.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MqDU