1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mosmarrëveshje në Izrael për shkëmbimin e kufomave me një kryeterrorist

Dy vjet pas luftës së Libanit Izraeli dhe Hizbollahu libanez filluan me shkëmbimin e të burgosurëve dhe kufomave. Si shihet në Izrael kjo marrëveshje e qeverisë me Hizbollahun?

Shkëmbim të burgosurish midis Izraelit dhe Hizbollave: dy ushtarët e rrëmbyer janë vrarë

Shkëmbim të burgosurish midis Izraelit dhe Hizbollave: dy ushtarët e rrëmbyer janë vrarë

Qeveria izraelite deri në momentin e frundit e kishte të vështirë të vendoste për marrëveshjen. Fillimisht të martën kabineti qeveritar miratoi marrëveshjen për shkëmbim. 22 ministra votuan pro, tre ishin kundër. Ministri për çështje sociale Jitzhak Hercog nga Partia e Punës mbrojti vendimin:


"Qeveria izraelite mori një vendim shumë të dhimbshëm. Ai për ne përbën vlerën qendrore, si gjithmonë në historinë e shtetit të Izraelit që ushtarët e rënë që janë dërguar për të luftuar për kombin tonë të kthehen sërish në shtëpi. Çmimi për këtë pikërisht tani nuk është i ulët", tha Hercogu.


Shumë në Izrael druhen që çmimi për ushtarakët Goldwasser dhe Regev mund të jetë shumë i lartë. Kjo për faktin se në mesin e të burgosurëve të liruar libanezë ndodhet edhe Samir Kuntar. Në vitin 1979 ai ka kryer një sulm të përgjakshëm ndaj Izraelit në qytetin bregdetar Nahariya. Ai vrau një 28 vjeçar para syve të vajzës së tij dhe qëlloi pastaj edhe vajzën me kondak. Në përleshje me policinë u vra edhe një polic izraelit. Samir Kuntar është dënuar me 542 vjet heqje lirie për t'u falur tani 29 vjet më vonë.


Në këtë mënyrë Izraeli liron një kryeterrorist dhe merr në shkëmbim kufomat e dy ushtarëve të vrarë, të cilët u rrëmbyen para dy vitesh nga Hizbollahu. Kundër kësaj marrëveshje ishte Joram Shahar. Ai është vëllau i policit të vrarë Eliyahu Shahar në vitin 1979.


"Mendoj që kjo marrëveshje do të kthehet në dëmin tonë, për shkak se kështu ne legjitimojmë të gjithë terroristët në botë, që të na sulmojnë sërish dhe të rrëmbejnë edhe më shumë njerëz".


Pjestarët e familjeve izraelite të viktimave të terrorit në vitin 1979 janë skeptikë ndërkohë, që të afërmit e ushtarëve të rrëmbyer tani mund të marrin frymë lirisht pas vendimit të kabinetit qeveritar. Miki Goldwasser, nëna e të rrëmbyerit Ehud Goldwasser, ka përshendetur vendimin dhe e ka quajtur atë si "fitore për popullin e Izraelit". Edhe Joav Ben David i cili në vitin 1973 kishte rënë peng në duart e palës siriane e sheh marëveshjen si pozitive:


"Njeriu mendon se bëhet fjalë thjesht për një ushtar. Por unë kam katër fëmijë dhe dy nipa, kam nënën dhe atëherë kisha gjallë edhe babanë. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për një ushtar, por për një familje të tërë, për një grup të tërë njerëzish, të cilët vuajnë".

Për pjesëtarët e familjeve të ushtarëve të rrëmbyer me këtë shkëmbim përfundoi një luftë e vështirë edhe pse Goldwasserit dhe Regevit ata mund t'i japin vetëm nderimet e fundit.

  • Data 16.07.2008
  • Autor Sebastian Engelbrecht/ Tel Aviv
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EdZ9
  • Data 16.07.2008
  • Autor Sebastian Engelbrecht/ Tel Aviv
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EdZ9