1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Moska nuk e mban dot Athinën në eurozonë

Greqia përgatitet të afrohet më tej me Rusinë, që të marrë mbështetje për ekonominë e saj. Kjo po ndiqet me shqetësim në Evropë dhe nuk mungojnë reagimet. Material i përgatitur nga Auron Dodi për partnerin e DW, News24

Shiko videon 05:54

Moska nuk e mban dot Athinën në Eurozonë

Për momentin afrimi i Athinës me Moskën konsiston kryesisht në deklarata synimesh. Dhe në vizita të qeveritarëve grekë në Rusi. Këtë javë, në Moskë ishte Ministri grek i Energjisë, Lafazanis. Të mërkurën (08.04.2015) do të shkojë në Moskë kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras. Por, siç u shpreh në Bruksel për DW një përfaqësues i Komisionit Evropian, për aq kohë sa ekziston liria e shprehjes dhe e takimit, komente zyrtare, për këto hapa të Greqisë nuk bëhen.

E megjithatë: Rusia e Putinit nuk është partner i zakonshëm. Por një shtet në konflikt të hapur me BE dhe përgjegjëse për kthimin e klimës së luftës së ftohtë në botë. Ndaj deklaratat e qeveritarëve grekë, shtrojnë në kryeqytetet evropiane pyetjen, se në ç'situatë mund ta sjellë qeveria e Syrizas Bashkimin Evropian, për të zbatuar qëndrimet e saj.

Greqia i ka kërkuar Rusisë që të heqë nga embargoja ruse frutat greke. Ka bërë kërkesa edhe për uljen e çmimit të gazit rus, që blen Greqia. Greqia ka shpresa edhe për kredi ruse. Kërkesat greke, Moska ka thënë se do t'i shqyrtojë me dashamirësi. Këtë dëshirë të mirë e përsëriti këto ditë edhe Ambasadori rus në Athinë. Por Greqia e di, se duhet t'i ofrojë diçka, në këmbim, Rusisë. Dhe dhurata më e madhe për Moskën mund të ishte thyerja e unitetit të BE, në sanksionet ndaj Rusisë.
Kryeministri grek Cipras, i deklaroi këtë javë agjencisë ruse të lajmeve TASS, se Greqia nuk do t'a mbështesë me çdo kusht zgjatjen e sanksioneve të BE kundër Rusisë, në qershor.

Afrimi me Rusinë: presion i Athinës ndaj Bashkimit Evropian


Dhe gjasat për një bllokadë greke në qershor ekzistojnë. Po për momentin, në Gjermani shumë vëzhgues mendojnë se Greqia thotë se do të afrohet me Rusinë, për të rritur presionin ndaj eurozonës. Ciprasi luan poker, që Eurozona t'i bëjë lëshime në çështjen e borxheve.

Por: flirtimi me Rusinë është mjet i sigurtë, për të armiqësuar edhe ata pak vetë, që ende e mirëkuptojnë qeverinë e re greke në Eurozonë. Si p.sh. një pjesë të socialdemokratëve gjermanë. Ata deri tani, përmendin pozicionin gjeostrategjik të Greqisë, si vend në skaj të NATO-s, dhe si pritë ndaj refugjatëve nga Lindja e Mesme. Për të nxitur një vështrim më 'bujar' të veprimeve të qeverisë greke. Dhe prishja e unitetit të BE, dhe p.sh.një depërtim më i madh i Rusisë në sistemin energjetik të Ballkanit, përmes Greqise, do ta ndryshonte situatën. Do të sillte edhe një dobësim të pozicionit të kancelares Merkel, e cila lufton për ruajtjen e unitetit të BE, në sanksionet ndaj Rusisë.

Paralajmërime gjermane dhe franceze ndaj Athinës

Ndaj presidenti i Parlamentit Evropian, socialdemokrati gjerman, Martin Schulz e paralajmëroi sot në një intervistë me "Hannoversche Allgemeine Zeitung" Ciprasin se "nuk është e pranueshme" që ai "ta vërë në pikëpyetje qëndrimin e njësuar të BE p.sh. në politikën ndaj Rusisë"- si shpërblim për ndihmë nga Rusia. Aq më tepër kur me listën e tij të reformave dhe vizitën në Berlin Ciprasi sapo ka filluar të krijojë besim, tha ai.

Edhe Komisari për Çështjet Monetare në Komisionin Evropian, francezi Pierre Moskovici e ka paralajmëruar Ciprasin që të mos tregojë afëri të madhe me Moskën. Kurse kryetari i i Grupit CDU/CSU në PE, Herbert Reuel kujtoi, se Greqia si, partnere e BE duhet të jetë e parashikueshme në veprimet e saj dhe e besueshme. "Ai që luan me zjarrin dhe kërkon tani ndihmë në Rusi, mund të djegë gishtat!", paralajmëroi ai.

Cipras te Merkel në Berlin

Cipras te Merkel në Berlin


Pse e merr parasysh Athina acarimin me Berlinin

Qeveria e re greke erdhi në pushtet, siç tha, për të rivendosur dinjitetin e vendit - të nëpërkëmbur nga trojka dhe Evropa. Me masat e ashpra ekonomike të Evropës ndaj Greqisë. Për këtë kritikë greke ndaj Evropës, jo vetëm në Berlin, por edhe në Paris, tundin kokën me mosbesim. Pasi kujtojnë se ishte Evropa që e ka shpëtuar dy herë deri tani Greqinë, duke i dhënë borxh deri 300 miliardë euro. Megjithatë, kancelarja Merkel tha këto ditë se qeveria greke ka njëfarë hapësire, për të propozuar masat që i mendon të përshtatshme për pagimin e borxheve. Lista e fundit me 26 faqe, me propozime për reforma që Greqia i paraqiti këto ditë Brukselit vlerësohet edhe nga kritikët si më konkrete. Njëkohësisht Brukseli ka paralajmëruar se dëshiron të shohë zbatimin e fjalëve të Athinës.
Por negociatat e grekëve me partnerët evropianë kanë ngecur në vend. Qeverisë greke po i mbarojnë paratë dhe deri në 9 prill ajo duhet të ketë rënë dakord me Brukselin.

Putini ka interesa konkrete në Evropën Juglindore

Putini ka interesa konkrete në Evropën Juglindore


Cipras: rezistenca kundër Berlinit, rezistencë kundër hegjemonisë gjermane në Evropë

Në këtë kohë, Athina preferon të paraqitet si viktimë e Berlinit, të cilin e ka paraqitur shpesh si shkaktar të gjendjes në Greqi. Ministri grek Lafazanis thotë se Berlini "po i merr frymën" "BE të gjermanizuar". Qeveritarët e rinj grekë janë përpjekur të luajnë me ndjenja antigjermane, që mund të ekzistojnë në Evropë.
Por pavarësisht nga ndonjë antipati apo xhelozi që mund të ekzistojnë tek-tuk për Berlinin, shtetet e tjera me peshë në BE, si Franca, Britania e Madhe apo Italia, nuk janë të gatshme të ngrihen kundër Gjermanisë për shkak të Greqisë. Në radhë të parë sepse ato vetë nuk ofrojnë aktualisht modele suksesi, Kurse kërkesat e Merkelit, se duhen bërë reforma, para investimeve, kanë dalë të suksesshme. Spanja, Portugalia, Irlanda, që kanë bërë hapa përpara, e konfirmojnë këtë. Dhe së dyti, për shkak të miliardave euro që këto shtete i kanë huazuar Greqisë, në një kohë kur kanë vetë probleme ekonomike.

Qeveritarët e rinj të Syrizas e kanë kuptuar, edhe më fort pas vizitave të tyre të fundit në Evropë, se numri i telefonit i Evropës fillon jo me prefiksin e Brukselit, por me atë të Berlinit. Kriza ekonomike në Evropë ka sjellë një zhvendosje të pushtetit nga organizmat evropiane në kryeqytetet e Evropës. Marrëveshjet mes shteteve janë bërë mjeti më efikas për të zgjidhur problemet. Kjo e ka forcuar pozicionin e Gjermanisë, si shteti më i madh, me ekonominë më të fuqishme e Evropës. Franca dhe Italia janë tërhequr, pasi janë dobësuar ekonomikisht. Dhe kriza e Evropës është krizë ekonomike.

Në këto kushte, Gjermania, edhe Evropa argumentojnë me terma ekonomikë. Kurse Cipras ka mendësi tjetër. Ai lë të kuptohet se po të dorëzohet Athina ndaj Berlinit, i hapet rruga triumfit të koncepteve ekonomike gjermane në të gjithë Evropën. Argumenton pra me terma moralë. Kështu pikat e takimit vështirësohen.

Problemi me ndihmat ruse

Kuptohet se Rusia nuk do t'i ofronte Athinës mbështetje vetëm prej "afërisë" që ndien me të, si një komb ortodoks në Evropën Juglindore. Putini do të kërkonte çmim, dhe më i preferuari do të ishte përçarja e BE nga qendrimi grek.

Megjithatë, ekonomia ruse është në gjendje të vështirë. Dhe Rusia do të mendohej mirë t'i jepte Greqisë shuma të mëdha parash, që rrezikojnë të mos i kthehen në një të ardhme të parashikueshme. Rusia nuk është në pozitën që të ofrojë qindra miliarda euro, sa me to Greqia të mbetet në eurozonë, thonë analistët. Kështu që ardhmja e Greqisë nën qeverinë aktuale, do të na preokupojë më gjatë.

DW.COM

Audio dhe video për temën