1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska: pasoja për armët e SHBA në Evropë

kle/rb (rtr, efe, dpa, afp, rt.com)16 Qershor 2015

Moska i përgjigjet me fjalë të qarta lajmit se SHBA mund të stacionojnë si masë paraprake armë të rënda në Evropën Lindore. Kjo mund të jetë në kundërshtim me interesat strategjike të Rusisë.

https://p.dw.com/p/1FhhU
Raketa ruse Iskander ne Moske
Fotografi: Getty Images/AFP

Udhëheqja në Moskë nuk do ta pranojë duarlidhur një përforcim të mundshëm të pranisë ushtarake të SHBA në shtetet e Evropës Lindore. "Rusisë nuk do t'i mbetet tjetër, përveç forcimit të trupave dhe burimeve të saj në krahun perëndimor", tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, gjenerali Juri Jabukov, sipas një informacioni të agjencisë ruse të lajmeve, Interfax. Armatimi i planifikuar në kufi është "masa më agresive" e SHBA dhe e NATO-s që prej fundit të Luftës së Ftohtë, tha ai.

Përgjigja ruse do të përmbajë ndoshta përshpejtimin e stacionimit të raketave Iskandar në enklavën e Kaliningradit si dhe një përforcim të trupave ruse në Bjellorusi. Rusia ka dorë të lirë për të organizuar kundërmasa, për ta mbrojtur më mirë kufirin perëndimor, tha Jabukow-i.

Tanke në Evropën Lindore?

Në fundjavë u bë e ditur se SHBA po shqyrtojnë mundësinë e stacionimit të armëve të rënda në disa shtete të Evropës Lindore dhe të shteteve baltike. "New York Times" bëri të ditur një plan të Pentagonit, sipas të cilit do të zhvendosen pajisje ushtarake për deri 5000 ushtarë amerikanë në Estoni, Letoni dhe Lituani si dhe në Poloni, Rumani, Bullgari dhe ndoshta edhe në Hungari. SHBA do të transportonin kështu për herë të parë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore armë të rënda si tanke luftarake në shtetet më të reja të NATO-s, të cilat më parë bënin pjesë në sferën e ndikimit të Bashkimit Sovjetik. Synimi është që të sprapset Rusia nga një sulm në Evropë.

Deri tani ky është një propozim. Por sipas raportit Pentagoni shpreson të marrë dritë të gjelbër nga Shtëpia e Bardhë deri në një takim të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në fund të qershorit në Bruksel. Zëdhënësi i qeverisë ruse, Dmitri Peskow deklaroi se për sa kohë SHBA nuk janë pozicionuar zyrtarisht për këto plane, ai nuk dëshiron ta komentojë këtë lajm.

Konfirmim nga Polonia

Polonia dhe Lituania konfirmuan se ka bisedime me qeverinë e SHBA për të stacionuar armë të rënda në vendet e tyre. Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Tomasz Siemoniak deklaroi në Varshavë se vendimin e SHBA e pret javët e ardhshme. Planet ai tha se i kishte diskutuar tashmë në vizitën e tij në SHBA katër javë më parë me homologun e tij Carter. Vendi i tij ka kohë që angazhohet për një prani më të madhe të ushtrisë amerikane në Evropë. Zhvendosja e armatimeve luftarake të SHBA në rajon do të ishte në këtë kuadër "një hap shumë i rëndësishëm", tha Siemoniak.

Evropianolindorët dhe shtetet baltike janë gjithmonë e më të shqetësuar për politikën e fqinjit të madh, që kur Rusia aneksoi Krimenë në pranverë 2014. Kësaj i shtohet edhe zgjerimi i pranisë ushtarake ruse në Detin Baltik si dhe në hapësirën ajrore në kufijtë e tyre. Në prill, shtetet baltike paraqitën tek NATO-ja lutje për stacionimin afatgjatë të mijëra ushtarëve të NATO-s në territorin e tyre.