1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani ka perspektivë europiane - po jo vetëm kaq

Ani Ruci/ Paris7 Korrik 2016

Forumi i Shoqërisë Civile në Paris kërkon më shumë detyrime nga BE ndaj perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Përfaqësues të shoqërisë civile bënë rekomandime për rininë, migrimin, mosmarrëveshjet e klimën.

https://p.dw.com/p/1JLNz
Paris Civil Society Forum
Fotografi: DW/A. Ruci

Shoqëria civile e ka fituar tanimë legjitimitetin për të qënë aktore në përballimin e sfidave dhe të panjohurave që paraqet sot e ardhmja e projektit europian dhe politika e zgjerimit. Ky legjitimitet solli edhe përfshirjen e saj, vitin e kaluar me nismën e kancelares Merkel, në procesin e Berlinit, përmes mbajtjes së Forumit të Shoqërisë Civile, 2015 si një segment i Samitit të Vienës. Kjo gjë që vijoi edhe sivjet, me Samitin e Parisit, më 4 korrik, në fillim të kësaj jave. Aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet e BE dhe të Ballkanit Perendimor (BP) ofruan në Forumin e Shoqërisë Civile në Paris rekomandime në katër fusha prioritare për rajonin: bashkëpunimi i rinisë, migrimi, zgjidhja e mosmarrveshjeve dypalëshe dhe ndryshimet klimaterike.

Forumi ofroi një dialog të drejtëpërdrejtë me anëtarë të Parlamentit Europian dhe të parlamenteve kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe një këndveshtrim kritik për situatën aktuale që po kalon BE dhe veçanërisht për politikën e tij të zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor.

Hedvig Morvai
Hedvig MorvaiFotografi: DW/A. Ruci

Problemet që po përballon BE nuk janë shkaktuar nga politikat e zgjerimit

Dialogun me europarlamentarët dhe politikanë nga Franca dhe Austria të ftuar në Forumin e Parisit e mbizotëroi ideja se problemet që po përballon BE nuk janë shkaktuar nga politikat e zgjerimit. Përkundrazi, zgjerimi ka qenë një faktor “kurues” për BE dhe se transformimi i tij ka nevojë për zgjerim të mëtejshëm.

“BE po jeton pasiguri, ne kemi nevojë për zgjerimin e tij” tha europarlamertarja Tanja Fajon, e ftuar në Forum. Rikonfirmimi thjesht i perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor nga krerët e BE, në Samitin e Parisit ngjalli kritika në Forumin e Shoqërise Civile, që po u zhvillua njëkohësisht me Samitin, në “Maison de l'Europe”. Hedvig Morvai, Drejtore Ekzekutive, Fondi Europian për Ballkanin, ndër organizatorët e këtij Forumi, tha për DW:

“ Jemi të ndërgjegjshëm që Samiti i Parisit u zhvillua në një atmosfere tragjiko – komike, per Europën dhe zgjerimin. Këto ditë janë vërtet konfuze dhe të palumtura. Të thuhet vetëm që Ballkani ka perspektivë europiane është papergjegjshmëri. BE duhet të rishikojë politikat e zgjerimit me vendet e BP. Politikanët e BE duhet të mendojnë në mënyrë strategjike, të kene ide inovatore, jashtë kuadratit, për dizenjinim e një Europe të re” theksoi Hedvig Morvai.

Filip Radunovic
Filip RadunovicFotografi: DW/A. Ruci

Më shumë përgjegjësi nga BE për zgjerimin e tij me vende të Ballkanit

Më shumë se rikonfirmim i perspektivës europiane për Ballkanin Perëndimor, ajo që i duhet rajonit dhe BE është një përgjegjësi më e madhe ndaj kësaj perspektive nga ana e BE. Dr. Filip Radunovic, nga Fondacioni Gjerman Erste, me seli në Vienë, një nga organizatorët e Forumeve të shoqërisë civile thotë për DW:

Forumi i Parisit përcaktoi si dimension kryesor që të nxisë zotimet e politikaneve, të drejtuesve të BE për të dhënë një afat kohor për perspektivën europiane të 6 vendeve të BP. Mendoj që Europa duhet të ketë më shumë detyrime , më shumë përgjegjësi ndaj perspektivës europianë të Rajonit. Mendoj që ligjërimi politik i BE është i vjetëruar, ka ende ide të vjetra që mund të jenë madje të rrezikshme në situatën e brishtë që ka tani BE. Politikanët në vendet e Ballkanit Perëndimor e nxisin procesin e integrimit deri në nivelin e interesave të tyre. Kemi zhvillime, fenomene të reja, për të cilat nuk ka ende përgjigje. Kemi nevojë të diskutojmë vizionet e reja, kemi nevojë për përgjigje,” thotë Filip Radunovic.

Shoqëria civile- presion për një qeverisje më të mirë

Europarlamentarja austriake Ulrike Lunacek dhe Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin, të ftuara në Forumin e Parisit theksuan nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë mes shoqërisë civile, parlamenteve kombëtare dhe Parlamentit Europian, për të ŋuar përpara procesin e zgjerimit.

Ardian Haçkaj, Drejtor i Think Tank Shtetiweb / Instituti per Bashkëpunim dhe Zhvillim, thotë për DW se Forumi i Parisit nxorri në pah nevojën emergjente për këtë bashkëpunim.

Ardian Hackaj
Ardian HackajFotografi: DW/A. Ruci

“Bashkëpunimi është i nevojshëm për monitorimin e efikasitetit të Qeverive, mbajtjes së angazhimeve të tyre për reforma strukturore dhe ato që kërkon integrimi si edhe për të kompensuar deficitin demokratik. Qëllimi është të ushtrojmë presion qytetar për një qeverisje të mirë, ta mbështesim me analiza dhe studime profesionale, që kontribuojnë në transparencën e proceseve qeveritare dhe që sjellin zërin e qytetarit brenda mekanizmave të vendimmarrjes qoftë në vendet e BP, qoftë në samitet evropiane"

Në vijim të Procesit të Berlinit, samiti i ardhshëm do të zhvillohet në 2017-ën, në Romë. Ai do të paraprihet nga dy forume te shoqërise civile të vendeve të BE dhe BP: njëri sivjet ne Shkup dhe tjetri në pranverën e vitit të ardhshëm, në Tiranë, para zgjedhjeve parlamentare.

"Na duhet një narrativë e re, ide të reja për të ardhmen e përbashkët në BE për të diskutuar në samitin e Romës” thotë Ardian Hackaj.