1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Morales detyrohet të ulet në Vjenë

Presidentit të Bolivisë iu desh të bëjë një ndalesë të paplanifikuar në Vjenë. Disa vende kanë refuzuar t'i japin avionit të tij të drejtën e fluturimit. Ato mendonin se në bordin e avionit ndodhej Edward Snowden.

Rasti i ish punonjësit të shërbimit sekret amerikan Edward Snowden ka filluar tani të shkaktojë fërkime diplomatike. Midis Bolivisë dhe vendeve perëndimore raportet janë acaruar dhe ministri i Jashtëm i Bolivisë David Choquehuanca, nuk e kupton si është e mundur që të ketë ndodhur një gjë e tillë. Në një konferencë shtypi të thirrur urgjentisht në La Paz, ai u shpreh i indinjuar: "Ne nuk e dimë kush e ka përhapur këtë gënjeshtër të madhe."

Për shkak të thashethemeve "të pakonfirmuara", se ish punonjësi i shërbimit sekret amerikan ndodhet në bordin e avionit të presidentit të Bolivisë, Franca dhe Portugalia i mbyllën menjëherë hapësirat e tyre ajrore. Avioni i presidentit Evo Morales u detyrua të ulet në Vjenë. Vetëm disa orë më vonë, ai ishte në gjendje për të vazhduar udhëtimin e tij për në shtëpi.

Shefi i diplomacisë boliviane Choquehuanca i akuzoi autoritetet kompetente, se kanë vënë në rrezik jetën e presidentit bolivian dhe kanë shkelur të drejtat e trafikut ajror. Edhe Italia dhe Spanja i kanë ndaluar Moralesit shfrytëzimin e hapësirës ajrore. Ministria e Jashtme franceze në Paris, ndërkohë ka deklaruar se nuk është e informuar për rastin.

Në foto, Evo Morales

Në foto, Evo Morales

Dyshimi nuk ishte krejt i pabazë pasi Morales po udhëtonte nga Moska. Atje po qëndron i fshehur në zonën tranzite të një aeroporti edhe ish punonjësi i shërbimit sekret amerikan Edward Snowden. Ai është eksperti i informatikës i cili ka zbuluar për publikun ekzistencën e një sistemi amerikan për përgjimin e internetit. Snowden bëri publike që shërbimi i fshehtë amerikan NSA, spiunon në masë të madhe qarkullimin digjital të të dhënave në të gjithë botën. Të hënën e kaluar (24.6.2013) ai shkoi nga Hongkongu kinez në Moskë. Që atëherë ai ka kërkuar azil në mbi 20 vende, ndër të tjera edhe në Gjermani. Qeveria në Berlin megjithatë ka refuzuar kërkesën e tij.

Bolivia shqyrton kërkesën e Snowden

Për kërkesën e tij për azil në Bolivi, Morales kishte thënë në televizionin rus, se kjo do të "debatohet dhe merret në konsideratë". Madje presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro doli në mbrojtje të Snowden. Ai ka publikuar një "të vërtetë të madhe", tha ai në Moskë, ku u mbajt një samit dyditor i energjisë. Informatori 30-vjeçar i cili akuzohet për tradhëti në SHBA, nuk ka "vrarë askënd dhe nuk ka vënë bomba".

Në La Paz, për shkak të incidentit ka pasur protesta spontane të dhjetra protestuesve para Ambasadës Franceze. Mbështetësit e Moralesit bënë thirrje për demonstrata të mëtejshme para misioneve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Portugalisë dhe Italisë.

Babai i Snowden, Lon Snowden ndërkohë, i shkroi një letër të hapur të birit të tij, në të cilën ai e quan atë "patriot" dhe e inkurajon atë për të vazhduar punën e tij.