1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Moore: Politikanët t’u thonë qytetarëve serbë se Kosova është e humbur

Në një intervistë për DW, Patrick Moore, njohës i mirë rajonit të Ballkanit, duke folur për situatën në Serbi pas zgjedhjeve ka theksuar se Beogradi zyrtar duhet të pranojë para qytetarëve se Kosova është e humbur.

Intervista e DW

Intervista e DW

DW:Fillimisht dua t'ju pyes për atë që ndodhi të dielën. Ndoshta është shumë e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në raundin e dytë të zgjedhjeve mes Tadiçit dhe Nikoliçit, por si dikush që e njeh mirë këtë rajon, kush mendoni se do të fitojë?

Moore: Unë mendoj se sërish do të jenë shumë afër dhe Tadiçi mund të ketë një avantazh të lehtë, sepse tashmë njerëzit janë të shqetësuar për standartet e tyre të jetesës dhe e dinë se një gjë e tillë varet edhe nga investimet nga Europa, nga marrdhëniet ekonomike me Europën, të shkojnë të punojnë në Europë dhe Tadiçi është ai që ka një reputacion të mirë në Europë. Nga ana tjetër, ai nuk ka arritur të bëjë reformat e duhura në ekonomi dhe ka shumë njerëz, që nuk janë të kënaqur me këtë dhe thjesht duan një ndryshim. Kjo është demokracia.

DW: Le të flasim për një skenar ku fitues është Nikoliçi. Çfarë mund të ndryshojë, sepse duke parë ideologjinë e tyre politike nuk ndryshojnë shumë?

Moore: Jo ai nuk është një budalla dhe as nacionalist, ai e di mirë se çfarë duhet të bëjë në mënyrë që votuesit të jenë të kënaqur duke rritur nivelin e jetesës së tyre. Por ai nuk mund të rrisë nivelin e tyre të jetesës nëse nuk lufton korrupsionin në vend dhe të bindë Evropën Perëndimore se Serbia është vend i besueshëm për të investuar para. Sepse përsa kohë që shumë njerëz do të jenë pa punë dhe rrogat më pak se 500 euro në muaj, atëherë ai do të duhet lerë postin në zgjedhjet e ardhshme.

DW: Surpriza e madhe në këto zgjedhje është padyshim Daçiç, por edhe diferenca mes Tadiçit dhe Nikoliçit nuk është aq e madhe sa ka qenë në zgjedhjet e mëparshme. Sipas jush, çfarë ka ndodhur me qytetarët serbë?

Moore: Mund të them se ky është misteri i zgjedhjeve për mua. Kjo tregon se njerëzit janë të pakënaqur, por nuk e dinë ku të kthehen. Është e qartë se Daçiçi mori votat e të pakënaqurve, por nuk e shikoj si një mënyrë proteste, kur ai është kryetari i një partie, që ishte përgjegjëse për shumë probleme, përsa kohë Millosheviç ishte gjallë dhe ai ka qenë pjesë e qeverisë katër vitet e fundit. Këta janë të brendshëm dhe nuk vijnë nga jashtë. Avantazhi i vetëm, që ka Daçiçi ndaj Nikoliçit dhe Tadiçit, është se ai nuk ka qenë pjesë e dy partive të mëdha. Mendoj se njerëzit kanë qenë shumë të inatosur dhe nuk kanë menduar mirë se për kë po votonin. Nuk kam shpjegim tjetër.

DW: Përsa i përket Kosovës: pak a shumë tashmë kemi një pamje të qartë se si do të jetë parlamenti, pavarësisht se kush mund të fitojë Nikoliçi apo Tadiçi. Çfarë mendoni se do të ndodhë në të ardhmen? Si do të jetë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit?Natyrisht nuk pres që Serbia të njohë Kosovën, por shihini ju progres apo presion nga Brukseli për të bërë hapa konkretë drejt kësaj nga pala serbe?

Moore: Kjo është çështja. Përsa kohë që Angela Merkeli merret me këtë çështje, atëherë mendoj se do të ketë presion. Unë di që ka elementë burokratikë në Bruksel, veçanërisht francezët dhe italianët, të cilët janë këmbëngulës. Ata janë pro serbë dhe anti shqiptarë, me aq sa kuptoj unë. Por njerëzit e dinë se çështjet kryesore në Serbi janë punësimi dhe të ardhurat. Kjo nuk është më një çështje që i shqetëson njerëzit. Në një sondazh të publikuar së fundmi vetëm 38 përqind e serbëve e konsideronin Kosovën një çështje. Personalisht mendoj se herët a vonë politkanët duhet t'u thonë në publik, pra njerëzve të tyre, atë që ua thonë diplomatëve të huaj që Kosova është e humbur. Unë citoj këtu historianin Stefan Petroviç, historianin serb që jeton në Britani. Ai thotë se Serbia ka nevojë për një njeri si Charles De Gaulle, i cili doli para njerëzve të tij dhe u tha se Algjeria tashmë është e humbur dhe duhet të vazhdojmë të shikojmë përpara. Ndërsa Serbia kishte Sllobodan Millosheviçin dhe për pasojë pati 20 vjet tragjedi. Është koha për të vazhduar, për të qenë realistë. Nëse njerëzit në Beograd dhe qeveria do të mendonin vërtet se Kosova është Serbi dhe do të kishin një mundësi për të bindur dy milionë shqiptarët që urrejnë Serbinë, atëherë qeveria e Beogradit duhet të bëjë diçka për të luftuar korrupsionin dhe problemet në zonat e kontrolluara nga serbët, por ata nuk e bëjnë një gjë të tillë. Kjo më thotë se njerëzit në Beograd nuk mendojnë se Kosova është Serbi. Nëse ata do të mendonin kështu do të bënin diçka për zonat që kontrollojnë.

DW:U surprizuat nga fakti se ata nuk e përdorën Kosovën si një nga pikat kryesore të fushatës së tyre elektorale?

Moore: Sigurisht që jo, sepse ata nuk janë budallenj dhe e dinë që njerëzit nuk janë të intersuar për Kosovën, por janë të interesuar për ekonominë, punësimin dhe standartin e tyre të jetesës. Koshtunica ishte i vetmi, që fliste rregullisht për Kosovën dhe mori vetëm 7 përqind të votave.

Intervistën e zhvilloi Jakov Leon

Redaktoi: Auron Dodi