1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata ekonomike-financiare e Shqipërisë

Ani Ruci27 Nëntor 2013

Vlerësimi i Shqipërisë në nivelin B1, në gjuhën e ekonomistëve dhe financierëve përkthehet “vend me një nivel jo të lartë besueshmërie për investime dhe institucionet kredituese”.

https://p.dw.com/p/1APGe
Fotografi: AP

MOODY's, kompania lider në botë për të vlerësuar situatën ekonomike dhe financiare të vendeve të ndryshme, e renditi edhe sivjet Shqipërinë në nivelin B1, nivel që mbetet i pandryshuar në vlerësimet e kësaj kompanie që në vitin 2008. Zv.Presidenti i Moody-s, Jonathan Schiffer, do të shprehej pesë vjet më parë në revistën e mirënjohur “Forbes” se “Renditja e Shqiperise ne nivelin B1 reflekton faktin se vendi eshte ne tranzicion per te krijuar nje ekonomi tregu nga nje ekonomi teresisht e izoluar dhe me te ardhura shume te uleta per frymë". Këtë vit klasifikimi vazhdoi në nivelin B1 për shkak të ”përkeqësimit në vitin 2012 të financave publike, prirjes së borxhit publik për t' u rritur dhe vazhdimit të rritjes së ulët ekonomike edhe në vitet në vijim.” Niveli B1, në gjuhën e ekonomistëve dhe financierëve përkthehet “ vend me një nivel jo të lartë besueshmërie për investime dhe institucionet kredituese”.

Borxhi publik dhe situata ekonomiko - financiare

Prof. Ardian Civici, ekspert i njohur në fushën e ekonomisë, rektor në Universitetin Europian të Tiranës thotë për DW se situata finaciare në Shqipëri është e kërcënuar nga rritja e borxhit publik.“Shqipëria është në një moment të vështirë ekonomik dhe financiar pasi ka një borxh publik që rritet nga 64 - 72% , gjë që është një barrë shumë e rëndë për ekonominë e saj të brishtë, sidomos në periudha të shkurtëra dhe afatmesme. Në një kontekst më të gjerë, fakti që në Greqi situata vazhdon të përkeqësohet, në Itali situata nuk është shumë optimiste, këto dy vende që janë partnerët më të mëdhenj tregëtarë të Shqipërisë, por edhe që kanë qënë rezervuarët e papunësisë shqiptare, marrveshjeve dhe shumë investimeve që janë bërë në Shqipëri argumenton parashikimin se rritja ekonomike në Shqipëri edhe në 2014-ën nuk do të jetë më e lartë se 1,5 ose 2% . Kjo në një kohë kur shifrat e mbledhjes së të ardhurave ose aftësisë kontribuese që ka shoqëria dhe biznesi shqiptar për mbylljen e buxhetit të 2013 ose për buxhetin e 2014 janë të ulta. Kjo pasi burimet kryesore të rritjes ekonomike të Shqipërisë si sektori i ndërtimit, të ardhurat nga remitanca dhe privatizmet kanë një lloj ezaurimi. Te gjitha bashkë e bëjnë situatën ekonomike të vështirë” thotë Civici.

Dr. Ardian Civici
Dr. Ardian Civici, ekspert për ekonominëFotografi: Ani Ruci

Sfida - rritja e prodhimit vendas, reformat strukturore, orientimi drejt tregut te lire.

Dalja nga kjo situatëë ekonomike, të reflektuar edhe në vlerësimin e MOODY's gjëndet sipas ekspertëve tek shtimi i rritjes ekonomike dhe realizim i reformave të rëndësishme strukturore. “Kryefjala tani dhe në vitet në vazhdim duhet të jetë rritja e prodhimit vendas, shtimi i eksporteve, hapjen e vendeve të punës, futja në eficencë sa më shpejt e minierave, rritja e prodhimit të energjisë elektrike. Çdo lloj mase që ndihmon zhvillimin e biznesit, sidomos të vogël dhe të mesëm, që përbën kolonën vertebralë të ekonomisë shqiptare, për më tepër që në raportin e fundit ”Doing Business “ të Bankës Botërore është shume e dobishme. Fakti që Shqipëria renditet sivjet në vendin e 90-të duke rënë 5 vende, tregon se pika më nevralgjike nga duhet filluar është vënia në eficencë e të gjithë sektorëve prodhues të ekonomisë shqiptare që të mund të kontribojnë në rritjen ekonomike. Po nuk shtuam rritjen ekonomike ka pak shanse që të përmirësohet deficiti buxhetor dhe të menaxhohet pa pasoja serioze shërbimi i borxhit publik”, thekson Civici.

Për ekonomistin Sybi Hida rëndësi të dorës së parë merr pagesa e borxhit publik dhe kryerja e reformave strukturore.” Shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit është shunë e rëndësishme pasi kjo do të gjallërojë ekonominë dhe do të rregulloje marrëdhëniet e biznesit me sektorin bankar. Ndërkohë që Shqipëria ndodhet në një moment kur ka nevojë për reforma strukturore , ndërhyrje rrenjesore që prekin buxhetin, politikën e pensioneve, administratën dhe sektorë të tjerë që janë bërë barrë për buxherin e shtetit” thekson Hida.

Sybi Hida
Sybi Hida, ekonomistFotografi: Ani Ruci

Që ritmet e ekonomisë të shtohen, ekonomia e Shqipërisë ka nevojë për një orientim tjetër.”Ekonomia ka nevojë për reforma që e çojnë atë drejt funksionimit sipas parimeve të tregut të lirë. Psh, pensionet duhet t'i drejtohen tregut të lirë, po kështu sektorë si ai i transportit, mirëmbajtja e rrugëve, energjia”. thotë për DW, Sybi Hida.

Ndikim pozitiv nga faktorë të jashtëm

Mundësia e marrjes nga Shqipëria në dhjetor të këtij viti të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE vlerësohet si pozitiv nga MOODY's. Ne raportin e kompanisë së vlerësimit të riskut vihet në dukje se “pritet te ketë ndikim pozitiv statusi i vendit kandidat për në BE, që ka shumë gjasa që t'i jepet Shqipërisë në dhjetor dhe ndërtimi i gazsjellësit TAP në vitin 2015.