1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Moldavia votoi pro Evropës

Në zgjedhjet parlamentare në Moldavi fituan me pakicë të vogël partitë proevropiane. Tani BE-ja duhet të ndihmojë që vendi të mos zhytet në krizë, mendon Robert Schwartz.

Dridhje deri në fund dhe pastaj lehtësim: kampi proevropian në Republikën e Moldavisë i fitoi këto zgjedhje. Aleanca e Liberal-Demokratëve, Liberalëve dhe Demokratëve arriti një shumicë të vogël dhe tani do të përpiqet që të krijojë shpejt qeverinë e re. Por kjo nuk do ta ketë të lehtë në parlamentin e ri. Socialistët prorusë do t'u kujtojnë se ata ishin fituesit e vërtetë të zgjedhjeve, sepse ata fituan më shumë vota. Së bashku me komunistët, ata do të përpiqen për të frenuar njërën apo tjetrën reformë. Por ata gjithashtu do të përpiqen për të gjetur njerëz që mendojnë si ata në aleancën proevropiane, kur është fjala për çështje të tilla si lufta kundër korrupsionit, forcimi i gjyqësorit dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Qeveria në Kishinau ka marrë votën për të vazhduar kursin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Pra edhe katër vjet për ta zbatuar marrëveshjen e asociimit dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë të nënshkruaar në verë dhe për të përgatitur vendin për një fillim të negociatave për anëtarësim.

BE duhet të pozicionohet

Në kontekstin gjeopolitik aktual të ndërlikuar për shkak të krizës në Ukrainë BE-ja tani duhet të pozioniohet: Nëse ajo e ka seriozisht me perspektivën evropiane të Republikës së Moldavisë, duhet t'i japë qeverisë një afat të qartë për integrimin e mundshëm të vendit në BE. Çdo gjë tjetër do të ishte një surrogoto që do ta ndryshonte për keq gjendjen në vend .

Robert Schwartz

Robert Schwartz

Por përtej këtij gjesti të rëndësishëm simbolik, vendi ka nevojë për mbështetje ekonomike dhe politike. Për shkak të bojkotit tregtar nga Rusia, Moldavia humbet vetëm këtë vit rreth 100 milionë euro. Prodhuesit moldavë nuk kanë qenë shumë në gjendje të gjejnë tregje të reja në BE. Hapja e këtyre tregjeve është një hap i parë për ta shtensionuar situatën. Një ofrim gjithëpërfshirës energjie për këtë dimër nevojitet urgjentisht, pasi vendi varet ende në masë të madhe nga gazi rus. Pritet gjithashtu që Rusia do të marrë masa shtesë për të kthyer Kishinaun në drejtimin që mendon ajo. Në Rusi punojnë aktualisht rreth 500.000 moldavë. Nëse këta i kthejnë në shtëpi, Moldavia do të përballet me një rritje të shpejtë të papunësisë. Investimet nga shtetet anëtare të BE janë urgjentisht të nevojshme.

Vatër potenciale krize

Politikisht BE-ja duhet të intensifikojë përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë në Transnistri. Në rajonin separatist ka ende të stacionuar ushtarë rusë, edhe pse Moska ka rënë dakord në vitin 1999 për t'i tërhequr trupat. Për shkak të krizës në Ukrainë, shumë moldavë kanë frikë se konflikti mund të shpërthejë përsëri dhe në Transnistri. Përveç kësaj, situata është e tensionuar edhe në rajonin autonom të Gagauzisë, ku po shtohen tendencat separatiste proruse.

Bashkimin Evropian i mbetet shumë për të bërë në qoftë se nuk do që perspektiva evropiane për Republikën e Moldavisë të mos bëhet një Fata Morganë e përjetshme Megjithatë më shumë për të bërë ka qeveria e re në Kishinau, që tani pas shumë deklaratash hap pas hapi të heqë barrierat për reformat dhe gjithashtu të zbatojë pikat e ndryshme të Marrëveshjes së Asociimit. Në këtë pikë ajo ka marrë sinjale të qarta mbështetjeje nga vendet partnere, si nga Gjermania.