1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moldavia: mes BE dhe Euroazisë

Robert Schwarz28 Nëntor 2014

Të dielën në Republikën e Moldavisë zgjidhet një parlament i ri. Votimet konsiderohen vendimtare për drejtimin e vendit drejt BE, apo Rusisë.

https://p.dw.com/p/1DvV4
Fotografi: Dan Guțu

Që prej pesë vjetësh në Kishiniau qeveris një koalicion properëndimor, që e ka shpallur afrimin e vendit me BE si prioritet kryesor. Dhe rezultatet e kësaj politike janë të dukshme për këdo. Në verë republika e Moldavisë nënshkroi marrëvëshjen e asociimit dhe të tregtisë së lirë me BE. Që nga prilli 2014 qytetarët moldavë mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Në Rusi kursi evropian i Republikës së Moldavisë kritikohet ashpër. Sipas Moskës ish -republika sovjetike e Moldavisë, e pavarur që nga viti 1990, vazhdon të jetë zonë ndikimi e Federatës Ruse. Si reagim ndaj marrëveshjeve me BE, Kishinaut iu vu embargo tregtare. Moska ndaloi hyrjen e verës, frutave, perimeve dhe produkteve të mishit nga Republika e Moldavisë.

Me ndalimine importit t verës Rusia e ka dëmtuar rëndë ekonominë e vendit të vogël
Me ndalimine importit t verës Rusia e ka dëmtuar rëndë ekonominë e vendit të vogëlFotografi: DW/S. Ciochina

Republika e Moldavisë është një nga vendet më të varfëra të Evropës. Në historinë e tij të trazuar, vendi ka qenë një herë pjesë e Perandorisë Ruse, pas vitit 1918 e Rumanisë dhe pas Luftës së Dytë Botërore e Bashkimit Sovjetik. Popullsia e Republikës së Moldavisë ka rrënjë të ndryshme etnike: mbi 70 për qind janë moldavë rumunë, rreth 10 për qind janë ukrainas dhe rusë. Gjuha zyrtare në vend është rumanishtja. Shumica e popullsisë flet edhe rusisht. Në republikën proruse separatiste të Transnistrisë dhe në rajonin autonom rus të Gagauzisë, me orientim nga Moska, rusishtja konsiderohet gjuhë zyrtare.

Paqartësi nga sondazhet

Sipas sondazheve të fundit, partitë proevropiane liberal demokrate ndodhen në një garë kokë më kokë me komunistët dhe socialistët besnikë të Moskës. Popullsia është e ndarë: 44 për qind janë për orientimin perëndimor të vendit të tyre, 43 për qind për afrimin me Rusinë.

Partia Komuniste e ish-presidentit Vladimir Voronin ndodhet pak përpara se liberaldemokratët dhe Partia Demokratike, por në rast të një fitoreje për të krijuar shumicën qeverisëse do të varej nga socialistët dhe nga fraksione të tjera prrruse.

Kritikët më të ashpër të Marrëveshjes së Asociimit me BE janë socialistët. Kryetari i tyre, Igor Dodon, ka bërë pjesë më parë në Partinë Komuniste të Voronit. Ai deklaroi se do ta ndërpresë menjëherë marrëveshjen me BE, në rast se fiton zgjedhjet. Perspektiva e vendit të tij është e lidhur ngushtë me projektin e euroaziatik në kuadër të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura - GUS, thotë Dodon

Faktor rreziku lodhja nga politika

Një faktor vendimtar në këto zgjedhje do të jetë pjesëmarrja. Shumë moldavë janë të pavendosur, shumë janë të dëshpëruar për shkak të varfërisë dhe skandaleve të shumta të korrupsionit, që kanë tronditur vendin.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Alexandru Tanase, i ka bërë thirrje me një apel personal bashkëqytetarëve të tij për të votuar. "Në Moldavi zgjedhjet nuk janë politike por gjeopolitike", thotë Tanase. Nuk ka qeveri të përsosur dhe as parti ideale, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, por ai nuk dëshiron, "që Republika e Moldavisë të udhëhiqet nga politikanë, që gëzohen për embargon ruse kundër vendit të tyre", këtu ai e ka fjalën për qëndrimin e liderit socialist Dodon.

Angazhimi për BE

Ish-presidenti i qeverisë së përkohshme dhe kryetar i parlamentit Mihai Ghimpu, udhëheqës i Partisë Liberale, konfirmoi në një intervistë me DW linjën e qartë të aleancës në pushtet, që në rast fitoreje të vazhdojë më tej partneritetin dhe solidaritetin evropian.

Mihai Ghimpu: Të vazhdojmë me partneritetin evropian
Mihai Ghimpu: Të vazhdojmë me partneritetin evropianFotografi: DW/Cristian Ștefănescu

Në lidhje me krizën e Ukrainës dhe rolin e Rusisë në këtë konflikt, Ghimpu theksoi se qëndrimi i qartë i kancelares gjermane Angela Merkel në këtë krizë ështe "një mesazh i rëndësishëm" për vendin e tij. Merkel kishte kritikuar kohët e fundit politikën e presidentit Vladimir Putin duke paralajmëruar nga zhvillime të pakontrolluara në Evropë, që mund të përfshinin vende si Moldavia, Gjeorgjia dhe Ballkani Perëndimor.

Të rëndësishme në këto zgjedhje do të jenë votat e moldavëve jashtë vendit. Nga gati katër milionë banorët aktualisht rreth 500.000 punojnë në Rusi, po kaq shumë, sidomos moldavë të rinj dhe të arsimuar, studjojnë dhe punojnë në BE. Më shumë se gjysmë milioni kanë shtetësi rumune duke qenë kështu qytetarë të BE-së, megjithëse vendi i tyre është ende larg standarteve të BE. Ata janë gjuhëza e peshores në këto zgjedhje. Nëse ata shkojnë të votojnë, perspektiva evropiane e Republikës së Moldavisë do të vazhdojë të ketë të ardhme. Këtë e theksoi në një fjalim televiziv drejtuar kombit edhe presidenti i Moldavisë, Nikolae Timofti.