1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Moldavia merr kurs nga Evropa

Pas dy vjetësh e gjysmë Moldavia ka përsëri një president. Gjykatësi pa parti Nicolae Timofti mori në votimin për të në parlament 62 prej 101 votave. Gjykata Supreme në Kishinau e konfirmoi rezultatin të hënën (19.03.).

Presidenti i Republikës së Moldavisë Nicolae Timofti

Presidenti i Republikës së Moldavisë Nicolae Timofti

Prej të hënës (19.03.) është zyrtare: Nicolae Timofti, një gjykatës 63-vjeçar dhe kandidat pa parti i aleancës qeveritare pro-evropiane "Aleanca për Integrimin Evropian" (AIE), është presidenti i ri i Republikës së Moldavisë. Kësisoj, me zgjedhjen e tij iu dha fund pas saktësisht 917 ditësh krizës politike të vazhdueshme në ish-republikën sovjetike. Timofti, deri tani kryetar i këshillit suprem të magjistraturës në Kishinau, u zgjodh të premten e kaluar me shumicën e nevojshme të tre të pestave në parlament. Fitorja u bë e mundur nëpërmjet votave shtesë të tre deputetëve komunistë, të cilët nuk iu përmbajtën qëndrimit partiak.

Gjashtë zgjedhje presidenciale më parë kanë dështuar

Kjo ishte përpjekja e shtatë në dy vjet e gjysmë, për të arritur në parlament shumicën për një kandidat. Qysh prej dorëheqjes së presidentit komunist Vladimir Voronin në shtator 2009 zgjedhja e pasardhësit pati dështuar vazhdimisht për shkak të raporteve pozitë/opozitë. Koalicioni qeveritar pro-evropian, në të cilin bëjnë pjesë tri parti, ka në parlament vetëm 59 vende (mirëpo, për zgjedhjen e kreut të shtetit nevojiten 61 vota). Opozita komuniste e pati bllokuar secilën herë zgjedhjen e një kandidati nga koalicioni qeveritar. Në nëntor 2011 tre deputetë qenë shkëputur nga komunistët dhe patën paralajmëruar, se do të mbështesnin një kandidat pa parti. Kësisoj, rruga për zgjedhjen e një presidenti të ri ishte hapur. Ai do ta bëjë betimin për postin më 23 mars.

Ish-presidenti Vadimir Voronin

Ish-presidenti Vadimir Voronin

Partia Komuniste e pati bojkotuar seancën e parlamentit dhe refuzon ta njohë rezultatin e votimit. Kryetari i saj, Vladimir Voronin, paralajmëroi se do të organizojë aksione të tjera proteste: "Ne nuk njohim as votimin, as parlamentin", tha Voronin në një miting para përkrahësve të vet. "Ky nuk është presidenti ynë."

Mirëpo, shumica e qytetarëve presin që pas luftës politike shumëvjeçare të kthehet më në fund qetësia në "vendin më të varfër të Evropës", siç cilësohet shpesh Republika e Moldavisë. Sipas mendimit të politologut Cristian Ghinea nga Qendra për Politikë Evropiane në Rumani, prioritetet e kreut të ri të shtetit janë krejt të qarta: përqafimi hapur i reformave ekonomike dhe afrimi i vendit me Evropën. Marrëveshja e asociimit me BE-në është ende e larg, moldavianëve u duhet ende vizë, për të udhëtuar në BE. Një problem tjetër qendror, thotë Ghinea, është konflikti i pazgjidhur prej dekadash rreth Republikës separatiste të vetëshpallur Trans-Dnjestër. Pjesa e ish-Republikës Sovjetike të Moldavisë në lindje të lumit Dnjestër qeveriset nga separatistët dhe nuk është më në kontrollin e Kishinaut. Trans-Dnjestri nuk njihet si shtet nga bashkësia ndërkombëtare, por mbështetet financiarisht nga Rusia.

Autor: Robert Schwartz / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti