1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Moldavia – fuçi baruti?

Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj e kanë shqetësuar shumë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Tani është e rrezikuar edhe Republika e Moldavisë.

Paralajmërimet e fundit të NATO-s nga përhapja e agresionit rus edhe në Moldavi, ka shkaktuar reagime të ndryshme në ish-republikën sovjetike. Komandanti i NATO-s, gjenerali Philip Breedlove, paralajmëroi javën e kaluar në Kongresin e SHBA-së se trupat ruse të dislokuara në Transnistri, ndodhen atje me qëllim që "të pengojnë afrimin e Republikës së Moldavisë me Perëndimin." Kësaj i shtohet edhe fushata e gjërë informative që Moska po bën përmes mediave të saj në Moldavi, thekson Breedlove.

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur shqetësimin e saj mbi zhvillimet e fundit në këtë rajon. Pas bisedimeve me presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis në Berlin, Merkel tha se shpresohet që të mos përsëritet edhe në Moldavi një skenar i ngjashëm si në Ukrainë. Në këtë kontekst nuk duhet harruar konflikti pezull në Transnistri si dhe fakti që deri tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e kësja krize, tha Merkel.

Në Transnistri vazhdojnë të jenë të stacionuar rreth 2000 ushtarë rusë, ndonëse Rusia ka deklaruar tërheqjen e trupave dhe arsenalit ushtarak qysh që në vitin 1999. Rajoni seperatist është shkëputur pas një lufte të përgjakshme në fillim të viteve 90-të nga Republika e Moldavisë dhe ka shpallur pavarësinë. Udhëheqja proruse shpreson bashkangjitjen në Federatën e Rusisë.

Kthesë në Kishinau?

Qeveria e re e Moldavisë deri tani thuajse nuk ka reaguar fare ndaj këtyre sinjaleve alarmuese. Vendi po tronditet nga kriza politike dhe kjo mund të cënojë afrimin e tij me Bashkimin Evropian. Kryeministri i ri Chiril Gaburici, i cili ka ardhur para dy javësh në këtë post, po përpiqet ta bindë BE-në se Moldavia vazhdon t'i përmbhet kursit proevropian. Por kritikët nuk janë të sigurt.

Aleanca e tri partive proevropiane fitoi zgjedhjet parlamentare në fund të nëntorit të kaluar. Por nuk ka qenë në gjendje të krijojë qeverinë. Këto parti - liberaldemokratët dhe demokratët - kanë krijuar një qeveri pakicë, por ajo varet nga mbështetja e komunistëve. Pjesëtarët e kursit proevropian kanë frikë tani se Moldavia në të ardhmen do të afrohet më shumë me Moskën.

Sinajlet paralajmëruese duhet të merren seriozisht

Politologu nga Moldavia Orozu Nantoi sheh një varg rreziqesh për vendin e tij. Në bisedë me DW thotë se "e ashtuquajtura kolona e pestë e Rusisë" ekziston edhe në parlament. Kjo nuk vlen vetëm për Partinë Socialiste, e cila nuk e ka fshehur kurrë kursin e saj prorus. Edhe deputetët e partive të tjera janë kundër kursit proevropian në Kishinau, pohon Nantoi. Politologu paralajmëron edhe nga ndikimi i Moskës në zgjedhjet e ardhshme, në rajonin autonom Gagauzi. Seperatistët prorusë edhe atje kanë paralajmëruar se do të kërkojnë bashkimin me Federatën e Rusisë. Nantoi konfrimon se në këtë vend ka nisur një ofensivë informative ruse, siç ka bërë të ditur edhe gjenerali i NATO-s Breedlove. Kanalet televizive ruse dominojnë tregun mediatik në Moldavi.

Rreziku më i madh vjen edhe më tej nga korrupsioni masiv dhe qeveria e dobët. Një shtet, i cili nuk është në gjendje të kujdeset për zbatimin e drjetësisë, rendit dhe stabilitetit politik, ndërkohë që në kufrinin e tij zhvillohet luftë, "nuk do të jetë në gjendje t'i rezistojë agresionit të politikës ekspansioniste të Federatës Ruse", thotë ai për DW.

"Gjendja po ashpërsohet"

Ish-ambasadori i Moldavisë në Moskë, Anatol Taranu, mendon se ky vend duhet të llogarisë me provokime të reja nga pala ruse. "Nëse politikanët evropianë dhe amerikanë paralajmërojnë nga kjo mundësi, atëherë ky është një sinjal shumë i qartë i ashpërsimit të gjendjes", thotë Taranu për DW. Kjo duhet t'i shqetësojë përgjegjësit në Kishinau që të rrisin nivelin e sigurisë dhe të përgatiten ndaj aksioneve të mundshme ushtarake.

Siguria relative në Moldavi mund të ekzistojë vetëm nëse Kishinau thellon raportet me BE-në dhe NATO-n. Por ai është skeptik, nëse qeveria e Moldavisë vërtetë do ta ndjekë këtë kurs. Neutraliteti i vendit të tij, siç thuhet në Kushtetutë, është i tejkaluar, mendon ai. Derisa trupat ruse gjenden në territorin e Moldavisë pa ndonjë vendim përkatës të qeverisë apo të parlamentit në Kishinau, atëherë nuk mund të bëhet fjalë për neturalitetin.

Ministri i Mbrojtjes Viorel Cibotaru, megjithatë nuk sheh ndonjë rrezik konkret për përhapjen e konfliktit të Ukrainës. Por edhe ai është i shqetësuar. Strukturat e mbrojtjes së Republikës së Moldavisë janë në gjendje të vazhdueshme alarmi, për të reaguar menjëherë ndaj rreziqeve, tha ai në një intervistë për mediat.

Sipas raportit të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), ushtria e Moldavisë ka më shumë se 5.300 ushtarë aktivë. Në rast të një konflikti ushtarak, mund të mobilizohen deri në 700.000 vetë. Pjesa më e madhe e armatimeve të këtij vendi janë nga koha sovjetike. Në vitin 2014 buxheti për mborjtjen ka qenë rreth 20 milionë euro, rreth 0,3 % e prodhimit bruto, sa është edhe buxheti i Akademisë së Shkencave në Moldavi.