1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria mori atë që meriton

18 Prill 2018

Federica Mogherini: Shqipëria vendi në Europë që gjatë 10 viteve të fundit e ka transformuar veten më shumë

https://p.dw.com/p/2wHr2
Albanien Premierminister Edi Rama & Federica Mogherini, EU-Außenbeauftragte
Fotografi: Press office of Prime Minister

Shqipëria mori atë që meriton. As më pak dhe as më shumë.  Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE dhe Nën Presidente e Komisionit Europian ( KE) është në të njëjtën linjë me kryeministrin  Rama se rekomandimi pozitiv i KE drejtuar Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE mbështetet tek merita.

"Shqipëria ka përmbushur kushtet që  ishin vendosur në raportin e rekomandimeve të  fundit, të miratuara një vit e gjysmë më pare. Ajo  është e gatshme për të çelur negociatat, duke mbajtur dhe thelluar reformat e ndërmarra” tha në Tiranë sot, (18.04.2018) Federica Mogherini, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Belgien EU-Gipfel - Federica Mogherini
Federica MogheriniFotografi: Reuters/F. Lenoir

Vetë Kryeministri Rama e konsideron rekomandimin rrjedhojë të përpjekjeve të jashtëzakonshme të Shqipërisë "për të kaluar reformën në drejtësi, filluar zbatimin e vetting-ut,  çrrënjosur kanabisin nga territori i Shqipërisë, shtrënguar rrethimin e shtetit për krimin e organizuar, luftuar korrupsionin dhe reformuar administratën publike. Shqipëria ka marrë atë që meriton në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizimit të saj” theksoi ai.

Mogherini e vlerësoi  rekomandimin pozitiv që KE dha dje ( 17.04.2018) për Shqipërinë si "një hap tejet të  rëndësishëm në një proces, i cili nuk ka nisur dje dhe  nuk do të përmbyllet nesër” .  Ajo theksoi se progresi drejt hyrjes në BE  " është një proces real transformimi dinamik i shoqërisë”.

Rama thirrje opozitës për t'iu bashkuar përpjekjeve për vijim dhe thellim të reformave

Rekomandimi pozitiv, i pakushtëzuar  i KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë vjen në një kohë kur opozita ka ndërmarrë aksionin politik të mosbindjes civile dhe ka paralajmëruar një valë protestash kundër rritjes së taksave dhe vecanërisht taksës së kalimit të automjeteve në "Rrugën e Kombit” , që lidh Shqipërinë me Kosovën. Lideri i opozitës, Lulzim Basha, u kthye sot ( 18.04.2018) nga Berlini  ku zhvilloi takime në Bundestag me disa deputete të CDU & CSU dhe bëri me dije në një konferencë shtypi , skepticizmin që kishte hasur lidhur me arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.

"Për hapjen e negociatave për Shqipërinë ka patur 5 kushte. Gjermania ka 5 plus 2. Ne Bundestag  hasa ne skepticizëm. Pse e kërkoni? Më thanë qe banditët janë në arrati por edhe figura të larta si Saimir Tahiri. Gjermania e di që ai nuk po arrestohet. Shqipëria renditet në 11 vendet më të korruptuara. Por ne thamë se sa më shume të vijojë procesi i integrimit, aq më shume presion ka mbi qeverinë” tha Basha në konferencën për shtyp sot në Tiranë.

Në një klimë të tensionuar politike, kryeministri Rama i bëri thirrje opozitës dhe liderit të saj, Basha, t'i bashkohet përpjekjeve për të vijuar dhe thelluar reformat, si kushti kryesor i marrjes së vendimit pozitiv  nga Këshili Europian per hapjen e negociatave. 

Albanien Premierminister Edi Rama & Federica Mogherini, EU-Außenbeauftragte
Fotografi: Press office of Prime Minister

"Ftoj përsëri sot, Lulzim Bashën dhe opozitën, që të bëhemi bashkë, një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi, kur flasim për Shqipërinë jashtë Shqipërisë. Dua t'i lutem përfaqësuesve të opozitës sonë që të mos bashkëpunojnë me asnjë faktor të huaj politik, që për interesa të veta të brendshme do që ta pengojë Shqipërinë në këtë proces dhe të mos eksportojnë baltën e luftës tonë të brendshme politike”. tha kryemnistri Rama sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Mogherinin.

Lideri i opozitës Basha, i sapombritur nga Berlini pohoi se në Bundestag kishte kërkuar mbështetje për një vendim pozitiv të Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Por pavarësisht nga kjo ai deklaroi se " qëndri i opozitës nuk do të jetëe kurrsesinë një linjë me atë të qeverisë”.

Thirrje për bashkëpunim qeveri-opozitë adresoi sot  edhe Mogherini

"Ky është një rezultat kolektiv, kjo është një përpjekje kombëtare.  Është momenti për të njohur rezultatin e arritur nga të gjithë bashkë në Shqipëri dhe angazhimi për të punuar sëbashku, qeveria me opozitën. Të gjithë sëbashku të vazhdojmë këtë punë, që faktikisht do të jetë edhe më e madhe kur të nisin negociatat, seps ky është një proces që lejon një transformim edhe më të madh të vendit dhe Shqiperia është vendi që e ka transformuar veten më shumë në Europë gjatë dekadës së fundit”.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana